Mali i Shëndëllisë
Shëndëllia është mal në rrethin e Tepelenës, në fillim të vargmalit Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto me kuotën më të lartë 1802 m. Kufizohet nga perëndimi me luginën e Vjosës, ndërsa nga lindja lugina e përroit të Mezhgoranit dhe atij të Maricajt e ndajnë nga mali i Trebeshinës. Shtrihet nga lugina e lumit të Luftinjës në veri e deri te gryka e Këlcyrës në jug me gjatësi rreth 10-12 km. Kurrizi i malit është i sheshtë, me rënie graduale në drejtim të veriut dhe i përpunuar kryesisht nga dukuritë karstike. Në këmbët e shpatit perëndimor të Shëndëllisë janë vendosur qendrat e banuara (Dragoti, Damësi, Kashishti, Beçishti etj ).