Kategoria superiore 1939
Besnik Dizdari: Kapitulli i Parë: "Kampionati shqiptar i foot-ballit do të fillojë sivjet më 1 korrik".
Frontespici i bashkangjitur këtu, i shtypit të asaj kohe, pra i vitit 1939, flet qartë. Vështroni se si është emërtuar: "Kampionati shqiptar i foot-ballit do të fillojë sivjet më 1 korrik".
Dhe më poshtë:
"Jemi në gjëndjen e kënaqshme të lajmërojmë sportistët shqiptarë se ndeshja e parë do të zhvillohet më 1 korrik dhe kampionati do të marrë fund pas dhjetë ndeshjesh të tjera. Në këto ndeshje do të marrin pjesë tetë skuadrat shqiptare më të forta, domethënë Tirana, Shkodra, Durrësi, Kavaja, Korça, Vlora, Elbasani dhe Pogradeci..."
Qysh më 7 prill 1939 Shqipëria ishte nën kunorën e saj Mbretërore: Viktor Emanueli i Tretë - Mbret i Italisë (1900-46), Perandor i Etiopisë (1936-43) dhe Mbret i Shqipërisë (1939-43).
Shqipëria zbret kësisoj, edhe ajo në fushën e futbollit. Dhe të qënit e pushtuar nuk do të thotë që ky futboll të mohohet.
Kampionati ka dy Xhirone - sipas emërtimit zyrtar të rregullores së brendëshme që ka 10 nene - çka unë do ta ruaj për kolorit historik:
XHIRONI A: Sportklub Tirana, Rinia Korçare, Bashkimi Elbasanas, Dragoj i Pogradecit.
XHIRONI B: Vllaznia e Shkodrës, Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit, Ismail Qemali i Vlorës.
Ishte elita e kampionateve të viteve '30.
Do të shihte pas kaq kohësh 6 herë kampionen e Shqipërisë, Sportklub Tiranën, e cila fiton 7-0 me Dragojn e Pogradecit. Ajo është dita e rrallë e Naim Kryeziut, njeriu i cili pas vetëm 30 muajve do të vinte kurorën e kampionit të Italisë me Romën. I shënon Dragojt 5 nga të 7 golat e ndeshjes përmes një stuhie realizuese të filluar nga Zyber Lisi në të 7'.
Mandej nuk ndalet Naimi në një kaskadë të pafund "shutash": 8', 35', 68', 81', 89', e madje trondit edhe një shtyllë, kur Lisi shënon edhe një herë tjetër (85'). Në të vërtetë, prap se prap, Sportklubi kishte në 11-sh plot 9 kampionë të shquar: R.Gurashi, Llambi, Janku, Maluçi, Balla, Lisi, Korça, Kryeziu, M.Gurashi. ".
Në Kavajë, po më 2 korrik Durrësi barazon 1-1 me Ismail Qemalin, po pas një jave, më 9 korrik, shpërthejnë Korça dhe Shkodra. Të vijmë te 9 korriku 1939 kur dy ndeshje spektakolare për kohën, papritmas pushtojnë Shqipërinë e futbollit. Në Korçë Skenderbeu e shkatërron Bashkimin Elbasanas 6-1 përpara një publiku të etur dhe në praninë e një tufe autoritetesh të pushtimit. Dhe një emër i pazakontë: Pasquale Lissoni me funksionin e Shefit të Zyrës Krahinore të Mëkëmbësisë së Përgjithëshme, me gradën e majorit për nga jerarqia ushtarake. Eshtë pikërisht ai Lisson, i cili në vitet e Mbretërisë kishte qenë organizatori i kulturës fizike e sporteve të K (trunkated)
Kapitulli i Tretë: SK Tirana - Kampione dhe do të përfshihet Kosova!
Më 6 gusht Durrësi dhe Ismail Qemali dalin në Shallvare dhe ndeshja shtesë është po aq dramë. Eshtë një 3-2 për skuadrën durrsake. Për gazetari shënojmë se ndeshja transmetohet nga Radio Tirana prej Anton Mazrekut. Dhe më e rëndësishmja: Ismail Qemali nuk bindet për drejtësinë e rezultatit dhe i kërkon reklamim Komitetit Teknik Zbatues të Kampionatit. Me sa duket, për zhvillimin e minutave të fundit thuajse në errësirë, vlonjatët kërkojnë përsëritjen. Një muaj kanë vazhduar diskutimet në Komitet, deri sa më në fund është vendosur përsëritja e ndeshjes.
Eshtë 10 shtator 1939. Përsëri në Shallvaren e Tiranës. Dhe përsëri Durrësi triumfues, madje kësaj here më thellë, 3-1. Ndeshja nis në orën 16.45, prap jo dhe aq fort heret. Gjyqtari është i mirënjohuri Selman Stërmasi, njeriu i madh i Sportklub Tiranës. Në një vështrim teknik, rreshtimi i skuadrave si edhe në ndeshjet e tjera është ai taktik i kohës i sistemit "WM", çka duket nga vendi ku vihet pikëpresja në botimin e përbërjeve të 11-shave. Ja shembulli i Durrësit: portjeri (Gruda) - dy mbrojtësat (Fërmija, Tati) - tre të mesmit (Tartari, Gjiri, Arapi) - dhe pesë sulmuesit (Moisiu sulmues i krahut të djathtë, Goga qendërsulmues, Stringa sulmues i krahut të majtë dhe gjysmësulmuesit Coku dhe Shabani).
Më 6 gusht 1939, kur ende Vllaznia priste përfundimet e ndeshjeve shtesë midis Durrësit e Ismail Qemalit për të mësuar kundërshtarin e saj, gjysmëfundorja (gjysmëfinalja) e parë e çon siparin në Fushën e Futbollit në Elbasan. Asnjanësia e kriterit në këte rast duket vërtet shembullore për duelin SK Tirana - Skenderbeu, që tash del me emrin e tij të vjetër, pra jo "Rinia Korçare". Skuadrat i fton në fushë gjyqtari Niko Gjini, për të cilin thuhet që në fillim se "e drejtoi lojën me aftësi të dukëshme e paanësi të plotë".
Nënvizohet mandej se epërsia teknike e kryeqytetasve është e dukëshme ndaj skuadrës korçare, së cilës përsëri i përmendet puna e shkëlqyer e viteve '30 e trajnerit italian Pasquale Lissoni, tash major Lissoni - funksionar i lartë i Fashizmit!
E vërteta është se Sportklubi mbaron punë shpejt e shpejt. Ai i shënon golat qysh në 10 minutat e para pasi e nis Mark Gurashi në një rikthim spektakolar të tij nën fanelën e bardhebluve, teksa mban mbi shpinë 5 titujt e kampionit të viteve '30. Mënjanë politikës së pushtuesit, megjithate ndeshja mbarte mbi vete emra historikë të futbollit.
Janë vëllezërit Gurashi së bashku, Rudolfi e Marku, Foto Janku e Hasan Maluçi, Sllave Llambi e Zyber Lisi, Naim Kryeziu e Miço Plluska te Sportklubi, ndërsa te Skenderbeu kampion i madh është vetëm njeri: Klani Marjani, i cili nuk mungonte qysh nga Kampionati i parë, ai i vitit 1930.
Ndërkohë që SK Tirana e ndjen veten fundoriste (finaliste) e kampionatit, duke qenë se skuadra e Durrësit deri më 10 shtator kishte qenë e zënë me dy ndeshjet plotësuese me Ismail Qemalin, ajo Vllaznia - Durrësi zhvillohet vetëm më 17 shtator 1939 në Shkodër, pra jo në fushë asnjanëse. Dhe 3-1 për Vllazninë, për të cilën goli i katërt në çastet e fundit prej Shkjezit, vlen vetëm për statistikë. Me 4-1 përfundimtar, Vllaznia është në fundoren e kampionatit.
"Do të ndodhet ball për ball me skuadrën kampione të Shqipnis, Sportklub Tiranën", lexojmë këte pasazh që përcjell edhe në terma aromën e vërtetë kampionatiste. Kishte qenë një ditë e bukur, tejet e përshtatëshme për një ndeshje futbolli. Një gjyqtar i shquar i Federatës Italiane të Futbollit, Sinnico, drejton me siguri në një mjedis shqiptar sportiv, gjithmonë nën praninë e të pamunguarit, Inspektorit të Partisë Kombëtare Fashiste, Comm. Giro, i cili "interesohet nxehtësisht për lojën, për nevojat e lojtarëve dhe të sportit shqiptar".
Sportklub Tirana dhe Vllaznia do të luanin tashma fundoren (finalen) e atij që duhet të jetë Kampionati i 8-të Kombëtar i Shqipërisë, vetëm 13 ditë mbas kësaj ndeshjeje dramatike Shkodër - Durrës. Gjithçka ishte lënë për më 30 shtator 1939. Shtatë muaj pushtim fashist. Dukej si një kalamendje. Futboll. Tregëti. Ndërtime. Kinema. Udhëtime. Kulturë. Modë. Dhe ky Kampionat Kombëtar për Trofeun e Liktorit. Eshtë një ditë befasuese vjeshte. Gati 24 orë rrjesht shi i dendur. Vetëtimë. Fortunë. Për fat, gjatë ndeshjes nuk ka shi, një "armëpushim" i vjeshtës, siç përcaktohet aq bukur.
Në Shallvare është e pranishme e gjithë Tirana e futbollit. E doemos edhe jerarkët italianë e shqiptarë: Dr. Bianchi, Sekretar Federal i Partisë Kombëtare Fashiste; Dr. Nicola Lo Russo Attoma me cilësinë e drejtorit të Shtypit, Propagandës e Turizmit, njeriu që me Ministrin Ernest Koliqi do të formonin në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare së bashku me Vangjel Koçën, Aleksandër Xhuvanin, Anton Palucën, Patër Anton Harapin, Xhevat Korçën, Mustafa Krujën, Dhimitër Beratin, Patër Valentinin, Karl Gurakuqin, Ekrem bej Vlorën, Dom Lazër Shantojën. Shumë prej tyre do t'i gjejmë të pranishëm edhe në ndeshje të ardhëshme të futbollit.
Ndodheshin ndërkaq, për këte fundore (finale) të Kampionatit, edhe Dr. Camassa, Inspektor Federal i P.K.F; Dr. Namik Resuli, sekretar i Federal i Tiranës; Dr. Luigi Grimaldi, sekretar i Mbaspunës Krahinore të Tiranës. Dhe me ta është dhe i mirënjohuri Said Toptani, më parë ministër e deputet, një nga organizatorët më të mëdhenj të rinisë e të sporteve në Shqipëri në vitet '30. Ka një tribunë pra të ndryshuar tejet. Nuk duket më Commendatore Giro dhe njerëz të kulturës e shkencës, sportit (Namik Resuli, themeluesi i Apolonisë së Fierit, njeriu i shquar i letrave shqipe), rrethojnë mjedisin e futbollit. Pushtuesi i zgjuar kërkonte të jipte gjithnjë e më fort një pamje po aq sa kombëtare shqiptare, po aq dhe të kulturës së mirëfilltë.
Dhe skuadrat dihet tashma, e fillojnë ceremonialin duke nderuar në mënyrën fashiste.
Dhe ndeshja që ka një fillim të papërmbajtshëm për Sportklubin. Në të 6' Miço Plluska e shndërron në gol një lëmsh para portës shkodrane. Në të 13' Zyber Lisi e bën 2-0. Dhe pas tij i vjen rradha Naim Kryeziut me dy golat e tij në të 32' dhe në të 40', çka do të thotë 4-0 për SK Tiranën brënda 40 minutave të para! Do të jetë një epërsi që do të ruhet gjatë për vendasit, edhe pse në të 42' Loro Boriçi nuk arrin të shndërrojë në gol një 11-metërsh të fituar nga Lutfi Hoxha. Rudolf Gurashi pret! Po 3 minuta më vonë nuk ndal goditjen e fortë të Met Vasisë e bash këtu nis mrekullia e vonuar shkodrane.
Me fillimin e pjesës së dytë "shihet fare kjartas se Shkodra nuk ka mend me e lëshue lojën pa... pushkë". Lutfi Hoxha shënon bukur dhe 4-2. E Lushta si Lushta. Eshtë bërë gati të marrë rrugën e Barit tashma, se menazherët italianë janë në tribunë, por prap prodhon gola për Tiranën. Mashtron rradhazi një tufë shkodranësh dhe 5-2. Kronika tregon me humor se "nji tifoz shkodran ja ban nji shoku të vet: Shkon e gërset lufta për rrezik të Shkodrës: vjen Lushta prej Francet e fiton Tirana".
Në të vërtetë këtu është një informacion me rëndësi. Riza Lushta ka shkuar të provohet në Francë e atje gjëndja është e turbullt. Lushta, i cili më 1948-51 do të luajë 3 kampionate me Cannes, në këte 1939 rikthehet në Shqipëri ashtu si më 1936 kur braktisi Teknikën e Tiranës për të mundur Vllazninë në 4-1-shin e famshëm që iu humbi titullin aq të afërt shkodranëve. E, Haki Korça tek firmos 6-2 me golin e tij të minutës 15. "Nji kryevepër precizjoni" e cilëson Anton Mazreku.
Shì atëherë kur gjithçka duket se ka marrë fund, "makina e Shkodërs xéhet e loja merr zjarr", nënvizon kronika. Gjithçka është vepër e treshes së mesit Alibali-Koxhja-Vasija. Në të 76' Boriçi nuk përmbahet pasi ka marrë topin e çmueshëm prej Hoxhës: 6-3. Pas 3 minutash episodin e ndërton Shkjezi dhe Loro Boriçi ngushton në 6-4! Mandej e merr fjalën Skender Gjinali, ylli tjetër i Kosovës për klubet e Shqipërisë, e pasi gjen Boriçin, ky nuk e tradhton. Gjuajtja e Loros është e rrallë: shtyllë dhe rrjetë! Eshtë 6-5 përfundimtar dhe organizatorët hedhin poshtë edhe reklamimin e pabazë të Vllaznisë. Po në fund të fundit, "Sekretari i Partisë Kombëtare Fashiste, Dr. Bianchi, përgëzon skuadrat për lojën e bukur e kavalareske që zhvilluen".
Në këte 30 shtator 1939 Sportklub Tirana duhet konsideruar pra, Kampione e Shqipërisë për herë të 8-të. Ndoshta rastësisht, por për çudi Tirana dhe Shkodra përshkohen në këte duel thuajse me të gjithë protagonistët e mëdhenj të historisë së viteve '30. Rudolf Gurashi, Hasan Maluçi, Foto Janku, Adem Karapici, Naim Kryeziu, Zyber Lisi, Haki Korça, Riza Lushta dhe Miço Plluska përbëjnë esencën e kampionëve, secili kampion për vete në gjithë kampionatet e mëparshëm, të përtërirë me praninë e Prokop Myzeqarit, i cili do të jipte jetën në luftë si dhe të Fiqret Hoxhës - të vetmit debutues.
Nga ana e saj, Vllaznia është thuajse e gjitha edhe ajo e viteve '30: në mos gabojsha në emrat, janë Zef Hila, Ndue Pali, Latif Alibali, Met Vasija, Muc Koxhja, Lutfi Hoxha, Skender Gjinali. Ndërkaq, Fahri Jubani, Nush Radovani janë mbase ndër më të rinjtë e Vllaznisë. E i riu i të rinjve duhet thënë se ishte 17-vjeçari Loro Boriçi - zbulimi i rrallë i futbollit shqiptar, mbi të cilin do të shenjonin emisarët e Lazio të Romës.
Çfarë do të ishte Kampionati tjetër?...
Dokument:
Tiranë, 30 shtator 1939
Sportklub Tirana - Vllaznija e Shkodrës 6-5
SK TIRANA: Gurashi I; Maluçi, Janku ; Myzeqari, F.Hoxha, Karapici; Kryeziu, Lisi, Korça, Lushta, Plluska.
VLLAZNIJA: Jubani; Hila, Pali; Alibali, Vasija, Koxhja; Shkjezi, L.Hoxha, Boriçi, Radovani, Gjinali.
GOLAT: Plluska 6', Lisi 13', Kryeziu 32', Kryeziu 40', Vasija 43', L.Hoxha, Lushta, Korça 60’, Boriçi 76', Boriçi 79', Boriçi 80'
ARBITER: Sinnico i Federatës Italiane të Footballit.