Katrot

familje e njohur artistesh shqiptar

Katrot (Çetiri, shek.XVIII-XIX) ishin familje piktorësh të afreskut e të ikonave, që punuan kryesisht në Myzeqe dhe në Shqipërinë e Mesme. Ishin me prejardhje nga Grabova e Elbasanit. I pari që përmendet është Gjergj Prend Çetiri Grabovari. Pikturoi ikona në kishën e Shën Mitrit në katundin Mazhan të Myzeqesë më 1775. Së bashku me të vëllain Joan Çetirin pikturoi disa kisha në fshatrat e Myzeqesë. Joani figuron si autor i disa afreskeve në kishat e Myzeqesë. Në mbishkrime emri i tij gjendet së bashku me atë të nipit Nikolla dhe djalit të tij Naumit. Joani pikturoi pjesën më të madhe të ikonave të katedrales së kalasë në Berat. Në kisha të ndryshme gjendet edhe emri i Gjergj Çetirit si dhe i një piktori tjetër të kësaj familje me emrin Ndin, i cili është pinjolli i fundit i këtij brezi piktorësh.