Maligradi
Maligradi është ishull i vogël i pabanuar në liqenin e Prespës së Madhe, ku në shek.XIV është ngritur një kishë brenda një guve shkëmbore. Është e përmendur për ansamblin me piktura bizantine të stilit paleolog. Piktura në fasadë e veçanërisht portreti monumental, i vendosur përballë rindërtuesit të kishës, princit Çezar Novak të plakur, shënon një nga arritjet më të larta të pikturës bizantine të kohës. Ansambli dëshmon për gjallërimin e jetës artistike të feudalëve të vegjël pas vdekjes së car Stefan Dushanit (viti 1355) në kohën e principatave të pavarura shqiptare.