Kosova djepi i shqiptarizmit
Kosova djepi i shqiptarizmit aty nga fillimi i vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike, dhe i kishte rikthyer asaj pothuaj të gjitha viset shqiptare, që Kongresi i Berlinit në vitin 1878, si dhe Konferenca e Londrës në 1913-in, i kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: "Kosova, djepi i shqiptarizmit". Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari. Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe nacionaliste të qytetit të Gjirokastrës, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës. Libri ka 125 faqe dhe përbëhet nga rreth 27 kapituj. Në të autori ka përdorur qindra referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu, etj., po ashtu edhe të huaj si: Antonio Baldaçi, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman, etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta, ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga Ahamdemi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë, Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd.