Kallarati është një ndër fshatrat e Labërisë. Nga pikëpamja etnografike i përket krahinës së Kurveleshit. Ai është një nga pesë fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, që bashkë me Bolenën, shënon kufirin veriperëndimor të Kurveleshit me krahinën e Mesaplikut. Nga ana administrative, Kallarati sot është pjese e komunës se Vranishtit të rrethit të Vlorës.

Gjeografia

Redakto

Fshati i Kallaratit ngrihet në një terren kodrinor që shtrihet në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës, poshtë Kuçit. Nga verilindja e lindja kufizohet me Bolenën, nga juglindja e jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu e veriperëndimi me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe të përgjithshme - me toka bujqësore, kodra e male - prej rreth 30 km². Tokat e bukës shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50 % të sipërfaqes së territorit të tij. Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Përmes tij kalon lumi i Shushicës dhe rruga automobilistike Vlore-Kuç-Borsh, që gjarpëron përgjatë brigjeve të lumit.

Historia

Redakto

Kur Fshati i Kallaratit ishte i vendosur në Kunjovë, ka qenë qendër administrative, Nahije dhe ka administruar fshatrat që ndodhen sot dhe që nuk ishin në atë kohë (territorin e Kuçit, Bolenes, Vranishtit dhe të Tërbaçit). Kjo periudhë i takon viteve 1300-1500, Nahija administrohej nga një kadi.

Nga viti 1566 deri në vitin 1575 ka qenë në vartësinë e Nahijes së Kurveleshit me qendër në Progonat dhe kishte vartësi nga Sanxhaku i Vlorës.

Nga viti 1575 deri në vitin 1860 ka pasur pleqësi, e cila varej nga Kazaja e Kurveleshit dhe kjo varej nga Sanxhaku i Delvinës.

Nga viti 1860 deri në vitin 1885 kalon në vartësi të rrethit të Gjirokastrës dhe si qendër kazaje ka pasur Progonatin.

Nga viti 1891 deri në vitin 1914 pleqësia e Kallaratit varej nga Komuna e Himarës dhe kjo nga Prefektura e Gjirokastrës.

Nga viti 1914 deri në vitin 1920 varej nga Komuna e Kuçit dhe administrohej nga Prefektura e Vlorës.

Nga viti 1921 deri në vitin 1945 kishte vartësi nga Komuna e Kuçit dhe nga Prefektura e Gusmarit, Prefektura e Gjirokastrës.

Nga viti 1945 deri në vitin 1949 në Kallarat u krijua Lokalitet me fshatin Bolenë, kryetar lokaliteti ishte Muço Gjonbrataj, sekretar Izet Muçua dhe përgjegjës i tregtisë Telo Duro. Qendra e lokalitetit ishte në Qafën e Ubavit dhe varej nga rrethi i Gjirokastrës.

Nga viti 1949 deri në vitin 1955 Këshilli Popullor i fshatit të Kallaratit varej nga lokaliteti i Kuçit dhe rrethi i Kotës.

Nga viti 1956 deri në vitin 1975 Këshilli Popullor varej nga lokaliteti i Kuçit dhe rrethi i Vlorës.

Nga viti 1975 deri në vitin 1992 Kallarati ka pasur Këshill të Bashkuar së bashku me fshatin Bolenë me qendër në Hundë të Xhepe dhe kryetar i këshillit ka qenë Salo Rexhepi (Mataj).

Nga viti 1992 deri me sot pleqësia e Kallaratit ka vartesi nga Komuna e Vranishtit me qendër ne Horë dhe nga Prefektura e Vlorës.