Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”
Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K” Studim monografik dhe dokumente, me Autor Prof. dr. Shaban Sinani. Shtëpia botuese: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare. Redaktor Naim Zoto. Recensues: Blerina Suta, Eldon Gjikaj. Nr. i faqeve: 472 faqe. Viti i botimit: 2011. ISBN 978-9928-109-09-5
Botimi i ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “dossier K”, nën siglën e e shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ka shumë ndryshime prej të parit dhe prej botimit në gjuhën frënge. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Paraqitja e dokumenteve bëhet sipas kronologjisë. Paraqitja e dokumenteve metodologjikisht është bërë njësoj: në fillim një argument i mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen, duke përdorur leksikun e hartuesve të tyre (në ligjëratë të drejtë, në shkallën që ishte e mundshme); në vijim fjalët dhe shprehjet kyçe, për t’u dhënë lehtësi studiuesve të njehsojnë interesat e tyre; dokumentet vetë me titujt që mbajnë në burim dhe me tipologjinë që kanë shenjuar nënshkruesit (recension, relacion, letër, ekspertizë), si dhe me të dhëna për persona historikë. Në fund gjenden: signatura (treguesit arkivistikë që mundësojnë rikërkimin); shenjimet e plota të nëpunësve, funksionarëve dhe të lidershipit politik; të dhëna të tjera prej shërbimit arkivistik në zyrën fondkrijuese.