Marrëveshja Titoni-Venizello
Marrëveshja Titoni-Venizello (29 korrik 1919) ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis qeverive italiane e greke për ndarjen midis tyre të Shqipërisë, të Azisë së Vogël Perëndimore etj. E nënshkruan ministri i Jashtëm italian T. Titoni dhe kryeministri grek E. Venizello. Sipas marrëveshjes në Konferencën e Paqes Roma do të mbështeste kërkesën greke për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës, ndërsa Athina do të përkrahte aneksimin e krahinës së Vlorës prej Italisë dhe mandatin e saj mbi shtetin shqiptar të cunguar. Greqia pranonte, gjithashtu, t’i lëshonte Italisë për 50 vjet një pjesë të skelës të Sarandës dhe të ruante asnjanësinë e kanalit të Korfuzit. Marrëveshja u denoncua nga pala italiane pas disfatës që pësoi në luftën e Vlorës, e cila e detyroi qeverinë e Romës të hiqte dorë nga aneksimi i Vlorës dhe nga mandati mbi shtetin shqiptar.