Marenglen Spiro
Marenglen Spiro ka lindur në Tiranë në vitin 1949. Ka marrë titullin Fizikan në Unversitetin e Tiranës në vitin 1972. Menjëherë është emëruar pedagog i fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka mbrojtur gradën "Doktor i Shkencave" në Universitetin "Pjer dhe Mari Kyri", Paris VI, Francë, në fushën e biofizikës. Në vitet 1987 - 1991 ka qenë këshilltar i bashkëpunimit arsimor e shkencor me Francën pranë Ambasadës Shqiptare Paris. Po në të njëjtën periudhë ka qenë anëtar i Komisionit të Bashkëpunimit Shqiptaro-Francez të Kulturës, Arsimit e Shkencës dhe anëtar i Komisionit Shqiptar të UNESCO-s.
Nga viti 1991 deri në ’94-ën, ishte punonjës shkencor i Institutit "Kyri", Paris, Laboratori i Fizikës e Kimisë Biomolekulare dhe Profesor në Shkollën e Lartë e Fizikës e Matematikës Industriale të Universitetit Cergy-Pontoise, Paris, Francë. Një vit më vonë titullohet Profesor i Universitetit të Tiranës. Në vitin 1997 bëhet Rektor i Universitetit të Tiranës deri në vitin 2003; në periudhën 2007 / 2011 ka drejtuar Universitetin "Kristal" si Rektor i tij. Ndërkohë ai është edhe profesor i Ftuar i Universitetit të Limozhit, Francë (1996 - 2004).
Detyra të tij të tjera kanë qenë: Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH, 1998-2003; i Ftuar i Përhershëm i Komitetit Ndër-Ministror të Integrimit Euro-Atlantik 2000-2002; Anëtar i Komitetit Ad-Hoc për reformimin e Kërkimit Shkencor pranë MASH, 2002-2003; Anetar i Bordit të Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut; Anëtar i Komisionit Kombëtar të Frankofonisë. Prof Dr Marenglen Spiro është mbajtës i Medaljes Franceze "Chevalier des Palmes Académiques". Është autor dhe bashkautor në rreth 80 artikuj shkencorë në shtypin shkencor, të huaj e të vendit dhe komunikime në kongrese shkencore. Është gjithashtu autor i rreth 30 kumtesave shkencore dhe për arsimin e lartë dhe autor e bashkautor në 10 tekste universitare e monografi shkencore.