Leksiku i kulturës popullore shqiptare (Robert Elsie)
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Leksiku i kulturës popullore shqiptare. Besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore. Autori: Robert Elsie. Shqipëroi: Abdurrahim Myftiu. Shtëpia botuese: Skanderbeg Books. Viti i botimit 2005, Tirana. Faqet e librit 282. ISBN 99943-683-4-6
Parathënie
Sipas dokumenteve historike, shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Evropën juglindore që prej rreth një mijë vjetësh, por rrënjët e tyre zbresin shumë më thellë në mjegullat e lashtësisë. Në fillim, një bashkësi e vogël baritore në hapësirat më të thella të Ballkanit, shqiptarët u shtuan në numër dhe përhapën ngulimet e tyre në mbarë trevat jugperëndimore të gadishullit. Me kalimin e kohës, si dhe me gjallërinë e këmbënguljen që i kanë në gjak, e me shumë fat, ata erdhën e zunë vendin që kanë sot në radhën e shteteve kombëtare të Evropës.
Mirëpo, edhe sot, në të hyrë të shekullit XXI, termi 'shtet kombëtar në Evropë' nuk është krejtësisht i përshtatshëm për shqiptarët. Jeta e tyre dhe kultura e tyre janë ato të një vendi në zhvillim, të një vendi të Botës së Tretë që lufton për të mbijetuar në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Në pikëpamje materiale, ata kanë qenë të privuar nga gjithçka përveç gjërave më të domosdoshme për të mbajtur frymën gjallë. Madje, zhvillimi historik, politik, ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve ka qenë aq i mundimshëm sa që ata që i njohin mirë nuk mund të mos mahniten se si kanë arritur të mbijetojnë si popull.
Vetëm në një kuptim kanë qenë të pasur shqiptarët. Kultura popullore tradicionale e tyre, e cila ka ardhur e është zhvilluar gjatë shekujve në kushtet e një veçimi relativ, paraqet një begati befasuese elementesh. Megjithatë, kjo kulturë, pa dijen e së cilës Ballkani kurrsesi nuk ka si të kuptohet, ka mbetur pak e njohur për botën Perëndimore, madje edhe ndër antropologët dhe etnografët që merren posaçërisht me Ballkanin. Punimi që po paraqesim këtu synon ta mbushë këtë zbraztësi, sado në mënyrë modeste.
Thelbi i këtij Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare janë besimet. Ai në masë të madhe përqendrohet në figurat e mitologjisë shqiptare, të besimeve fetare, të bashkësive, urdhrave dhe sekteve fetare që kanë qenë të pranishme në Shqipëri, të shenjtëve e shenjtorëve, burra e gra, që kanë luajtur rol në besimet e shqiptarëve, të vendeve të shenjta e objekteve të kultit, të festave kalendarike, të ritualeve e të bestytnive popullore. Të lidhura ngushtë me botën e besimeve e të bestytnive janë ato që, në një kuptim të përgjithshëm, mund të cilësohen si doke e zakone popullore. Edhe këtyre u është dhënë vend i bollshëm, sikundër u është dhënë edhe një numri zërash kushtuar disa veçorive me lidhje anësore me të parat - veçori të larmishme, si doket e lidhura me lindjen, martesën dhe varrimet e të vdekurve, doket gjinore, gjakmarrja e institucionet e të drejtës dokesore shqiptare. Shumë aspekte të kulturës popullore të palidhura me besimet, doket e zakonet, sikundër janë muzika popullore, arti dhe kultura materiale nuk janë përfshirë. Megjithatë, në një libër të tillë është e vështirë të përcaktohen kufijt e saktë se çfarë përbën kulturë popullore e çfarë nuk përbën. Rruga e ndjekur brenda këtij kuadri të përgjithshëm ka qenë më fort eklektike se e ndarjes së prerë të kufijve.
Ky Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare paraqet dhe jep për herë të parë në gjuhën angleze një gamë të gjerë informacioni të panjohur ose pak të njohur në Perëndim. Madje një pjesë të mirë të këtij informacioni e kanë humbur edhe vetë shqiptarët e sotëm. Në këto rrethana, ky fjalor mund të shërbejë si bazë të dhënash për lexuesit dhe studiuesit e një numri fushash. Aty ku ka qenë e mundur, në ndihmë të atyre që duan të thellohen më tej, janë paraqitur të dhëna bibliografike të hollësishme.
Kultura popullore shqiptare ndodhet sot në një gjendje interesante. Nga njëra anë, sikundër u tha më sipër, ajo është dhe paraqitet jashtëzakonisht e begatë, sidomos duke pasur parasysh se për dhjetëvjeçarë, madje për shekuj me radhë, shqiptarët kanë jetuar të veçuar nga pjesa tjetër e Evropës. Kultura tradicionale e tyre, me shumë elemente e besime që ndofta nuk hasen gjetiu, vazhdon të mbetet një minierë ari për antropologët dhe etnografët. Në disa kuptime, Shqipëria është një muze i gjallë i së kaluarës. Në malet e veriut, për shembull, ende vihen re mbeturina të dukshme të një kulture e shoqërie fisnore, e cila ka ruajtur vlera të forta patriarkale e madje shumë nga prirjet epike të së kaluarës.
Nga ana tjetër, kultura popullore në Shqipëri është sot, për fat të keq, jashtëzakonisht e varfër, e varfëruar në mënyrë të ndërgjegjshme gjatë një gjysëm shekulli diktature staliniste. Regjimi komunist që sundoi në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë së kohës (1944-1990) u përpoq me të gjitha mënyrat për të krijuar "njeriun e ri socialist", duke shkatërruar gjithçka para tij. Nën sundimin e Enver Hoxhës (1908-1985), të gjitha besimet dhe zakonet paramarksiste mendoheshin se binin në kundërshtim dhe vinin në rrezik ndërtimin e socializmit dhe pushtetin e Partisë e, për rrjedhojë, të paktën në pjesën më të madhe, u fshinë nga mendjet, zemrat dhe shpirti i shqiptarëve. Si pasojë e drejtpërdrejtë e diktaturës staliniste, të paktë janë sot në Shqipëri ata individë që dijnë diçka për traditat e tyre popullore, për shembull për mitologjinë shqiptare ose për fenë dhe besimet popullore. Mirëpo, një pjesë e mirë e asaj çka ka humbur në Shqipëri fatmirësisht është ruajtur në kulturat më tradicionale të bashkësive shqiptare në Kosovë e në Maqedoninë perëndimore. Disa elemente arkaike gjithashtu janë ruajtur gjatë shekujve në ngulimet e vjetra shqiptare të Italisë jugore e të Greqisë.
Sidoqoftë, është koha që kjo kulturë popullore tradicionale të studiohet me imtësi para se të ikë e të zhduket përgjithmonë. Disa arritje janë shënuar ndër vite nga studiues shqiptarë vendës, të cilët kanë regjistruar, dokumentuar, kataloguar e botuar vepra të rëndësishme, sidomos në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Institutin e Kulturës Popullore të Tiranës. Po ende mbetet shumë për të bërë. Nëse ky vëllim jep ndihmesë për të zgjuar interesime për këtë fushë ose për kulturën shqiptare në përgjithësi, atëherë mund të thuhet se synimi kryesor është arritur.
Më mbetet të shpreh falënderimin tim për shumë veta, që nga studiuesit dhe specialistët deri te blegtorët e bujqit, që kanë dhënë ndihmesën e tyre me dijet, mendimet, kohën dhe interesimin e shfaqur për këtë projekt. Për ndihmën e një natyre më konkrete do të përmendja në veçanti Heinz Bothien-in (Frauenfeld), Bardhyl Demirajn (Mynih), Arthur Liolin-in (Boston), Abdurrahim Myftiun (Tiranë), Joan Pelushin (Korçë) dhe Frances Trix-in (Ann Arbor).
Shestimi i këtij libri nisi në muajt e parë të vitit 1998, në një kohë kur revoltat e vitit 1997 i kishin shkatërruar tashmë strukturat e shoqërisë e të kulturës popullore në Shqipëri, duke shkaktuar, ndër të tjera, një eksod tjetër masiv të fiseve malësore drejt vendbanimeve qytetëse pranë brigjeve të detit. Ishte gjithashtu koha kur hegjemonia e huaj, me strategjinë e saj të mbrapshtë të spastrimit etnik dhe urrejtjes së verbër, po orvatej të fshinte e të zhdukte kulturën shekullore, po ende të brishtë, të shqiptarëve të Kosovës, një kohë kur gjenocidi në Ballkan përsëri po ngrinte kokën e vet të shëmtuar.
Për shqiptarët, vështirësitë dhe privacionet gjithmonë kanë qenë pjesë e jetës. Mbetet të shpresojmë që populli i shumëvuajtur i Kosovës e i Shqipërisë të rimëkëmbet dhe, me energjinë dhe vrullin e vet tradicional, të kapërcejë vështirësitë e papërshkrueshme të kohës së sotme.
Robert Elsie
shkurt 2000