KRYENGRITJET E ARMATOSURA (SHEK. XVI - MESI I SHEK. XVIII)

Redakto

KRYENGRITJET E ARMATOSURA TË SHEK. XVI

Redakto

Kryengritja e Himarës - Gjatë shek. XVI vatër e kryengritjeve u bënë veçanërisht tri krahina: Labëria, Dukagjini dhe Malësia e Madhe. Labëria u përfshi në sistemin e timarit gjatë periudhës midis viteve 1492-1506, por banorët e kësaj treve të gjerë e vazhduan qëndresën e tyre kundër këtij sistemi. Më 1507 fshatrat Veliqot, Dragot, Vasiar, Tatzat, Kudhës, Dhërmi, Kallarat etj., vazhdonin të mos paguanin xhizjen dhe me armë në dorë u kundërshtonin spahinjve. Në vitin 1537 fshatarësia labe organizoi një kryengritje të madhe që shqetësoi edhe sulltanin për shkak se, ashtu si më 1492, kjo u bë pengesë për zbatimin e planeve që po përgatiste Sulejmani II për të pushtuar Italinë. Nënshtrimi i Labërisë do të shërbente si bazë operacionesh për të kaluar në bregdetin perëndimor. Mirëpo qeveritarët e sanxhakut të Vlorës, me forcat e tyre ushtarake, nuk qenë në gjendje ta shtypnin kryengritjen. Ashtu si Bajazidi II, edhe sulltan Sulejman Ligjvënësi vendosi të bënte me këtë rast një rrugë e dy punë, të nënshtronte Labërinë, për të nxjerrë të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk u ishin paguar spahinjve dhe shtetit, dhe pastaj të hidhej me flotën e tij në bregun tjetër të detit Adriatik. Për këtë qëllim, në pranverën e atij viti ai u nis në drejtim të Shqipërisë dhe në muajin korrik 1537 e vendosi kampin ushtarak në afërsitë e Vlorës. Në të njëjtën kohë arriti para bregdetit të Himarës edhe flota osmane. Ardhja e ushtrisë perandorake në Shqipërinë Jugore u bë shkak që tërë krahina e Labërisë të ngrihej në luftë. Filluan sulmet kundër kampeve ushtarake osmane dhe karvaneve ushqimore. Për të shtypur kryengritjen sulltani ngarkoi Vezirin e Madh, Ajaz Pashën, me prejardhje nga Himara, i cili i njihte shtigjet e këtyre krahinave. Por nuk e pati të lehtë t’i shtypte kryengritësit shqiptarë. Pasi u qëndruan me trimëri sulmeve armike, kryengritësit me shkathtësi të madhe kaluan në kundërsulme të shpeshta. Luftimet vazhduan gjatë verës së vitit 1537, por pushtuesit nuk mundën ta shtypnin kryengritjen. Gjatë këtyre sulmeve, një himariot i quajtur Damian hyri në kampin perandorak për të vrarë sulltanin, por nuk ia arriti qëllimit, sepse u kap nga rojet. Gjersa iu pre kryet, Damiani u qëndroi torturave dhe nuk u tregoi armiqve pozitat e bashkëluftëtarëve. Sukseset e kryengritësve shqiptarë të korrura në këto luftime të pabarabarta, i dhanë kohë mbretit të Napolit për të organizuar mbrojtjen e vendit nga inkursionet e flotës osmane. Nga ana tjetër, ato e detyruan sulltanin të ndërpriste sulmet në bregdetin perëndimor dhe të hiqte dorë nga zbarkimi në Pulje. Kontributi i madh i shqiptarëve për mbrojtjen e Italisë prej një shkatërrimi të mundshëm osman, pasqyrohet qartë në dëshmitë e një relatori bashkëkohës, i cili shkruante: “Kur çdo gjë ... ishte gati për të kaluar në Pulje, ... shqiptarët, kryesisht himariotët, u shkaktuan ushtarëve të sulltanit pengesa e trazira të mëdha... Këta ... u bënë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja, dhe ajo mbretëri (e Napolit) nga një rrënim i madh dhe nga zjarri që u rrinin mbi kokë”. Me këtë rast sulltani, me qëllim që të forconte sundimin e vet në krahinat e bregdetit shqiptar, vendosi të pushtonte ishullin e Korfuzit, që ishte nën pushtetin venedikas. Edhe për pushtimin e Korfuzit shqiptarët u shkaktuan trupave të sulltanit pengesa të mëdha. Për një muaj të tërë ata nuk i lejuan forcat osmane të kalonin nga Vlora gjatë bregdetit të Himarës. Këto forca u detyruan të ndërronin drejtim dhe të ndiqnin rrugën Tepelenë-Gjirokastër-Delvinë gjersa dolën në bregdet përballë ishullit të Korfuzit. Kampi perandorak u vendos në Butrint. Lufta e kryengritësve labë u dha mundësi venedikasve të përforconin ndërkohë mbrojtjen e ishullit, prandaj edhe sulmi osman kundër Korfuzit dështoi. Megjithëkëtë, sulltani nuk u largua pa bërë edhe një përpjekje për të nënshtruar krahinën kryengritëse të Kurveleshit. Për këtë qëllim ai urdhëroi të ndërtohej kështjella e Cerjes (në Mesaplik). Por në shtator, duke hequr dorë nga pushtimet e ëndërruara drejt Italisë dhe pa arritur ta nënshtronte plotësisht Labërinë, pasi i vuri zjarrin Butrintit, sulltani u largua nga bregdeti jugor shqiptar për në Stamboll. Ndërkohë qeveritarët lokalë, me ndihmën e forcave të pushtetit qendror, më së fundi arritën t’i nënshtronin, qoftë dhe përkohësisht, krahinat kryengritëse të Kurveleshit dhe të Himarës, por duke u njohur privilegjin e vetëqeverisjes.

Kryengritjet antiosmane në gjysmën e dytë të shek. XVI

Redakto

Në një kohë me nënshtrimin e krahinës së Labërisë në jug, qeveritarët osmanë i shtuan përpjekjet për të forcuar pozitat e tyre edhe në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, në krahinat fushore si edhe në ato malore të vetëqeverisura. Duke i nisur sulmet e tyre nga kështjellat e Shkodrës, e Podgoricës, e Zhabjakut, e Medunit, e Plavës dhe nga qytezat gjatë rrugës Shkodër-Prizren, spahinjtë u përpoqën të depërtonin e të vendoseshin në çdo krahinë të kësaj treve. Malësorët dhe fshatarësia fushore iu përgjigjën këtyre sulmeve me një qëndresë të armatosur, e cila gjatë dhjetëvjeçarit 1560-1571 u shndërrua në një kryengritje të gjerë që përfshiu shumë krahina të Shqipërisë Veriore e të Mesme si dhe krahinën e Labërisë. Në mënyrë të veçantë kryengritja u përhap në Malësinë e Madhe, në zonën e Dukagjinit, të Dibrës, të Kurbinit dhe në krahinat fushore të Shkodrës, Lezhës, Mysjes, Ishmit etj. Në muajt shkurt-prill 1560, më shumë se 500 fshatarë nga Reçi, Dardha e nga fshatra të tjerë të Lurës e të Dibrës së Poshtme, ngritën krye, vranë spahinjtë dhe u dogjën shtëpitë. Sulltani dërgoi Çaush Koçiun, njohës shumë i mirë i terrenit dhe ngarkoi për të shtypur kryengritjen forcat e sanxhakbejlerëve të Ohrit, Elbasanit e të Dukagjinit. Kryengritësit nuk mundën t’u bënin ballë ushtrive osmane. Pesë vjet më vonë flaka kryengritëse u përhap në nahijen e Pukës dhe në zonën midis liqenit të Ohrit e bregdetit, deri në krahinën e Mysjes. Rrugët u prenë ndërsa kryengritësit sulmuan kështjellat. Ashpërsia e Stambollit për shtypjen e kësaj kryengritjeje duket në urdhrin e sulltanit, ku thuhej: “të pabindurit t’i shkoni në shpatë, fëmijët dhe gratë e tyre t’i bëni robër, kurse pasuritë dhe plaçkat t’ua grabitni”. Për shtypjen e kryengritjes, u mobilizuan forcat ushtarake të sanxhakbejlerëve të Ohrit, të Elbasanit dhe të Dukagjinit, por as këto forca të bashkuara, nuk arritën ta mposhtnin atë. Madje, gjendja u ashpërsua më tepër dhe kryengritja pak nga pak u përhap në të gjitha tokat e sanxhakëve të Ohrit, të Dukagjinit dhe të Shkodrës. Në shkurt të vitit 1565 u ngritën përsëri malësorët e krahinave të Pukës, Iballës, Spasit, Mirditës dhe të Lumës. Vatra të rëndësishme të luftës u bënë sidomos fshatrat Riba, Rapi, Dushi, Kullumbria, Fandi i Vogël, Mirdita e Madhe dhe e Vogël, Qerreti i Sipërm e i Poshtëm, Ujmishti, Syroj etj. Kryengritësit prenë rrugën Shkodër-Prizren dhe i shtrinë sulmet e tyre në viset fushore. Ndërkohë kryengritja u përhap edhe në krahinat malore të Kelmendit, Kuçit, Pipërit si dhe në fshatrat e rrethinës së Shkodrës, si në Kakariq, Balldren, Trush i Sipërm dhe i Poshtëm, Reç, Obod, Shënkoll, Shas etj. Kryengritësit dëbuan përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe kundërshtuan t’i bindeshin legjislacionit osman. Krerët e tyre kishin zënë tani vendet e kadilerëve dhe të subashëve. Kundër kryengritësve u hodhën forcat ushtarake të bashkuara të sanxhakbejlerëve të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Shkodrës, por edhe këto nuk arritën ta përmbushnin urdhrin e sulltanit “për t’u dhënë fund një herë e mirë trazirave në Shqipëri”. Kryengritjet vazhduan edhe pas vitit 1565, kur u bënë më të përgjithshme, meqenëse u shtrinë edhe në Shqipërinë Jugore. Dy vjet më vonë (më 1567) ngritën krye përsëri malësorët e Labërisë. Forcat ushtarake të sanxhakbejlerëve të Vlorës dhe të Janinës hynë në thellësi të krahinës, ku ndëshkuan disa fshatra, duke i plaçkitur e djegur, por lëvizjen nuk mundën ta shuanin. Kryengritësit u hakmorën menjëherë, siç thuhet në një dokument bashkëkohës, “duke sulmuar lëmin e luftës të sanxhakbeut të Janinës, të cilin e thyen, e vunë në ikje, e plaçkitën dhe vranë më shumë se 800 turq”. Në nëntor të vitit 1568, banorët e disa fshatrave të sanxhakëve të Dukagjinit dhe të Ohrit, veçanërisht ata të krahinave të Dibrës së Poshtme, Lumës, Mirditës, Mysjes u hodhën përsëri në kryengritje, vranë përfaqësuesit e pushtetit osman dhe refuzuan të paguanin xhizjen. Gjendja në vend nuk ishte qetësuar aspak. Pushteti osman në një varg krahinash u përmbys dhe kryengritjet vazhduan të shpërthenin dhe në vitin 1570, kur me krijimin e një gjendjeje të jashtme ndërkombëtare të favorshme, arritën kulmin e zhvillimit të tyre. Në gjysmën e dytë të shek. XVI Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë së vet. Epërsia e saj ushtarake qëndronte jo vetëm në forcat tokësore, por edhe në fuqinë e madhe detare, me të cilën rrezikonte ishujt e deteve Egje e Jon, që ishin kryesisht nën sundimin e Republikës së Venedikut. Më 1570 një flotë e madhe osmane sulmoi ishullin e Qipros. Hyrja në veprim e kësaj fuqie të rëndësishme detare shqetësoi Venedikun dhe shtetet e tjera mesdhetare evropiane. Si rrjedhim, u formua një koalicion nga shtetet pjesëmarrëse kundër Perandorisë Osmane. Spanja, Papati e Venediku ishin më të interesuar në shpërthimin e kryengritjeve shqiptare, me të cilat synonin t’i gozhdonin osmanët në Shqipëri. Venediku kërkonte të mbronte me anë të kryengritjeve zotërimet e veta të Ulqinit e të Tivarit si dhe ishullin e Korfuzit. Pranë krerëve kryengritës u dërgua si përfaqësues i koalicionit princi roman Prosper Kolana. Krerët e lëvizjes kryengritëse shqiptare u vunë menjëherë në lidhje me koalicionin e shteteve evropiane, duke shpresuar të gjenin te ky koalicion një aleat të jashtëm, që do t’i ndihmonte për ta hequr qafe zgjedhën osmane. Prandaj me shpërthimin e luftës midis Perandorisë Osmane dhe koalicionit të shteteve evropiane, lëvizja kryengritëse shqiptare, që nuk ishte ndërprerë, mori hov më të madh dhe karakteri i saj çlirimtar doli në plan të parë. Lëvizja mori një hov të tillë sidomos në krahinat e sanxhakëve të Shkodrës e të Dukagjinit. Përveç malësorëve u hodhën në luftë edhe banorët e rrethinës së Shkodrës, të cilët kishin vendosur lidhje me garnizonet e fortesave të Tivarit dhe të Ulqinit. Në shkurt të vitit 1570, 7 000 deri 8 000 kryengritës shqiptarë, të bashkuar me forcat e këtyre garnizoneve, sulmuan për tri ditë rresht qytetin e Lezhës, por nuk arritën ta çlironin. Pasi u bashkuan me malësorët dukagjinas, ata çliruan Ishullin e Lezhës. Ndërkohë ngritën krye edhe banorët e Mysjes, të Kurbinit e të Krujës, të cilët i shtrinë sulmet deri në kështjellën e Lezhës. Pas çlirimit të Ishullit të Lezhës, forcat e kryengritësve në bashkëveprim me forcat venedikase iu drejtuan Shkodrës dhe sulmuan qytetin. Mbrojtësve të Shkodrës u erdhi në ndihmë ushtria e ejaletit të Rumelisë, ndaj sulmi nuk pati sukses. I alarmuar nga përpjesëtimet e mëdha që mori kryengritja, pushteti qendror osman dërgoi forca të mëdha ushtarake dhe mundi ta kufizonte atë vetëm në viset malore. Ndërkohë vazhduan luftimet veneto-osmane në bregdetin shqiptar e dalmat. Në qershor të vitit 1570 flota e Venedikut u përpoq të pushtonte Durrësin, por garnizoni osman mundi ta përballonte sulmin. Pas kësaj flota mori rrugën drejt bregdetit të Himarës, ku banorët prej kohësh ishin hedhur në kryengritje. Në bashkëpunim me stratiotët që erdhën me anije, himariotët shtinë në dorë kështjellën e Sopotit dhe çliruan të gjithë krahinën e Himarës. Por edhe kjo fitore nuk zgjati shumë. Forcat e sanxhakbejlerëve të Vlorës dhe të Delvinës, të përkrahura nga trupa të shumta jeniçere, që erdhën me flotën osmane, e shtypën kryengritjen dhe vendosën përsëri pushtetin e tyre. Pastaj flota osmane kaloi në ujërat e Ulqinit për të bashkëvepruar me forcat ushtarake që vepruan kundër kryengritësve në sanxhakët e Shkodrës e të Dukagjinit. Pasi ishin çliruar tashmë nga pesha e madhe e kryengritjes së Veriut, forcat osmane rrethuan garnizonin venedikas të Ulqinit që qëndroi gjatë dhe u dorëzua vetëm në gusht të vitit 1571. Sanxhakbeu fitimtar e la të lirë garnizonin venedikas të shkonte në Raguzë, kurse popullsinë vendase shqiptare e ndëshkoi me egërsi të madhe. Një pjesë të qytetarëve i kaloi në shpatë, kurse pjesën tjetër, sidomos gratë e fëmijët, i mori me vete si skllevër. Pak më vonë forcat e sanxhakbeut të Shkodrës rrethuan Tivarin, mirëpo garnizoni venedikas e dorëzoi qytetin pa luftë. Kështu kaluan edhe pjesët e fundit të truallit shqiptar nën zgjedhën osmane. Në tetor të vitit 1571, flota e koalicionit të shteteve evropiane e shpartalloi flotën osmane në gjirin e Korintit, në afërsi të Lepantit. Por kjo fitore e madhe nuk u shfrytëzua, sepse kontradiktat që lindën midis pjesëmarrësve të koalicionit çuan shpejt në prishjen e tij. Republika e Venedikut, duke mos pasur më frikë nga epërsia osmane në det, u shkëput nga aleanca dhe lidhi paqe me Stambollin (1573). Shpresat që kishin shqiptarët për të gjetur te Venediku një aleat të jashtëm, që do t’i ndihmonte në mënyrë aktive në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, morën fund kur venedikasit lidhën marrëveshje me osmanët dhe i braktisën kryengritësit në fatin e tyre. Nën presionin e forcave të mëdha ushtarake të sundimtarëve osmanë, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin nga Ishulli i Lezhës për t’u mbrojtur në malet e tyre (1574). Me ekspeditat e shpeshta ushtarake që ndërmorën më vonë, sundimtarët osmanë arritën të përforconin pushtetin e tyre të lëkundur dhe më së fundi të futnin spahinjtë në të gjitha krahinat malore të sanxhakut të Shkodrës dhe të Dukagjinit. Depërtimi i spahinjve në këto malësi ishte i përkohshën. Lëvizjet kryengritëse nuk pushuan edhe gjatë viteve 80-90 të shek. XVI. Ato u shtrinë në krahinat e Kuçit e të Kelmendit, Piprit, në sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit. Me 1586 qindra kryengritës kishin zënë Grykën e Kaçanikut, pasi kishin vrarë kadiun së bashku me familjen e tij. Përpjekja për të vjelë xhizjen në krahinën e Matit (1590) u bë shkak për kryengritjen në krahinat e Ohrit, të Dibrës e të Tetovës. Këtu, sipas burimeve bashkëkohore, vepronin 10 000 kryengritës shqiptarë. Megjithatë kryengritjet dështuan. Për shtypjen e tyre u përdorën një sërë masash: forcat e armatosura dhe dhuna, ndërtimi i kështjellave të reja dhe vendosja e garnizoneve ushtarake, copëtimi i sanxhakëve të mëdhenj në më të vegjël, shpërngulja me forcë e kryengritësve nga zonat malore në ato fushore, kundërvënia e qytetarëve kundër fshatarëve, duke i falur nga disa taksa shtetërore, vrasjet, djegiet deri në marrjen rob të grave e të fëmijëve. Si përfundim i një vargu ekspeditash ushtarake, spahinjtë u vendosën edhe në krahinat malore të sanxhakut të Shkodrës dhe atij të Dukagjinit. Fitorja e Lepantit u tregoi shteteve të ndryshme të Evropës se ushtria osmane nuk ishte “e pamposhtur”. Prandaj Fuqitë e Mëdha evropiane projektuan organizimin e ekspeditave të tjera ushtarake kundër Perandorisë Osmane, në të cilat një rëndësi të posaçme do të kishin edhe kryengritjet në Shqipëri. Spanja, Papati dhe pak më vonë Austria, u orvatën të vendosnin lidhje me kryengritësit shqiptarë, ato dërguan në Shqipëri misionarë të huaj dhe shqiptarë, me anën e të cilëve përpiqeshin të afroheshin me krerët shqiptarë. Interesimi i këtyre shteteve gjeti një pritje të mirë në Shqipëri. Krerët e krahinave të ndryshme e shfrytëzuan rastin për të kërkuar nga shtetet e huaja ndihmë në armë e në mjete të tjera lufte, duke shpresuar, njëkohësisht, se do të gjenin tek ata aleatë në luftën e përbashkët kundër osmanëve. Më 1577 dhe 1581 himariotët i kërkuan papës t’u jepte ndihmë në të holla për të blerë armë kundër osmanëve. Si Papati, ashtu dhe Spanja e Austria, zakonisht u përgjigjeshin shqiptarëve me premtime dhe këshilla që të prisnin “kohë më të mira” për të filluar luftën kundër sundimtarëve osmanë. Ndryshe nga këto, Republika e Venedikut mbajti një qëndrim të hapur armiqësor ndaj kryengritjeve shqiptare. Pas paqes që lidhi me turqit më 1573, ajo nuk kishte më interes t’i prishte marrëdhëniet me Perandorinë Osmane. Me shkatërrimin e flotës osmane në Lepant, kjo nuk e kërcënonte më epërsinë e Venedikut në det. Senati venedikas i trembej më tepër fuqisë së madhe detare të Spanjës dhe sidomos kalimit të saj në bregdetin shqiptar e ballkanik. Për t’i dalë para këtij rreziku, ai u përpoq që të asgjësonte çdo lidhje të shqiptarëve me Spanjën, duke mbytur që në lindje çdo kryengritje të tyre. Përveç disa krerëve dhe prelatëve që ishin nën ndikimin e tij, senati përdori çdo mjet që nga korruptimi me të holla e deri në komplotet e armatosura për të bërë që shqiptarët jo vetëm të mos fitonin lirinë me ndihmën e ndonjë shteti tjetër, por të bëheshin në një të ardhme shtetasit e tij. “Venedikasit, shkruante Gjergj Vlladenji, një personalitet shqiptar i njohur i shek. XVII, meqenëse pretendojnë të bëhen një ditë zotër të Shqipërisë, nuk lejojnë të çlirohet ky vend nga duart e të tjerëve, madje kur u bie në vesh ndonjë marrëveshje e tillë, ua zbulojnë vetë turqve, siç vepruan në vitet e kaluara kur qe fjala për të shtënë në dorë Shkodrën”. Një qëndrim të tillë mbajti Republika për gati 70 vjet (1573-1644). Edhe shtetet e tjera evropiane, të interesuara për shpërthimin e kryengritjeve në Shqipëri, u përpoqën t’i përdornin këto në interes të planeve të tyre luftarake. Kur përgatiteshin të hynin në luftë kundër Perandorisë Osmane, ato u premtonin kryengritësve shqiptarë ndihma dhe i nxitnin të intensifikonin luftën. Por, kur lidhnin paqe me të, i linin pa ndihma dhe të vetëm përballë ekspeditave ndëshkimore osmane. Nga ana tjetër, secila fuqi evropiane, në rivalitet me të tjerat, duke dashur t’i lidhte krerët shqiptarë pas politikës së vet, shkaktonte me anën e premtimeve dhe mjeteve propagandistike që përdorte, përçarjen e forcave të kryengritësve vendas. Si rrjedhim, në fund të shek. XVI, krerët himariotë dhe një pjesë e atyre të Shqipërisë së Veriut e të Mesme me peshkopin e Stefaniskës (Shqipëria e Mesme) në krye, Nikollë Mekajshin, anonin nga Papati dhe Spanja. Të tjerë krerë të veriut nëpërmjet peshkopit të Zadrimës, Nikollë Bardhit, mbanin anën e Venedikut. Nga mbarimi i shek. XVI disa krerë të veriut dhe personalitete të Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit, të Prizrenit, filluan të orientoheshin edhe nga Austria. Ndërsa kryepeshkopët e Ohrit, në jug të vendit, anonin nga Moska. Në këto rrethana nuk u realizua detyra e rëndësishme, nuk u ndihmua lufta e popujve të Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë e popullit shqiptar për t’u çliruar nga sundimi osman. Përmbushja e këtij objektivi, siç vinin në dukje shpeshherë përfaqësuesit e kryengritësve shqiptarë, ishte edhe në interes të popujve dhe shteteve të Evropës. Kryengritjet e armatosura të shek. XVI dështuan. Ato nuk u zhvilluan në të njëjtën kohë, në mënyrë të organizuar dhe nuk ia dolën të shkriheshin në një kryengritje të vetme. Pushteti osman ndoqi politikën “përça e sundo”. Krerët shqiptarë civilë e klerikë nuk kishin një unitet mendimi sidomos për zgjedhjen e aleatit të jashtëm. Së fundi, mungoi edhe ndihma konkrete nga jashtë.

Lidhjet jashtme

Redakto

Referimet

Redakto