Kristalografia
Kristalografia është shkenca që studion trajtën, ndërtimin e brendshëm, përbërjen kimike, vetitë fizike dhe mënyrat e formimit të kristaleve. Në fillim ka qenë pjesë e mineralogjisë, më pas është zhvilluar si shkencë më vete dhe ndahet në: kristalografi gjeometrike, kristalokiminë, kristalofizikën dhe kristalogjenezën. Kristalografia gjeometrike studion trajtën e jashtme dhe ndërtimin e brendshëm të kristaleve si trupa të rregullt gjeometrikë. Në Shqipëri studime të tilla janë bërë për kuarcin, piritin, kalitin etj. dhe kanë ndihmuar për sqarimin e kushteve të formimit të vendburimeve të tyre.