Masakra në Çamëri (libër)

Masakra në Çamëri përmbledhje dokumentesh i përgatitur nga Kastriot Dervishi botoi Shtëpia botuese "55". Ky libër përmbledh një pjesë të dokumenteve të arkivave shqiptare në të cilat dëshmohen ngjarjet e dhimbshme që ndodhën gjatë viteve 1944 - 1945 në krahinën shqiptare të Çamërisë. Një gjenocid i pashembullt, i ndodhur në mes të Europës ndaj një popullsie civile të pambrojtur si ajo çame, e mbuluar nga zhvillimet e fundit të luftës së atëhershme e të përbotshme. Nëpërmjet dokumenteve zyrtare apo dëshmive të të mbijetuarve, arrihet të shihen vuajtjet e mundimet, dëmet ekonomike, viktimat e shumta dhe gjithë ajo gjëmë e madhe që i ndodhi jugut të Shqipërisë (Çamërisë). Këto dokumente në pjesën më të madhe vijnë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (i paraqiten publikut për herë të parë) dhe një pjesë e vogël nga dy arkiva të tjera të rëndësishme të vendit. Botimi në vetvete synon më tepër të paraqesë atë që ndodhi në Çamëri dhe jo se çfarë ndodhi më pas dhe si u trajtua kjo çështje në vitet në vazhdim. Libri përmban gjithashtu edhe disa informacione enciklopedike rreth Çamërisë.