Kastriot Çipi, regjisor, publicist e përkthyes dramash, aktivist për teatrin dhe ish Drejtor i Teatrit Kombëtar të Komedisë. U lind në Tiranë1968. Studioi regji teatri në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga ku u diplomua më 1994 me vënien në skenë të “Andromakës” së Rasinit, me studentët diplomantë të degës së dramës. Gjatë kohës së studimeve pati disa përvoja si asistent regjisor në Teatrin Kombëtar, përkthyes dramash e publicist.

1993 filloi punën si asistent regjisor me kohë të plotë në Studion Alba Film, duke u angazhuar në tre filma artistikë dhe duke interpretuar dy role episodike. Vazhdoi të shkruajë herë pas here artikuj nëpër gazeta dhe më pas u bë redaktor i filmit dhe televizionit në gazetën e përjavshme AKS. Në gjysmën e dytë të viteve ’90, ndoqi disa kurse trajnimi, seminare e rezidenca për regji dhe menexhim teatri në Angli, ShBA, Gjermani, Kroaci, Bullgari e Maqedoni. Në vitet 1999 dhe 2002 punon përkohësisht si nëndrejtor i Teatrit Kombëtar, ndërsa në periudhën midis merr pjesë aktivisht në debatet për Ligjin për Teatrin dhe rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar.

Vitet e fundit Çipi i përkushtohet më fort krijimtarisë se sa menaxhimit dhe publicistikës. Ve në skenë në Teatrin Kombëtar dramën “Histori Zooparku” të Edward Albee (2003) dhe komedinë “Cilindri” të Eduardo De Filipo (2004), në Teatrin e Operas e Baletit operan “Një vjeshtë me stuhi” të Dhora Lekës (2005), në Teatrin Shqiptar të Shkupit komedinë “Brekët”, përshtatur nga teksti origjinal i Carl Sternheim (2006) dhe sërish në Teatrin Kombëtar produksionin privat të komedisë së Miro Gavran “Burri i gruas sime” (2007) dhe së fundi të tekstit "Letra dashurie" të A. R. Gurney.

Përkthen, përveç dramave që vë vetë në skenë, edhe dramat “Kontrata” e “Striptiza” të Slawomir Mrozek, “Profesioni më i vjetër” të Paula Vogel, “Shiriti i fundit i Krapit” nga Samuel Beckett, “Kthesa” nga Tankred Dorst, “Togeri i Inishmorit” nga Martin McDonagh etj. Krijon dhe mirëmban bazën e të dhënave në Internet Albtheatre.com dhe bashkëpunon me projektin ArtistetShqiptare.com. Në vitin 2008 organizoi Festivalin “Vera e Adriatikut” (vera-adriatikut.com), ndërsa në vitin 2010 ishte regjisor i edicionit të parë të Festivalit "Shqipëria është kulturë" që u zhvillua në Apoloni.

Në korrik 2011 filloi punën si drejtor i Teatrit Kombëtar të Komedisë, në Tiranë, i cili u përurua në 17 dhjetor 2011.