Mehmet Bislimi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Mehmet Bislimi, shkrimtar, poet dhe publicist shqiptar, u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz të Epërm në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat natyrore- dega Kimi. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet nga pushtuesi serb dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë atdhetare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t'i shpëtuar arrestimit të serishëm, është strehuar në Zvicër, ku vepron edhe tani. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën ”Bota e re” në Prishtinë, më vonë ka botuar në revistën ”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që atë kohë botohej në Zvicër. Disa vjet ka shkruar për organin e LPK-së, “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në Francë. Po ashtu në këto dy gazeta ka mbajtur edhe këndin e satirës me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Ka botuar edhe në gazetën “Epoka e re”, "Gazeta Lajm", "Shekulli" etj. Shkrime të shumta i ka publikuar në dhjetëra faqe elektronike si: "Radiokosovaelirë", "Kosovapress", "Nënë Shqipëri", "Albaniapress", "Pashtrikuorg", "Shqipëri e bashkuar", "Ereniku", "Filolet", "Gazetalëvizja" etj. Krijimtaria e tij letrare përfshin shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi dhe mendime të urta autoriale. Ka përfunduar studimet edhe për ekonomi - Kolegjin "Biznesi" në Prishtinë, me gradën akademike BACHELOR. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtarë i të persekutuar-ëve dhe dënuarve politik të Kosovës. Krijuesi Bislimi deri me tani ka botuar këto vepra:
1. ”Anekdota popullore dhe satira autoriale”, Prishtinë 2002
2. ”Trëndafila maji” – poezi, Prishtinë 2002
3. ”Fjalë dhe gurë” – poezi, Prishtinë 2003
4. "KËTU I THONË DRENICË" - Tahir Meha – Monografi, Prishtinë 2004
5. "Ironi e verdhë" - poezi, Prishtinë 2005
6. "Stinë e vonuar" - poezi, Prishtinë 2008
7. "Shkrime publicistike", Prishtinë 2009
8. "Anekdota popullore dhe satira autoriale II" - Prishtinë 2010
9. "Mehmet Delia- alisa Mehmeti i Vogël"- Monografi, Prishtinë 2011
10. "Shpirtndrituri" - poezi, Prishtinë 2012
11. "Burrëri e lagur" - poezi satirike, Prishtinë 2012
12. "Lirikat e fjetura"- poezi lirike, Prishtinë 2013