Karta Sociale Evropiane
Karta Sociale Evropiane është një nga traktatet bazë të Këshillit të Evropës i cili u miratua më 18 tetor të vitit 1961 ndërsa hyri në fuqi më 26 shkurt 1965, kur 13 vendet nënshkruese e ratifikuan atë. Deri në vitin 1991, 20 vende e kishin ratifikuar dokumentin në fjalë. Karta Sociale Evropiane është reviduar në vitin 1996. Karta e Rishikuar hyri në fuqi në vitin 1999 dhe gradualisht e zëvendësoi traktatin fillestar të vitit 1961. Karta përcakton disa nga të drejtat dhe liritë e njeriut dhe krijon një mekanizëm mbikëqyrës që garanton respektimin e tyre nga shtetet palë.
Karta garanton të drejtat dhe liritë të cilat u përkasin të gjithë individëve në ekzistencën e tyre të përditshme. Të drejtat themelore të përcaktuara në Kartën janë: strehimi, shëndetësia, arsimi, punësimi, mbrojtja sociale dhe ligjore, lëvizja e lirë e personave dhe jo-diskriminimi.
Shtetet palë në Kartë kanë detyrimin për të dorëzuar raporte vjetore mbi një pjesë të dispozitave të Kartës (qoftë Kartës 1961 ose Kartën e Rishikuar të vitit 1996), ku tregojnë se si i zbatojnë këto të drejta në të drejtën e brendshme dhe në praktikë. Komiteti Evropian i të Drejtave Sociale (KEDS) është organi përgjegjës për monitorimin e përputhshmërisë së shteteve palë me kërkesat e Kartës.
KEDS përbëhet nga 15 anëtarë të pavarur dhe të paanshëm të cilët zgjidhen nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës për një mandat gjashtë vjeçar, i rinovueshëm një herë.
Në bazë të Protokollit Shtesë të vitit 1995 për një sistem të ankesave kolektive, i cili hyri në fuqi në vitin 1998, KEDS-së mund t’i drejtohen ankesa për shkelje të Kartës në shtetet palë. Ankesat janë të një natyre kolektive (një shkelje e konstatuar në të drejtën e një vendi ose situatave në praktikë të cilat përbëjnë shkelje të Kartës dhe jo raste individuale) dhe duhen dorëzuar prej organizatave të autorizuara nga protokolli shtesë.
Organizatat që përmbushin kriteret e përcaktuara në Protokollin e 1995, kanë të drejtë për të paraqitur ankesa përpara KEDS (ekziston një listë të veçantë e OJQ-ve, e përbërë nga OJQ-të që gëzojnë status pjesëmarrës në Këshillin e Evropës). KEDS shqyrton ankesën dhe, nëse përmbushen kërkesat formale, e deklaron atë të pranueshme dhe e shqyrton ankesën në themel.