Relievi karstik në Shqipëri

Redakto

Relievi karstik në Shqipëri është shumë i përhapur, kjo gjë lidhet me përhapjen e madhe të shkëmbinjve karbonatike, të cilët zënë një sipërfaqe prej 6600 km2 ose rreth 1/4 e sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Përhapja e madhe e shkëmbinjve karbonatikë, të ndërthurur me kushtet natyrore (sidomos kushtet klimaterike), ndikojnë në zhvillimin e dukurive dhe proceseve karstike kudo në Shqipëri. Karsti në Shqipëri është zhvilluar në dy etapa: etapa e parë fillon me daljen përfundimisht mbi ujë të territorit të Shqipërisë (i cili quhet karst i vjetër ose paleokarst) dhe etapa e dytë fillon nga plioceni e deri në ditët e sotme (i cili quhet karst i ri ose neokarst). Përhapja e tyre është e gjerë në të gjithë territorin e vendit, duke filluar me format e vjetra karstike të cilat si rregull ruhen kryesisht në lartësi (në pjesët e ulëta këto forma janë ndryshuar dhe transformuar), ndërsa format e reja të zhvillimit të karstit janë më të ruajtura dhe gjenden më shumë gjurmë. Përhapja e madhe e karstit në vendin tonë lidhet shumë edhe me sasinë e madhe të reshjeve dhe qarkullimit të madh ujor, sipërfaqësor dhe nëntokësor. Zhvillimi i proceseve karstike lidhet gjithashtu edhe me tektonikën, ku ngritjet e vazhdueshme të territorit janë shoqëruar me thyerje dhe zhvendosje të zonave tektonike, duke riaktivizuar proceset kartike, sidomos karstin nëntokësor. Zhvillimi i proceseve karstike në Shqipëri është favorizuar dhe nga mbulesa e varfër bimore, si dhe nga kushtet e përshtatshme topografike (karsti zhvillohet më mirë në terrenet e sheshta, pllajat dhe shpatet e buta).

Pllaja e Dumresë

Redakto

Pllaja e Dumresë nga pikëpamjen tektonike bën pjesë në zonën tektonike Jonike dhe në Ultësirën Pranadriatike dhe në përbërjen litologjike të saj marrin pjesë kryesisht shkëmbinjtë karbonatikë (gipset dhe dolomitet). Nga ana e relievit pllaja e Dumresë përfaqëson një pllajë  kodrinore të valëzuar, duke formësuar një peizazh dhe mjedis tejet interesant. Format kryesore të relievit janë kodrat dhe gropat, të ndërthurura me njëra-tjetrën, të cilat ndryshojnë nga territoret e tjera përreth. Këto tipare morfologjike të relievit lidhen me vecoritë e ndërtimit litologjik dhe sidomos me zhvillimin e proceseve karstike. Karsti në pllajën e Dumresë, në dallim nga zonat e tjera karstike, është zhvilluar kryesisht në gipset dhe anhidritet, si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi. Relievi karstik sipërfaqsor në pllajën e Dumresë përfaqësohet kryesisht nga gropat, të cilat paraqiten në dy tipe, në formë hinke dhe në formë pjate. Në pllajën e Dumresë dendësia dhe shpërndarja gjeografike e gropave karstike është shumë e madhe, gjë e cila mund të vërehet edhe nëpërmjet vrojtimit të thjeshtë në terren. Sipas origjinës së formimit, në pllajën e Dumresë, mbizotërojnë gropat karstike të krijuara nga tretja, ndërsa ato të krijuara nga shembjet janë më pak të përhapura.

Në relievin karstik të pllajës së Dumresë

Redakto

Në relievin karstik të pllajës së Dumresë një vend të veçantë zenë gropat karstike me pamjet kryesisht të çrregullt dhe me përmasa të mëdha, të cilat përfshihen në grupin e uvalave ose të fushave karstike të vogla. Përmasat e tyre variojnë nga 200-600 m gjerësi dhe nga 350-400 m gjatësi, dhe një pjesë e tyre të cilat janë mbushur me ujë, duke formuar kështu liqenet karstike të Dumresë (84 liqene). Kjo gjë demostron se proçeset karstike në pllajën e Dumresë kanë avancuar në mënyrë të ndjeshme, pasi mbyllja e të çarave dhe plasaritjeve të shkëmbinjve nga argjilat e dekalçifikuara, ka penguar zhvillimin e mëtejshëm të karstit, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një karst të vdekur. Në pllajën e Dumresë format e tjera karstike sipërfaqësore, si luginat qorre, puset etj, janë më pak të përhapura, ndërsa format nëntokësore nuk paraqiten me përmasa të mëdha si në zonat e tjera të vendit. Megjithatë në pllajën e Dumresë janë të zhvilluara zgavrat nëntokësore, gjë që dëshmohet nga krijimi i hinkave karstike nga shembjet, të cilat janë të përhapura kryesisht në pjesën qëndrore të pllajës së Dumresë. Relievi karstik dhe zhvillimi i dukurive dhe proceseve karstike është shumë i përhapur dhe i pranishëm në pllajën e Dumresë, duke ndikuar kështu në mjedis, pamjen vizuale të tij, format e relievit etj, duke ndikuar gjithashtu edhe në veprimtarinë socio-ekonomike të banorëve të kësaj pllaje.

Referencat

Redakto
  1. Akademia e Shkencave, 1991, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Volumi I
  2. Akademia e Shkencave, 1991, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Volumi II
  3. Qiriazi Perikli, 2015, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Ideart
  4. Sala Skënder, Qiriazi Perikli, 2007, Banorët dhe Mjedisi në Pllajën e Dumresë, Ideart