Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një temë interesante si për intelektualët e dikurshëm, ashtu edhe për studiuesit e sotëm. Studiues të shumtë nga vende të ndryshme janë marrë dhe merren me studimet për origjinën, kulturën, traditën, gjuhën, fenë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët dhe trojet e tyre etnike. Debatet e shumta të mirëfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumenteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmitë më të forta për interesin e veçantë që kishin të huajt për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë furtunës shekullore mesjetare, por edhe gjate zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.

Krahas botimeve të shumta dhe voluminoze, janë për t‘u pasur në konsideratë edhe dorëshkrimet e vjetra të pabotuara akoma, që herë me autorë ose edhe pa autorë, kanë për temë bosht popullin shqiptar dhe trojet etnike të tij.

Arti mesjetar

Zbulimet e këtyre dorëshkrimeve, janë një thesar i vërtetë, sepse jo vetëm pasurojnë shumë herë zbrazësinë në informacione që është krijuar në epoka të caktuara kohore, duke na ndihmuar që të plotësojmë e saktësojmë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike, por edhe na tregojnë për imazhin që kishin shqiptarët në sytë e bashkëkohësve, apo jehonën që kishin veprat e tyre tek brezat e mëvonshëm. Studimet sistematike nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, anekënd Evropës, pasurojnë fondet e albanologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare në përgjithësi. Çdo dokument, dorëshkrim apo libër i rrallë, i zbuluar rishtas, i panjohur deri tani për studiuesin dhe lexuesin e gjerë, ka një rëndësi të veçantë. Thesare të tilla, kanë vlerë të dyfishtë: e para sepse me anë të tyre plotësohet ose argumentohet e kaluara jonë kulturore dhe së dyti, njihemi me krijime të reja, të zhanreve e gjinive të ndryshme, gjë që na mundëson të kuptojmë rezonancën që kanë gjetur periudha të caktuara historike apo personalitete të caktuara historike në fushat e ndryshme të krijimtarisë.

Është theksuar tashmë disa herë, se qytetet bregdetare dalmate, ruajnë në arkivat e bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Është më se e vërtetë se një pjesë e kësaj lënde është vjelur, fillimisht nga studiues të huaj, e më vonë edhe nga disa studiues shqiptarë. Është e domosdoshme që në mënyrë sistematike, me një përgatitje serioze të bëhen hulumtime dhe kërkime, në gjithë qytetet bregdetare të Adriatikut, sepse ekzistojnë të dhëna të shumta dhe të sakta për burime shumë të vlefshme, të cilat presin studiuesit dhe hulumtuesit seriozë e të përgatitur profesionalisht, si në aspektin gjuhësor, paleografik, diplomatik dhe epigrafik, kur bëhet fjalë për dorëshkrime, dokumente dhe burime të tjera.


Dorëshkrimi nga Shibeniku

Redakto

Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, ruhet një dorëshkrim i at Mate Zoriçiqit, me titull: Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg, në signaturën: R.K - 17/I. II. Dorëshkrimi ka 92 faqe, format të madh, me dimensione 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesë e dytë ka 13 kapituj, gjithsej, 22 kapituj. Çdo kapitulli i paraprin një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse, tregon se për çfarë bëhet fjalë, në tekstin në vazhdim! I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e tekstit, pastaj me një korrektësi të jashtëzakonshme, janë shënuar emrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij. Në disa raste, vërehet një njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, që autori me mjeshtëri të veçantë e arsyeton duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut në atë kohë. Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos në faqet e para dhe ato të fundit.

 
Shqipëria

Edhe në brendi, në disa vende vështirë lexohet. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila është e cilësisë së dobët. Teksti lexohet lehtë; është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e ikavicës. Është i përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori, në faqen e fundit, /f. 92/. Kjo datë na bën të pohojmë, se ky është njëri ndër krijimet më të vjetra, deri sot të njohura, të një autori kroat, në gjuhën kroate, për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ky dorëshkrim është edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun.

Dorëshkrimet nga Arkivi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Kroate në Zagreb

Redakto

Në Arkivin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, /HAZU-t/, në Zagreb, ruhen disa dorëshkrime të shpërndara nëpër fonde të ndryshme personale të krijuesve të shquar kroatë. Këto dorëshkrime, për nga volumi, janë më të shumtat. Është i njohur vetëm dorëshkrimi I. K. Sakcinskit, ndërsa të tjerat deri me sot kanë qenë të panjohura fare! Në fondin e dorëshkrimeve të Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, njërit prej historianëve, arkivistëve dhe bilbiografëve më të njohur kroatë, dhe njërit prej ideologëve të Rilindjes kroate, ruhet një dorëshkrim i një drame, që i kushtohet heroit kombëtar shqiptar të shekullit të XV-të, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dorëshkrimi ndodhet në signaturën: XV. 23/ C. II. - 7. Daton nga viti 1840. Këtë të dhënë e gjejmë në faqen e fundit, të shkruar nga vetë dora e Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit. I. Kukuljeviq-Sakcinski është njëri nga studiuesit e shumtë kroatë, i cili u mor me hulumtimin e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Përveç dorëshkrimit të dramës për Skënderbeun, ai herë pas herë është marrë, edhe me çështjen shqiptare deri në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, përmes shkrimeve me karakter letrar, historiko-informativ, studimor, dhe botimeve të shumta në shtypin periodik të kohës, si dhe mbledhjes së dorëshkrimeve dhe librave të ndryshme, të botuar gjatë shekujve. Dorëshkrimi i dramës në gjendjen e tanishme është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, me dimensione: 27,5 x 51.8cm. Tetë faqet e para kanë një format më të vogël, 22,5 x 35cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut sipas burimeve dhe autoreve të cilët ka konsultuar Sakcinski. Në vazhdim kemi 48 fletë të shkruara dhe 2 fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura në dyshe dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, në faqen "recto". Dorëshkrimi, përgjithësisht, është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit janë të përlyera me baltë. Si duket kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe tekstit në to lexohet me vështirësi. Sipas të gjitha gjasave, autorit i është kthyer disa herë ky dorëshkrim, ndoshta për përpunim dhe plotësim, sepse anash, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës ortografike-drejtshkrimore, qofshin plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime komplete paragrafësh. Njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, burime këto që duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioçiqin dhe J. B. Hamerin, por, është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burime e autorë të tjerë të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm, mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime. Është interesant fakti se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski nuk i shënon titujt e veprave të tyre në dorëshkrimin e tij të dramës për Skënderbeun, por vetëm numrin e faqeve që ka konsultuar. Dorëshkrimi përmban disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë në dritë pozitive, por asnjëherë më shumë se sa e meritojnë.

Dorëshkrime të tjera me vlera të larta artistike dhe shkencore nga arkivi i HAZU-t

Redakto

Përveç dorëshkrimit të dramës së I. K. Sakcinskit, në Arkivin e HAZU-t ruhet edhe një dorëshkrim i historianit me famë ndërkombëtare Ferdo Shishiqit. Mendojmë se deri tani ky është dorëshkrimi më i kompletuar për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i shkruar nga një autori kroat. Dorëshkrimi përbëhet nga dy pjesë, përkatësisht katër tërësi. Historiani i njohur kroat, për monografinë e tij në dorëshkrim, ka shfrytëzuar burime të shumta të botuara, por edhe të pa botuara si dhe ka konsultuar një literaturë jashtëzakonisht të gjerë. Nuk është shumë e qartë se si ka mbetur pa botuar një dorëshkrim i tillë, me vlera të jashtëzakonshme shkencore. Pjesa e parë, ka gjithsej 63 faqe. Autori në këtë pjesë analizon situatën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Ballkanit në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, sidomos, periudhën para turke. Pjesa e dytë ka 24 faqe, dimensionet janë të njëjta me pjesën e parë. F. Shishiqi në këtë pjesë të monografisë së tij, shqyrton në mënyrë kritike rininë e Skënderbeut, qëndrimin e tij pranë Oborrit mbretëror në Stamboll, lidhjet e tij të ngushta me vendlindjen dhe betejën e Nishit! Ndoshta është ndër biografët e parë të Skënderbeut, që hedh idenë se Gj. K. Skënderbeu nuk qëndroi kohë të gjatë pranë Sulltanit dhe se kishte lidhje shumë të ngushta me Shqipërinë, përkatësisht, ishte Sanxhakbe i Dibrës! Pjesa e tretë e dorëshkrimit, përbëhet nga 137 faqe. Në këtë pjesë, autori shqyrton gjithë jetën e Skënderbeut, deri në vdekje. Në 8 faqet e fundit, i bën një përshkrim të veçantë Shqipërisë pas-Skënderbegiane, veçanërisht luftërave të përgjakshme të Krujës dhe Shkodrës. Pjesa e katërt, përbëhet nga 21 faqe. Këtu F. Shishiq, ka shënuar me saktësi, gjithë literaturën e shfrytëzuar, dokumentet dhe burimet. Si shtojcë /aneks/ sjellë edhe 17 dokumente të panjohura deri tani nga periudha Skënderbegiane. Dokumentet janë të përkthyer në gjuhën kroate, por çdonjëri, poshtë, në të majtë, e ka të shënuar vendndodhjen e saktë, të origjinalit. Në Arkivin e HAZU-t, ruhen edhe disa dorëshkrime të tjera, përkatësisht një dorëshkrim për Skënderbeun nga Franjo Raçki, prej 27 faqesh, një tjetër nga T. Smiçiklasi, prej 52 faqesh, etj. Botimi i këtyre dorëshkrimeve, qoftë si monografi të veçanta ose si tërësi, do të begatonte me burime të dorës së parë, mjaft serioze, periudhën e Skënderbeut.

Dorëshkrime nga Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut

Redakto

Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut, krahas Arkivit Shtetëror Historik Kroat të Dubrovnikut, Bibliotekës dhe Arkivit të Vëllezërve të Vegjël [Male Braće], Bibliotekës dhe Arkivit të Domenikanëve, Jezuitëve... etj, ruan shumë dorëshkrime me vlera të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat deri me sot nuk janë botuar. Në fonde të ndryshme, nga autorë të njohur, por edhe anonimë, janë ruajtur një numër i konsideruar dorëshkrimesh nga shekuj të ndryshëm, vlera e të cilave është tepër e çmuar. I një rëndësie të veçantë për fushën e albanologjisë, është dorëshkrimi i Françesko Maria Apendinit, nga gjysma e parë e shekullit të XIX-të, që mban titullin: "Shënime mbi shqiptarët, gjuhën e tyre si dhe një gramatikë për gjuhën shqipe me një fjalorth të vogël, krahasuar me gjuhën italiane". Ky dorëshkrim ka 4 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 608/1-11; int. 8; pjesërisht është në gjuhën italiane dhe shqipe. Ky dorëshkrim është një sprovë për një gramatikë dhe një fjalor në gjuhën shqipe. Është tepër interesant momenti që e shtyn studiuesin dhe historianin F. M. Apendini për të vepruar në këtë drejtim. Dorëshkrimi është autograf, në gjendje të mirë dhe lexohet pa vështirësi. Ka format in folio. Një dorëshkrim tjetër është ai i një autori anonim, po nga gjysma e parë e shekullit të XIX-të, që mban titullin: "Studim nga burime të ndryshme për qytetin Sebast në Shqipëri, që llogaritet si vendlindje e shën Vllahut, Shenjtit mbrojtës të Dubrovnikut". Dorëshkrimi ka 14 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 613/1-13, int. 11; i tëri është në gjuhën italiane. Një ide e tillë është tepër interesante ngase, për herë të parë kemi një të dhënë të tillë, ku shenjti mbrojtës i Dubrovnikut, na paraqitet me origjinë shqiptare. Të dhënat biografike dhe studimet e shumta për Shën Vllahun, lejojnë një hipotezë të tillë, e cila mbetet për t‘u verifikuar dhe dokumentuar nga burime të ndryshme, qofshin ato kronika, anale, dokumente apo dorëshkrime të tjera të cilat ruhen në arkiva dhe biblioteka të shumta të Dubrovnikut. Dorëshkrimi ka format in folio. Dorëshkrimi në vazhdim është ai i konsullit gjeneral francez në Shkodër: Marco Bruere, është autograf dhe daton para vitit 1814. Dorëshkrimi ka gjithsejtë 16 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 821, i tëri është në gjuhën italiane. Ky dorëshkrim tregon interesin dhe vazhdimësinë e konsujve francezë në tokat shqiptare. Me një stil të hollë, me një simbolizëm të fortë dhe gjuhë të matur, autori paraqet popullin shqiptar si shumë të virtytshëm, me tradita dhe kulturë të lashtë, por shumë luftarak për të drejtat dhe liritë e tij. Mesa duket, autori është tepër i ndikuar nga ngjarjet e vrullshme dhe të bujshme në qytetin dhe rrethinën e Shkodrës, kështu që lehtësisht mund të kapet një simpati e veçantë për popullin shqiptar dhe qytetin e Shkodrës.