Iljaz Hoxha
Mbi jetën dhe veprën e mësuesit patriot dhe veteran Iljaz Hoxha (Kujtime nga i biri Bardhyl Hoxha)
Iljaz Hoxha, i biri i Izetit dhe i Jekos, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1878. Ka studiuar në Stamboll dhe fliste shumë mirë gjuhët turke, arabe dhe greke.
Karrierën e tij si mësues Iljazi e ka filluar në Gjirokastër në fillimin e viteve 1900. Në këtë periudhë, i frymëzuar me ndjenja patriotike nga rilindasit tanë për çlirimin kombëtar e shoqëror, mori pjesë në lëvizjen e madhe patriotike të kohës për liri dhe pavarësi dhe u bë një nga mësuesit e parë të mësimit të abetares dhe gjuhës shqipe në Gjirokastër. U bë anëtari i parë i klubit “Drita” dhe një nga themeluesit e mësuesit e parë të shkollës shqipe që u hap në vitin 1908 në Gjirokastër.
Xha Iljazi, siç e thërrisnin të gjithë në Gjirokastër, me shpalljen e pavarësisë, vazhdoi të ushtronte gjithnjë profesionin e mësuesit. Ka mësuar fëmijët në shkollën “Drita” të lagjes Palorto, në shkollën “Koto Hoxhi” të lagjes Varosh, në shkollën e lagjes Meçite dhe në shkollën e lagjes Dunavat.
Iljazi ishte njeri i thjeshte, tregonte pak për veten. Mbaj mend diçka që mu ngul në mendje nga një bisede në familje dhe me shokët kur tregonte se në vitet 1900 ndiqeshin dhe persekutoheshin nga pushtuesi otoman te gjithë ata që përhapnin dhe mësonin gjuhën shqipe. Iljazi në këtë kohë u mësonte në mënyre shumë të fshehtë alfabetin dhe abetaren shqipe fëmijëve në katoq në shtëpi në Gjirokastër. Spiunët e kishin diktuar dhe njëri prej tyre në mënyrë provokatore i kishte thënë : “Me se merresh ti Iljaz atje në shtëpinë tënde ? Ç'fare i ke ata fëmije që vinë vazhdimisht aty ?“
Iljazi menjëherë njofton Çerçiz Topullin në Këculle, i shpjegon ndodhinë dhe Çerçizi, mbasi e dëgjon me vëmendje e përgëzon për punën e nderuar dhe i thotë : “Vazhdo Iljaz, mësoi fëmijëve gjuhën tonë se me armiqtë e spiunët merremi ne”. Dhe Iljazi gjatë gjithë periudhës deri në vitin 1908 kur u hap shkolla e parë shqipe në Gjirokastër, i mësonte fëmijët në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e tij. Iljazi Çerçizin e adhuronte dhe e nderonte. Shkonte vazhdimisht në përvjetorin e festës së luftës të Mashkullores. Për këtë kam dhe një fotografi ku kanë dalë në Mashkullore tek Rapi tre patriotet veteranë : Iljazi, Thoma Papapamo dhe Ramiz Harxhi.
Iljazi, veç punës për arsim e dituri bënte dhe një punë të madhe për forcimin e miqësisë midis besimeve fetare. Iljazi nuk bënte dallime midis fesë myslimane dhe ortodokse. Te gjithë, thonte jemi shqiptare dhe vëllezër. Në Gjirokastër nuk ka pasur kurrë mosmarrëveshje fetare. Te gjithë ishin një dhe të bashkuar.
Iljazi kishte miqësi të ngushtë me klerin mysliman dhe ortodoks. Çdo ditë takohej me hoxhë Mamanin dhe priftin e lagjes Varosh Papazisin dhe bisedonin si miq e vëllezër. Gjithë populli i Gjirokastrës e donte dhe e respektonte mësuesin e tij. Me kujtohet në vegjëli kur më merrte nga dora dhe kalonim në rrugët e sokakët e Gjirokastrës dhe njerëzit e përshëndesnin me respekt e ngriheshin në këmbë me urimet sipas rastit me shprehjet : Miremëngjes Zoti Iljaz, Mirëdita Iljaz Efendi ose Tungjateta Xha Iljaz. Shumë nxënës të Iljazit janë bërë kuadro të zotë dhe gjithmonë e kanë kujtuar dhe respektuar për kontributin që ka dhënë në mësimin dhe edukimin e tyre.
Me 24 mars te vitit 1960 Iljazi vdiq. Me këtë rast shumë ngushëllime dhe telegrame i kanë ardhur familjes nga ish nxënësit dhe dashamirës të tij ku shprehnin hidhërimin e madh dhe ngushëllimet për vdekjen e mësuesit të tyre të dashur. Në revistën nr. 4 “Arsimi Popullor”, prill 1960 është botuar nekrollogjia e hartuar nga kuadro dhe intelektualë të kohës siç janë : Dashnor Mamaqi, Bexhet Mema, Thoma Papapamo, Siri Shapllo, Ramis Harxhi, Siri Karagjozi, Kadri Baboçi, Vaso Konomi, Sotir Bita, Tomor Tushe, Vangjel Kostaqi, Azis Hoxha, Lefter Dilo dhe Sokrat Kutra.
Ngushëllime të thella me telegram ka dërguar edhe Enver Hoxha, qe Iljazin e ka pasur jo vetëm mësues të abetares por edhe nun se i ka vënë emrin.
Ne vitin 2002 Iljazi dekorohet me titullin e nderit nga qarku i Gjirokastrës me motivacionin : "Patriot, udhëheqës dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Liri dhe Pavarësi".
I pa harruar do të mbetet për të afërmit dhe për popullin e Gjirokastrës kujtimi dhe vepra e Iljazit që ka bërë për arsimin dhe edukimin në Gjirokastër.