László Veszprémy profesor hungarez, është diplomuar në Shkencën e Historisë në vitin 1982 me fushë specializimi shkrimet latine dhe një vit më vonë ka filluar punë si profesor në universitet. Në vitin 1995 ka fituar titullin doktor i shkencave dhe u pranua kandidat në Akademinë e Shkencave të Hungarisë. Që prej vitit 2009 prof.Veszprémy është doktor i Akademisë të Shkencave Hungareze. Në karrierën e tij të gjatë prej 35 vitesh ai ka shërbyer në disa institucione. Fillimisht në Bibliotekën Kombëtare të Hungarisë si organizator shkencor dhe më pas për gati një dekadë ka qenë bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Historisë Ushtarake, duke mbajtur paralelisht edhe mësimdhënien universitare në departamentin e Historisë së Mesjetës së Hershme të Hungarisë, pastaj ka qenë drejtor i Bibliotekës së Historisë Ushtarake, si dhe kërkues shkencor në departamentin e Studimeve Mesjetare të Universitetit të Evropës Qendrore, ku janë formuar dhe një pjesë e studiuesve shqiptarë, sidomos të gjeneratave më të reja. Ka punuar si drejtor i Bibliotekës dhe Kartografisë ushtarake, drejtor i Institutit të Historisë Ushtarake etj. Këto janë vetëm disa prej detyrave që ka kryer ndër vite László Veszprémy, fusha dominuese e kërkimit të profesorit është historia e kulturës në mesjetë, paleografia dhe historia e shkrimeve latine.