Mbi hapësirë-kohën
Mbi hapësirë-kohën Autori: Rexhep Meidani. Botuesi: Toena. Faqet e librit 188.
Libri "Mbi hapësirë-kohën" i prof. Rexhep Meidani pasqyron evolucionin historik të përfytyrimeve njerëzore mbi hapësirën e kohën dhe të koncepteve përkatëse të ndërtuara mbi to. Me gjithë sukseset e mëdha shkencore të ditëve tona, përsëri vazhdojnë të shtrohen po ato pyetje të vjetra: "Ç’është hapësira, në të vërtetë?"; "Po koha, a është ajo ciklike apo lineare?"; "Si perceptohet koha në kozmologji dhe cili është skenari kronologjik për universin pas Big Bang-ut?"; "Ç’ndodh me hapësirëkohën në birat e zeza apo ato krimbore?"; "Po me kuantizimin e tyre?"; "Përse ka një drejtim apo shigjetë termodinamike dhe kozmologjike të kohës?"; "Po si shfaqet kjo nga pikëpamja biologjike e psikologjike?"; "Si manifestohet koncepti i hapësirë-kohës, apo shigjeta e kohës në evolucionin e qytetërimeve, në lëvizjen social-politike, apo dhe procesin e globalizimit?" etj. Mjaft përgjigje ndaj pyetjeve të mësipërme gjenden dhe në këtë libër. Por, duke pasur parasysh që lexuesi mund të jetë i interesuar për të njohur një aspekt të përgjigjes, jo të gjithë shtrirjen e saj, apo për të ndjekur kapituj të caktuar dhe jo të gjithë librin si i tërë, autori ka synuar që trajtimi brenda çdo kapitulli të jetë, jo vetëm sa më "i mbyllur" dhe "ndërlidhës", por dhe me shkallë të ndryshme analize, me një "tranzicion të mirëllogaritur" nga thjeshtësia te ndërlikueshmëria. Kjo e bën të mundur shfrytëzimin e materialit të librit nga një gamë mjaft më e gjerë lexuesish, nga individë me përgatitje, specializim e përvojë të ndryshme.