Manuela Murthi (Tafaj) aktualisht Këshilltare e Presidentit të Shqipërisë për Çështjet e Integrimit Evropian, vjen në këtë detyrë pasi ka mbajtur detyrën si Këshilltare e Ministrit të Brendshëm për Çështjet e Integrimit Evropian përgjatë periudhës gusht 2011 – korrik 2012 si dhe Drejtore e Përgjithshme e Integrimit dhe Shërbimeve Mbështetëse pranë Ministrisë së Drejtësisë përgjatë periudhës shkurt 2010 – gusht 2011.

Ka kontribuar në drejtimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme në fushën e zhvillimit social – ekonomik. Në vitet 2005 – 2008 ajo drejtoi projekte të financuara nga USAID-i dhe të zbatuar nga John Snow Inc, The Manoff Group Inc., Kryqi i Kuq Amerikan, Akademia Amerikane për Edukim dhe Zhvillim (AED), etj.

E diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë, Murthi mban sot titullin e nivelit “Master of Arts” nga “Institute of Social Studies” në Den Hague, Holandë, studime të ndjekura në periudhën shtator 2003 – dhjetor 2004. Këtë titull e mori pas studimeve pasuniversitare të Programit në fushën “Popullsi dhe Zhvillim”, tetor 1997 – korrik 1998 në Kajro.

Karriera e saj akademike shoqërohet nga trajnime të tjera profesionale të kryera nga Institucione / Organizma ndërkombëtarë kryesisht jashtë vendit si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë dhe Azi. Në dhjetë vitet fundit, Manuela Murthi ka dhënë konsulenca profesionale lokale dhe ndërkombëtare në fushën e Zhvillimit të Popullsisë, të realizuara në funksion të Organizmave Kombëtare dhe Ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, USAID, World Bank, UNDP, Swiss Cooperation.

Veprimtaria e saj profesionale ngërthen edhe pjesëmarrje në konferenca, aktivitete shkencore ndërkombëtare si dhe artikuj të ndryshëm në lëmin e Demografisë dhe Zhvillimit të Popullsisë. Zonja Murthi (Tafaj) lindi në Tiranë në vitin 1964.