Menelau
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Menelau (greq. Menelaos, lat. Menelaus) - i biri i Atreut, mbretit të Mikenës dhe bashkëshortes së tij Europës, mbret i Spartës.
Menelau është një nga figurat qendrore të epeve të Homerit: si burrë i gruas për shkak të së cilës shpërtheu lufta e Trojës edhe më tepër si njeri që nxiti këtë luftë drejtpërdrejt. Përkundër kësaj askush nuk ia ka zënë ko kën: ka vepruar në pajtim me kërkesat e së drejtës ndërkombëtare dhe të nderit të burrit. Për më tepër, çdo gjë ka bërë që tërë çështjen ta rregullojë në mënyrë paqësore. Në luftë radhitej ndër luftëtarët më të spikatur dhe njësoj është treguar trim edhe në luftë me fatin.
Sa i përket fatit askush nuk ka mundur që t'i ketë lakmi. Si i ri ka qenë i detyruar që së bashku me vëllaun e vet Agamemnonin të ikë nga vendlindja Mikena, ngaqë axha i tij Tiesti, ua ka vrarë babën, ndërsa atyre përpiqej që t'ua prejë kokat. Strehimin e gjetën te Tindareu, mbreti i Spartës. Në Spartë Menelau përjetoi diçka që vetëm gabimisht e konsideronte lumturi: u maritua me gruan më të bukur në botë. Ishte kjo Helena, thjeshtër e Tindareut (baba i saj ka qenë Zeusi, zoti suprem, i cili e gjeti dashnoren në Ledën, gruan e Tindareut, poashtu bukuroshe e famshme). Helena e zgjedhi Menelaun burrë të vetin në mes të krushqarëve të gjakut mbretëror nga tërë Helada, të cilët për shkak të saj gati u përleshën në fushëbetejë. Helena e ka dashur Menelaun dhe pas një kohe ia lindi vajzën Hermionën dhe kur Tindareu vdiq e solli Menelaun si mbret në fronin e Spartës. Menelau nuk e shijoi gjatë lumturinë familjare dhe sundimin e qetë.
Një ditë erdhi në Spartë vizita nga Troja: ishte Paridi i biri i mbreitit Priam në përcjellje të kushëririt të vet, Eneas. Hapat e Paridit i drejtonte Afrodita, hyjnesha e dashurisë, e cila ia premtoi gruan më të bukur në botë me qëllim që kështu ta shpërblente që në mosmarrëveshje me hyjneshat Herën dhe Athenën ia pranoi përparësinë në bukuri. Paridi u dashurua në Helenën në shikim të parë. Edhe asaj djaloshi mjaft i pelqente. Pastaj gjërat u zhvilluan vetvetiu. Kërkoi ndjesë prej musafirëve që së shpejti duhej të shkonte në Kretë, sepse i kishte vdekur gjyshi Katreu, ndërsa bashkëshortes së vet i urdhëroi që musfariët ti kënaqë në çdo mënyrë. Helena këtë urdhër, nën ndikimin e hyjneshës Afrodita, e kuptoi pak tepër gjërësisht: e magjepsur nga Paridi i ri dhe fjalët e tij ngashnjyese e braktisi bashkëshortin, vajzën e atdheun dhe me Paridin lundroi për në Trojë.
Kur Menelau pas kthimit nga Kreta mori vesh se gruaja i është zhdukur, për asnjë moment nuk dyshoi se është e rrëmbyer. Dëshmi për këtë ka qenë edhe fakti se së bashku me Helenën u zhduk edhe thesari i tij. Ishte kjo fyerje e rëndë për mbretin dhe burrin, por edhe më tepër shkelje e të drejtes së shenjtë dhe mikëpritjes. Një krim i tillë nuk ka mundur të mbetet i padënuar. Andaj Menelau shkoi te vëllau i vet, Agamemnoni, i cili pas vdekjes së Tiestit hipi në fronin mbretëror të Mikenës. Agemnoni e këshilloi që të shkojë në Trojë dhe t'i thotë Priamit dhe birit të tij Paridit, që t'ia khejnë Helenën. Poqëse nuk janë të gatshëm që ta bëjnë këtë, atëherë le t'iu kërcënohet me luftë. Menalau e merr me vete Odiseun, mbretin e Itakës, i cili ishte negociator i shkathtë. Mirëpo, përkundrejt përpjekjes së durueshme asgjë nuk arriti. Paridi ishte i gatshëm t'ia kthejë Menelaut thesarin, por për Helenën nuk deshti të bisedojë kurrsesi. Agomemnoni pastaj i ftoi mbretërit akeas që t'i ndihmojnë për t'u hakmarrë për fyerjet ndaj vëllaut e Priamit dhe i shpall luftë.
Ekspedita luftarake, në krye të së cilës ishte mbreti i fuqishëm i Mikenës, premtonte famën dhe plaçkën e begatshme. Kështu ne skelën e Aulidës u tubua ushtria e përbërë prej njëqind mijë ushtarësh, e cila lundroi për në Trojë. Vetë Menelau nën muret e qytetit të Priamit i solli gjashtë mijë trima. Këta në ushtrinë e parbashkët e përbënin njësinë e pavarur, e cila më tepër dallohej me trimëri dhe vendosmëri se sa me numër. Luftëtarët ishin sipas komandantit të tyre, sepse çfarë është udhëheqësi i tillë është edhe ushtria. Ndonëse Menelau akeasve të tjerë nuk ua kalonte me fuqi, ishte shembull i guximit dhe i trimërisë, por edhe i diciplinës (gjë që në luftë nuk është për tu nënçmuar).
Për dhjetë vjetësh sa zgjati lufta e Trojës Menelau u dallua me shumë aksione heroike. Në kujtesë të përhershme breznive u mbetën edhe trimat spartianë, me shekuj e kanë kënduar duke ndejtur për reth vatrës së kampeve. I pari ka qenë dyluftimi i tij me Paridin, në fillim të luftës dhjetëvjeçare. Kur filloi që në ushtrinë akease të paraqitet moskënaqësia për shkak të betejave të gjata dhe të pasuksesshme, dhe ushtarët filluan të flasin me zë, poqese komandantët kanë diçka në mes vetes, le ta zgjedhin ata vetë, Menelau pa u luhatur e pranoi provokimin e Paridit që të luftojë me të për jetë ose vdekje. Mirëpo, u pa se kundër Menelaut nuk ishte vetëm Paridi, por edhe hyjnesha Afrodita e cila e mbronte Paridin. Megjithatë, Menelau nuk u dorëzua dhe në betejë e mundi Paridin. Do ta vriste sikur Afrodita mos ta kishte mbeshtjellë me re dhe me duar të veta mos ta kishte dërguar në vendin e sigurtë, mbrapa mureve të Trojës.
Vepra tjetër e Menelaut ishte shpëtimi i trupit të vdekur të Patrokliut, mikut të Akilit, trimit me të madh akeas në lufën e Trojës.Trimëria e tretë ishte pjesëmarrja në luftë per vetë qytetin e mbreti Priam. Menelau u gjet në mesin e luftëtarëve të zgjedhur të cilët në kalin e madh prej drurit, me dinakëri, kishin hyrë ne Trojë dhe me sulm të guximshëm e pushtuan pallatin mbretëror. Në mesin e të tjerëve e vrau edhe Deifobin, djalin e Priamit, i cili pas vdekjes së Paridit, martohet me Helenën dhe kështu me shpatë të vetën e nxori gruan e vet.
Njësoj si në fushëbetejë, Menelau dallohej edhe ne këshillin luftarak. Atje fliste shkurtimisht, konkretisht, duke menduar për herë në dobi të tërë ushtrisë. Autoritetin e Agamemnonit, kryekomandantit për herë dhe pa kurrfarë kushti e pranonte dhe e përkrahte. Këtë e bënte, në të vërtetë, edhe nga fakti se Agamemnoni ishte vëllau i tij, por këtë kurrë nuk e theksonte dhe as që e keqpërdorte. Ndaj komandantëve të tjerë ushtarakë dhe ushtarëve sillej miqësisht. Kurrë nuk ka harruar se ata para së gjithash po luftojnë për çështjen e tij.
Nga Troja u kthye si ngadhënjyes dorë për dore me Helenën. Kurrë nuk e ka çortuar sepse ka qenë i bindur se Paridi e ka rrëmbyer dhe për këtë arsye nuk është fajtor aspak. Mirëpo, fati nuk ia ka përcaktuar kthimin e lumtur në shtepi. Menjeherë pas ujëdhesës Lezbos shtërngata ia shkapërderdhi flotën, por sërish e mblodhi me sukses. Te kepi i Suniut e goditi fatkeqësia e re: zoti Apollon ia vrau me shigjetë timonjerin Frontis. Me vështirësi të mëdha arriti te kepi i Maleut, ku e befasoi shtërngata e re, e rëndë. Pjesa dërmuese e anijeve u fundos, të tjerat u thyen duke u përpëlasur në shkëmbinjët e Kretës, ndërsa anijen e tij murlani e përpëlasi në buzëderdhjen e cekët të Nilit. Nga pikëllimi për shokët e humbur harroi që t'ua ofrojë zotërave flijimin për kthimin fatlum. Për dënim u detyrua që me Helenën të bredhë shtatë vjet nëpër Egjipt, Libi, Feniki dhe vende të tjera deri sa më në fund, nuk arriti përseri deri në buzëderdhjen e Nilit, ku Proteu, zoti i detit, e këshilloi se si të kthehet në shtëpi. Zotërave u ofroi flijimin e detyruar dhe së shpejti me Helenën u zbarkua në truallin e vendlindjes.
Me qëndrueshmërinë dhe guximin e vet Menelau e fitoi prej fatit jo vetëm kthimin e lumtur në shtëpi, por edhe më tepër se sa ka pasë guxuar dikur të dëshirojë. Para shkuarjes për në atdhe e vizitoi mbretin egjiptian për t'u përshëndetur me të. Me këtë rast gruaja e mbretit Polidamn ia dha Helenës një dhuratë të vogël. Ishte kjo enë e vogël me lëngun e mrekullueshëm: kush e pi të përzier me verë i harron të gjitha brengat e veta. Kështu Helena i harroi burrat e vet të mëparshëm në Trojë, ndërsa Menelau vuajtjet e rënda luftarake dhe bredhjet e gjata. Pasi u kthye në Spartë, jetoi në lumturi e kënaqësi madje jo vetëm deri në vdekjen e tyre, por edhe pas vdekjes. Për t'i shpërblyer për vuajtjet e përjetuara zotërat i çuan në Elize, ku nuk mund të hynin brengat që janë pjesë e domosdoshme e fatit të njerëzve në këtë botë.
Pranë emrave të Agamenonit, Odiseut dhe trimave të tjerë akeas gjenden shënime të shkurtëra për gërmimet arkeologjike të qyteteve në të cilat, sipas Homerit, kanë pasur selitë e tyre. Në Spartë nuk janë gjetur mbeturinat e fortifikuara ose të pallateve. Atje Gjejmë vetëm dëshmi për ekzistimin e vendbanimit jo të madh akeas. Për më tepër, nuk dimë saktësisht se sa ka zgjatur historia e Spartës. Pasi që nuk ka pasur mure ("muret e saja ishin gjoksat e burrave spartianë"), është zhdukur, si të thuash pa gjurmë. Kuptohet se qyteti Sparta sot ekziston. Por ky qytet me Spartën e lashtë nuk ka asgjë të përbashkët. Sparta e sotme është themeluar në vitin 1834.
Artistët e kohës së vjetër dhe asaj moderne Menelaun e kanë paraqitur shumë herë, madje kryesisht në shoqërinë e Agamemnonit ose të Helenës. Pikturat që i ndeshim dhe që e paraqesin atë ka me qindra. Piktura me pamje të Menelaut që e përndjek Helenën janë ruajtur gati pesëdhjetë, Menelau e merr Helenën nga Troja më se tridhjetë (pjesa dërmuese është e shek. VI - V para es.), Menelau dhe Helena njëmbëdhjetë, Martesa e Menelaut dhe e Helenës (prej të cilave më e lashta nga fundi i shek. VII para e.s. dhe gjendet në Muzeun e Smirnës), Dyluftimi i Menelaut me Lardin dy (më e lashta në Antikvarin e Pinakotekës së Mynihut, më e reja në Luvër të Parisit). Ansambli i njohur helenistik Menelau me trupin e vdekur të Patrokliut nga fundi i shefk. IV para es. është ruajtur në kopjet romake prej të cilave më e mira është në Loggia dei Lanzi në Firencë. E ashtuquajtura Maestro Pasquino (Paskvino) kopja tjetër e këtij ansambli sot torzo i dëmtuar përgjithmonë është në Piazza Pasquino (Pjaca Paskvino) të Romës.