Mimoza Selenica
Mimoza Selenica Lindi më 29 prill 1956 në qytetin e Tiranës. Ka kryer studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Sami Frashëri” në Tiranë dhe më pas është diplomuar në Universitetin të Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Fizikë, në vitin 1980. Me mbarimin e studimeve ka punuar si mësuese e Matematikës dhe Fizikës në rrethin e Krujës dhe më pas në rrethin e Tiranës deri në tetor të vitit 1995.
Deri në gusht të vitit 1999 ka punuar si Inspektore pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Administrata e Përgjithshme e Ndihmës dhe Shërbimeve Sociale. Gjatë kësaj periudhe ka pasur bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare në Shqipëri si dhe me UNHCR-në në Tiranë gjatë luftës në Kosovë.
Për një periudhë 10-vjeçare ka emigruar në Rimini të Italisë, ku ka punuar si mediatore për kulturën në Sektorin e Kujdesit ndaj të Miturve, pranë AUSL (Shërbimi Social Rajonal) i Riminit. Nga shkurti 2009 deri në mars 2010 ka punuar pranë Institutit të Trajnimit të Administratës Publike.
Nga marsi 2010 – mars 2012 ka punuar si Përgjegjëse e Sektorit të Drejtësisë për të Mitur dhe të Drejtës Familjare pranë Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Nga prilli 2012 e këndej ka punuar si Inspektore në Drejtorinë e Koordinimit të Çështjeve të Pronësisë pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Aktualisht emërohet Këshilltare për Çështjet Sociale, pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.