Kristoforidhi, një vështrim rinjohës

Kristoforidhi, një vështrim rinjohës Autore: Fatbardha Nergjoni. Shtëpia Botuese "Naimi". Faqet e librit 200.

Zbulohen të dhëna të reja për një nga rilindësit më të mëdhenj shqiptarë, Kostandin Kristoforidhi përmes monografisë së titulluar “Kristoforidhi: një vështrim rinjohës”, publikuar nga shtëpia botuese “Naimi”. “Jam përpjekur të bëj maksimumin, thotë autorja Fatbardha Nergjoni, duke shfrytëzuar materiale të Kristoforidhit në Arkivin Qendror Shqiptar dhe në arkiva të tjerë si: Muzeu i Elbasanit, arkiva familjare, fonde të rralla biblioteke, etj. Një pjesë e materialeve sidomos të lidhura me të birin e Kostandin Kristoforidhit dalin në dritë për herë të parë”.

Dëshmi interesante vijnë nga pasardhësit e K. Kristoforidhit dhe nga dokumente apo vepra që mund të konsiderohen edhe të rralla sot. Në këtë studim monografik janë konsultur dhe ofrohen për lexuesit të dhëna nga fondi “Kristoforidhi”, fondi “Lef Nosi”, fondi “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, fondi “Komisioni për kremtimin e 25 vjetorit të Mëvetësisë” në AQSH, fondi i mbetur i shtëpisë-muze të Kristoforidhit në Elbasan dhe fondi familjar i pasardhësve të Kristoforidhit. Me interes është fondi “Lef Nosi” për Kristoforidhin dhe në mënyrë të veçantë të fondit të familjes Deliana. Në këtë studim vjen për herë të parë një vështrim mbi të birin e Kristoforidhit, Filipin, i cili, sipas autores së librit, për angazhimin e tij, ndjenjat patriotike dhe përpjekjet për të ndjekur rrugën e të atit, “ka të dhëna të jetë edhe një shkrimtar i pazbuluar në letërsinë shqiptare”.

Veç kësaj, autorja, me një zell për t’u vlerësuar, që mund të shpjegohet dhe me profilin e saj si gazetare, ka arritur të krijojë mirëbesim dhe në trashëgimtarë të tjerë të burimeve që i takojnë dorës së vetë Kristoforidhit ose dhe të letërkëmbyesve me të: veprimtarë të periudhës romantike dhe postromantike. Kështu, dora-dorës është krijuar një koleksion dokumentesh që, të shpërndara siç kanë qenë deri më tani nëpër zyra e familje andej e këndej, duke përligjur vetëm prej tyre titullin e studimit: “Një vështrim rinjohës”. Me sa duket, ky ka qenë dhe qëllimi i monografisë: që të ndryshohet mendimi se Kristoforidhin e njohim, nuk ka më ç’thuhet për të, sidomos në pikëpamjen e lidhjeve të tij me albanologë dhe shoqata ndërkombëtare. Ndryshimi i mendimit nis qysh me gjenealogjinë e Kristoforidhëve, me historinë e patronimit, me përhapjen e tyre në Elbasan e gjetkë, me lidhjet farefisnore nëpër Shqipëri dhe me të dhëna biografike të atij vetë.

Nga pasuria arkivistike që ka shtuar Fatbardha Nergjoni në punimin e saj marrin rëndësi sidomos çfarë është trashëguar nga pasardhësit e Kristoforidhit, familja e Filip Kristoforidhit: fotoja e vetme e protagonistit të studimit (e qarkulluar dhe në filatelinë dhe në kartë-postalet shqiptare), shumë letra dhe vlerësime prej intelektualëve shqiptarë të Rilindjes dhe të periudhës shtetërore, shenjime të panjohura, të dhëna shtesë për jetëshkrimin e tij, informacione për vepra të kthyera tashmë në rrallësi librore, të reja për lidhjet që ai kishte me Shoqërinë Biblike Botërore.

Për të shëndetësuar argumentin e saj dhe për të theksuar pjesën e ndihmesës vetjake studiuesja ka përveçuar kontributet e studiuesve të mëhershëm për Kristoforidhin, që prej biografit të parë të tij Simon Shuteriqi, vepra e të cilit gati-gati është harruar, deri tek A. Xhuvani e brezi i studiuesve të fundmë si Xh. Lloshi.