Marin Barleti (bibliotekë)
Biblioteka e qytetit të Shkodrës është ngritur në vitin 1931, është biblioteka publike më e vjetër e Shqipërisë, e ngritur nën kujdesin e bashkisë së atëhershme dhe të shoqërive kulturore që ekzistonin në atë kohë. Në ngritjen e saj kanë ndihmuar edhe studentët shkodranë, të cilët studionin jashtë vendit. Ata ndërmorën një fushatë për të mbledhur libra e për t’i sjellë në qytetin e Shkodrës. Biblioteka “Marin Barleti” në vite të ndryshme është zhvendosur në disa banesa. Kështu, fillimisht ka qenë mes Shkodrës dhe “Milet Baçesë”, apo siç e quajnë shkodranët, “Lulishtja popullore”, për t’u zhvendosur në disa godina të tjera, si në atë të Muzeut Historik, Kullës së Sahatit, në një ndërtesë të vjetër të bashkisë…, deri në vitin 1968 kur u vendos në ambientet aktuale.
Biblioteka “Marin Barleti” ka një fond të pasur ku përfshihen, jo vetëm libra në gjuhën shqipe, por edhe të huaja, që prej gjuhës kaldeike, turke, gjermane, armene, siriane, rumune, ruse, italiane, frënge e gjermane. Biblioteka numëron rreth 210 mijë volume në 70 mijë tituj, ndër të cilat janë rreth 2 mijë antikuarë.
Fondet më me vlerë janë ato të Albanologjisë dhe Ballkanologjisë, që përmbajnë një pasuri të madhe, libra shumë të vjetër që datojnë prej shek. XV-XVI, të shtypura në shtypshkronjat më të përmendura në Evropë, si në Paris, Romë, Napoli, Ëurtenberg, Firence, Venedik. Biblioteka e Shkodrës ka ekzemplarë, që nuk gjenden as në Bibliotekën Kombëtare. Ndër librat më me vlerë është vepra e Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” 1762, vepra të shek. XVII të Budit, vepra të Barletit, si “Mbi jetën dhe veprat kreshnike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut", “Rrethimi i Shkodrës”, disa këngë për Skënderbeun të botuara në vitin 1592 në Amsterdam, poema, pjesë dramatike mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun në latinisht, kroatisht, greqisht, vepra e Farlatit -Coletit “Illyricum Santum, “Acta et Diplomata res Albaniae”, e shumë të tjerë në gjuhë të ndryshme.