Kisha e Shën Mërisë në Vokopolë
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. Ndihmoni që faqet e tjera me temë të ngjashme të lidhen me të. (Data: shtator 2012) |
Kisha e Shën Mërisë, ndodhet në fshatin Vokopolë të Urës Vajgurore.
Ky monument i përket periudhës së vonë osmane. Kisha ka formë drejtëkëndore, me tre nefe dhe me një hajatë. Teknika e ndërtimit është shumë e thjeshtë, me gurë të bardhë e gri të punuar dhe të lidhur me llaç. Është e pajisur me 4 dritare në faqet anësore, veriore, e jugore si dhe me dy dritare në faqen perëndimore. Përveç hyrjes kryesore në anën perëndimore, që të çon në pronaos dhe më pas në naos, ndodhen edhe dy hyrje të tjera anësore, njëra në anën veriore dhe tjetra në atë jugore. Dyshemeja e kishës është e ndërtuar me rasa gurësh gëlqerorë. Apsida është gjysëm rrethore, pjesa e brendshme e saj është e pajisur me një shkallë që e vendos në nivel më të lartë se naosi. Në pjesën e jashtme apsida ka formë 6 këndore. Në qendër të apsidës ndodhet një dritare e vogël drejtëkendore që shërben për dritë dhe ajrim. Pranë apsidës ndodhet diakonikini dhe protezisi të cilat janë të pajisura me kamare dhe me një dritare të vogël në pjesën e sipërme
Kjo kishë është një kishë varrezë. Varret më të hershme datojnë në fillim të shekullit të 20-të ku mbizotërojnë ato të para periudhës së luftës së dytë botërore. Monumenti ka vazhduar të funksionojë si një kishë varrezë gjatë periudhës së Komunizmit si dhe pas viteve 1990. Sot për arsye të mungesës së hapësirës nuk vazhdojnë të kryhen varrime.