Në pranverë të vitit 1947, u ngrit një kamp të burgosurish për tharjen e kënetës së Maliqit, që fillimisht u vendos në Vloçisht dhe më pas në Pojan. Qendra e kampit ishte në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nizhavec.[1] Në pranverën e vitit 1948 në kamp, u mblodhëm 1200 të burgosur nga burgjet e Korçës, Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, 90% e të cilëve ishim për faje politike. Shumica e këtyre ishin avokatë, profesorë të shkollave të mesme, mjekë, studentë, ish-oficerë eprorë, ish-nëpunës, tregtarë, priftërinj katolikë, hoxhallarë dhe baballarë bektashinj.[2]

Puna në kamp

Redakto

Banesën e kishim në disa baraka, ku shiu i tërë nga hynte nga brenda. Për fjetje kishim vetëm nga një batanije, pasi na thanë që për mungesë automjetesh, nuk mund të merrnin tesha të tjera. Si ushqim na jepnin makarona nga më të këqijat dhe në verë kunguj e speca. Por në 10 veta nuk mund të mbushje një lugë me makarona. Pjesa tjetër ishte ujë i ngrohtë. Të rinjtë duhej të plotësonin nga 2-3 norma, ndryshe konsideroheshin sabotatorë, pasi ata gjoja kishin mundësi të jepnin rendiment më tepër. [2]

Dhuna dhe torturat

Redakto

Të gjithë intelektualët dhe veçanërisht fetarët ishin ata që rriheshin më tepër për t’u bërë shembull ne të tjerët. Disa nga të burgosurit që ishin shumë të sëmurë për punë varroseshin të gjallë në kanal. Dëshmitarët thonë se përditë policët futnin në kanal dhe mbulonin të gjallë me dhe e me ujë shumë të internuar[2], midis këtyre ishin edhe hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë.[1]

Puna fillonte në ora 6.00 dhe mbaronte në orën 18.00, duke pasur një pushim prej 30 minutash vetëm në drekë. Gjithë puna për çeljen e kanalit të Dunavecit ishte në ujë. Domethënë do punonim tërë ditën në ujë e në baltë të zbathur. Në ora 19.30 ktheheshim në kamp duke nxituar me vrap, gjithë baltë e ujë të lagur. Aty detyroheshim të prisnim dy orë për të dëgjuar rreshter Vaskën dhe polic Skënderin që na mbanin konferencë dhe vetëm në orën 22.00 pushonim.[2]

Përveç torturave, udhëheqja e kampit dënonte pa arsye të internuarit dhe dhuna e terrori shkaktuan shumë viktima në kamp.

[Drejtori] një ditë vrau vetë një të burgosur me shkelma dhe pushkatoi 5 të tjerë, ndërmjet të cilëve më vjen ndër mend Nesim Luarasi, një djalë i ri nacionalist, i cili qysh prej një viti ndodhej i rëni në shtrat nga pneumonia dhe që u mor në kamp me batanije, pasi nuk ishte në gjendje të ngrihej vetë.[2]

Puna e detyruar, dhuna dhe kushtet e këqija të jetesës shkaktuan qindra viktima. 135 persona u ekzekutuan në kampin e Vloçishtit të Maliqit, mes tyre dhe një grua shtatzënë, shtetase kroate por e martuar me një inxhinier shqiptar. Ata u akuzuan për sabotim të punës për tharjen e kënetës së Maliqit në vitin 1946. Midis të dënuarve, kanë qenë emra të mëdhenj, midis tyre edhe Mitrush Kuteli.[3]

Referime

Redakto
  1. ^ a b "Kampi i Maliqit: Vloçisht". Harta e Kujteses. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  2. ^ a b c d e "Të vdekurit në kampet e Vloçishtit dhe të Bedenit". Albspirit. 2017-01-28. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  3. ^ "Kujtohen të ekzekutuarit e kampit të Vloçishtit dhe 135 të zhdukur në diktaturë". Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.