Këngët e Milosaos
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Këngë të Milosaos Gjinia: Poema. Autori: Jeronim de Rada. Shtëpia botuese: Botime Kuçuku. Viti: 2010. Faqet e librit 112.
Jeronim de Rada është romantiku ynë i parë, i cili pa se letërsia popullore e përdorur në vepra luan një rol të rëndësishëm në pasurimin e tyre. Ai, siç dihet, u mor edhe me mbledhjen e folklorit në viset e ndryshme ku jetonin arbëreshët, në radhë të parë, në viset e Kalabrisë, sidomos të fshatit të tij të lindjes, Makit. Pas mbledhjes së krijimtarisë gojore arbëreshe, De Rada botoi edhe vepra origjinale me vlera të mëdha artistike, siç janë Këngët e Milosaos (1836), Një pasqyrë e jetës njerëzore (1898) dhe Skënderbeu i pafan (1872-1884).
Ndër këto vepra më së shumti shquhet poema romantike, apo siç e quajnë disa studiues, romani autobiografik lirik i dashurisë, “Këngët e Milosaos”. Vepra “Këngët e Milosaos” për subjekt ka historinë e dashurisë së Milosaos, birit të sundimtarit të Shkodrës me Rinën, vajzë e varfër, bijë e Kollogresë, një dashuri e thjeshtë fshatare, me temë nga shekulli i XV, e mbrojtur me një lirizëm të thellë dhe me një dekor të pasur natyrorë. Subjekti kryesor i kësaj vepre është i ngjashëm me dashurinë e autorit, e cila ishte e gjykuar të shuhet.
Në këtë vepër, dy të rinj, Milosao dhe Rina, çojnë dashuri të pastër ndonëse dallimet klasore e thonë fjalën e kobshme, pengojnë që të gëzohet fryti i zemrave: dashuria nuk u shua.
Për shkrimin e kësaj vepre, si dhe për shkrimin e veprave të tjera, De Rada u mbështet shumë në truallin e poezisë popullore sa gjatë gjithë veprës së ndihet fort fryma e krijimtarisë gojore, e transponuar mjeshtërisht në shpirtin e poetit, me përjetimin që iu tha në zemër. Përgjatë kësaj pune poeti nuk u bë imitues i verbër i poezisë popullore, por u ngjall nga ajo, duke e ngritur artin e vet shumë lart. Në këtë ndikoi fakti se edhe vetë subjekti i poemës kishte të bënte me ndjenjat e të rinjëve fshatarë, të cilët luftonin dhe dashuronin. Megjithë mbështetjen në letërsinë gojore, kudo në krijimtarinë e tij shihet vula vetjake e poetit. Me elementet nga folklori te De Rada nuk duhet kuptuar vetëm ndikimin apo huajtjen e vargjeve, por këtu duhet të përfshihet edhe huazimi i motiveve, ambienteve, personazheve, ngjarjeve dhe tipave që shpesh i ndeshim në poezinë popullore.
Personazhet
Në rend të parë, për të shkruar veprën “Këngët e Milosaos”, De Rada nga poezia popullore arbëreshe huazoi personazhet me të gjitha karakteristikat dalluese. Nga figurat e kësaj poezie mori Milosaon, heroin kryesor të poemës, i cili në këngët popullore arbëreshe ndeshet me emërin Miloshin. De Rada, për emrin e heroit të vet, Milosaos, bëri një ndryshim fare të vogël të emrit të figurës së këngëve legjendare: Miloshin. Fund e krye veprës, Milosao është identik me trimat që ndeshim në folklorin arbëresh. Ai ka një botë të pasur emocionale: sa është i ndjeshëm po aq është i vrullshëm. Ideali i tij estetik është i njëjtë me atë të heronjve që i njohim nga këngët popullore: dashuron vashën e bukur me faqe të kuqe si mollë, të cilat i zbukuron një pikë e zezë, me flokë të gjata thurë gërshetë. Sikurse heronjtë e këngëve popullore edhe Milosao në radhë të parë është trim i paepur dhe atdhetar i flaktë. Mbi dashurinë personale ai vë atë të përgjithshmën, mbrojtjen e atdheut nga armiku. Derisa gjendet në vijën e parë të luftës, ai e kujton vashën e vet, ashtu siç bëjnë shumë heronjë të këngëve popullore. Mendime të ndryshme e trazojnë trimin: vallë e ka harruar e dashura? Mendime të tjera i japin forcë për luftë: do të çlirojë atdheun, do të martohem dhe do të jetoj i lumtur me të dashurën. Kësisoj mendojnë edhe shumë trima të tjerë të folklorit Arbëresh.
Jeta idilike që bën Milosao me Rinën, pas martese, rikujton shumë tabllo të këngëve popullore ku flitet për jetën e qetë të të dashuruarëve në fshat. Gjithashtu, edhe vdekja e Milosaos është ajo e heronjëve legjendarë: vdekje heroike pas kryerjes së dertyrës karshi atdheut. Në çastin e vdekjes Milosao nuk është i zymtë, por fton shokët që t’ia hapin tendën dhe për të fundit herë, me gaz në zemër, ta shikojë Shkodrën e dashur, atdheun e vet. Milosao, si heronjtë e këngëve popullore, ka një dashuri të madhe për jetën dhe natyrën. Kështu, De Rada, me mjeshtri prej poeti të rrallë e kompletoi heroin e veprës së vet me të gjitha karakteristikat optimiste të heronjëve të letërsisë popullore.
Tipare fytyrash të huazuara nga poezia popullore ndeshën edhe te fytyra e Rinës, e cila na përkujton vajzën e përvuajtur fshatare, atë që një ndërrim fjalësh me një mashkull, e bën të skuqet dhe të turpërohet nën atë shami të bardhë. Edhe pse nuk del e kompletuar si Milosao, prap se prap, portreti fizik dhe moral i saj është ai i vashave të këngëve popullore. Rina, si me emër, ashtu edhe me tipare, u përngjanë shumë personazheve të këngëve popullore, në të cilat pasqyrohet ambienti patriarkal plot thashëtheme i fshatit arbëresh. Bijë e një fshatari të varfër, ajo është e pajisur me plot emocione të përmbajtura. Rina, ashtu siç është ndërtuar, paraqet besnikërisht jetën dhe kohën e Poetit. Ajo shpesh del me shoqe në natyrë të takojë trimin që ia ka rrëmbyer zemrën. Përgjigjet e saj Milosaos janë tejet të shkurtra. Edhe pse e do Milosaon me gjithë zemër, me që u druhet gojëve të këqia që flasin për raste të tilla, e porosit të dashurin që mos ta përcjelli rrugës dhe në punë. Në këngët legjendare dhe në lirikën patriotike krah burrave dhe vëllezërve të tyre luftojnë edhe gratë. Rina nuk është e tillë, jo pse nuk shkon vetë në luftë, por pse mundohet ta pëngojë edhe Milosaon. Lidhur me këtë poeti do të niset edhe nga fakti se në shumë këngë popullore ekziston konflikti modis vajzës dhe trimit. Në këngët e tilla, vajza në çdo mënyrë kundërshton largimin e trimit, i cili është i vëndosur të shkojë në luftë:
Lusi vasha të zonë
Të bijin tri pika shi
Trimi t’ mos vesi në gurret
Ndaj lusen, ndo mos ti vesh;
Pra çë gjë më se m’mbanë
Mos, sot, nesërith
U ndë gurrë vetie.
Me këtë veti, e cila mungon te Rina, De Rada e pajisi Zonjën e Madhe, nënën e Milosaos. Ajo shquhet për shpirtin luftarak të saj dhe për ndjenjat e fuqishme patriotike, si shumë nëna në jetën dhe në folklorin tonë. Megjithatë, në këtë poemë Zonja e Madhe vijëzohet me fytyrën e plakave të poezisë sonë popullore: e edukuar në frymën patriarkale, konzervative dhe mbrojtëse e vëndosur e interesave klasore. Letica, motra e Milosaos, ndërtohet me tiparet e vajzës së thjeshtë të fshatit, e ndëgjurshme dhe punëtore e palodhshme. Në këtë poemë ajo nuk ka ndonjë funksion të caktuar. Më tepër paraqitet si reflektim i motrës së Gjergj Elez Alisë: sakrifikon lumturinë e vet dhe rri në shtëpi të kujdeset për të vëllanë, Milosaon. Ndikimi i drejtpërdrejt i poezisë popullore arbëreshe të Kalabrisë ndihet në shumë pjesë të veprës “Këngët e Milosaos”. Pos tjerash, De Rada, në këtë poemë inkuadroi edhe vargje të paprekura ose të prekura në mënyrë diskrete dhe mjeshtrore.
Duro zemër duro
Sa duroi mali me borë
Vargjet që përkojnë shumë me poezinë e popullit dhe ritmojnë ngjashëm me to janë edhe vargjet e këngës VIII.
Analiza
Lidhur me marrëdhëniet e artit të De Radës dhe poezisë popullore, Dhimitër Shuteriqi ka bërë një analizë të hollë në revistën “Nëntori”, nr. 3, të vitit 1963. Në këtë analizë Shuteriqi pohon se De Rada e kishte shfrytëzuar një dorëshkrim me këngë popullore arbëreshe të mbledhura nga prifti i fshatit, Thoma Belushi. Këtë dorëshkrim pati rastin ta njohi edhe Shuteriqi. Prandaj, ai me plot bindje thekson se dorëshkrimin në fjalë e ka shfrytëzuar De Rada “në mos për vëllimin folklorik që botoi sigurisht për të shkruar poemën e Milosaos”. Pra, dy këngët e atij dorëshkrimi me ndryshime minimale, u bënë dy këngët më të bukura të poemës “Këngët e Milosaos”, kanga e IV dhe kënga XII. Në këngën e katërt të poemës bëhet fjalë për lidhjen e marrëdhënieve intime midis dy të dashurve. Një ditë të diele Milosao merr guxim dhe shkon në shtëpi të Rinës, të cilën e gjënë vetëm, duke thurë gërshetën. Rina ia shpallë dashurinë Milosaos në mënyrë fshatare, përmes dy mollëve të pjekura, të cilat ia dhuron në shenjë kujtimi e kujdesi. Të njëjtën përmbajtje e ka edhe kënga popullore e shënuar nga Belushi. Pos përmbajtjes kënga IV e poemës ka edhe disa vargje identike me këngën në fjalë.
Ish e diela me natë
Se ish eti djegurith
di moll t’ëmbëlja
manej prapa arthit
arthit e shpieksurith...
n’dëmël më të puthurit
De Rada:
Ish e diela menatë
Se ish eti djegurith
me presin ndë roliet
dii mooll t’ardhura
maanej mbi veshin e bardhë
lesht e saj të shpieksurith
nd’ëmël aq të puthurit
Në këngën e XII, ashtu si në këngën popullore, tregohet se fshati ka marrë vesh për takimet e dy të rinjëve. Përgojimet kanë arritur kulmin. Vasha i bën lutje trimit t’i rrallojë takimet. Edhe në këtë rast kënga e poemës përkon me vargjet e këngës popullore.
Kënga popullore:
Trim ti mua ndë më do mirë
Mos m’u piq po mos më ruaj
Vash i pari im mall...
aq i miel e s’u pantegta
zemër të të dhunoja
mos më bën të të jem
ljotëve cë mëng shprishën
ndo uri të nemuris
ndo gjegjmi kopiljevet
De Rada:
- Trim ti mua ndë më do mirë
Udhëvet mos m’u përpiq
Mos më ruaj ndë lëghiet
vash i pari im mall
aq i mielji e su pentehja
sa edhe të të dhunoja
mos më bëj të jem unë
fajtore për këtë
që ti nuk duhet të derdhish
ose për urinë e të varfëres
ose për vajzat që dëgjojnë
Nga ky krahasim shihet aftësia e De Radës “si dhe guximin me të cilin ai e bëri për vete artin e popullit duke marrë nga folklori jo vetëm frymën dhe mjeshtrinë po edhe pjesë të tëra, të cilat i përpunoi sado pak dhe i vendosi në veprën e tij.” (Dh. Shuteriqi, “nëntori”, nr.3., Tiranë, 1963, fq. 137).
Element tjetër ndikimi, përveç personazheve dhe vargjeve të theksuara më sipër, është edhe takimi dashuror i vajzës me djalin te kroi, i cili del dukshëm në veprën e De Radës. Kemi parasysh se në poezinë popullore, zakonisht, takimet e tilla bëhën te kroi, meqë në atë ambijent të rinjtë janë të lirë nga prindërit.
Edhe Rina e Milosao të shumtën e herave takohen te kroi, aty ku buron ujët e kthjelltë, aty ku buroi edhe dashuria e tyre e çiltër.
Në shumë këngë të poemës së De Radës hyrjet janë të menjëherëshme. Në disa raste hyrjet fillojnë me pyetje retorike dhe janë të mbushura me dialogje mes trimit dhe vashës, ashtu siç ndodh dendur në letërsinë gojore. Pyetjet dhe dialogjet e tilla krijojnë menjëherë atmosferën e bisedës dhe lidhin drejtpërdrejt poetin me lexuesin. Të gjitha zakonet, doket, koloriti lokal dhe botëkuptimet që ndeshim në këtë poemë përkojnë me ato të këngëve popullore. Nga poezia popullore arbëreshe De Rada mori edhe strukturën e vargut për veprën e vet. Nga ajo mori vargun tetërrokësh trokaik të parimuar dhe figurat stilistike, si krahasimin, hipërbolën, personifikimin, kontrastin, epitetin, metaforën, etj. Në këtë mënyrë, pra, “De Rada nuk imitoi poetët italianë, siç kishin bërë poetët arbëresh të shek. XVIII po imitoi popullin, duke i sjellë kështu një shërbim të madh zhvillimit të formës kombëtare në poezinë e shkruar të arbëreshëvet”. (Dh. Shuteriqi, Histori e let. shqipe, fq. 79.) Gjithçka u tha më sipër dëshmon se sa afër qe De Rada me popullin, me shpirtin e tij: poezinë. Këto huazime elementesh të këngës popullore De Rada i mor me vetëdije të plotë poetike duke mos u bërë asnjëherë imitues i thjeshtë i saj. Dhe mu këto elemente bënë që vepra e tij të ngrihet në kulmet më të larta artistike, të bëhet më popullore, më e përjetshme.