Mitro Xhani (1916–1944) Hero i popullit.

Më 25 korrik 2016 mbushen 72 vjet nga rënia e Heroit të Popullit Mitro Xhani në Dukaj të Tepelenës, në një nga luftimet më të përgjakshme të Brigadës VI Sulmuese. Ai lindi më 3.11, 1913, në fshatin Piqeras të Sarandës, në një familje të varfër. Fshati Piqeras u lidh shumë shpejt me LANÇ, sepse në 1940–1941, duke qenë Kryetar Komune Mustafa Matohiti, Hero i Popullit, orator i shkëlqyer për përhapjen e ideve të LANÇ, punoi me të rinjtë e fshatrave të Bregdetit dhe në Piqeras krijohet grupi i parë edukativ me në krye Mitron. Nga ky fshat dolën 30 partizanë, ranë 10 dëshmorë, nga të cilët 2 Heronj të Popullit, Vasil Laçi e Mitro Xhani, u internuan për në Gjermani 47 fshatarë, ndaj në qendër të fshatit është ngritur lapidari për nder të dëshmorëve të LANÇ. Shërbimin ushtarak Mitrua e kreu në Tiranë në repartin e xhenjos. Aty ra në sy aktiviteti i tij si një antifashist, prandaj ai me një grup shokësh arratisen natën me gjithë armatimin dhe bashkohen me çetën e Pezës, ku ai qëndroi 7 muaj dhe në gusht 1942 niset në Bregdet e Kurvelesh për detyra të rëndësishme partie. Në dhjetor 1942 pranohet anëtar i PKSH dhe me formimin e çetës “Hajredin Tremishti”, u rreshtua në radhët e saj si anëtar i komandës me detyrën e intendentit. Gjatë luftimeve dallohej për trimëri, guxim, shkathtësi, zgjuarsi dhe aftësi komunikuese me shokët. Ai kishte një trup të fortë, shtatlartë e të kalitur, prandaj shokët i vunë preudonimin “Balena”. Më 30 gusht 1943 merr pjesë në luftën e Libohovës dhe në 17 shtator në Sarandë kundër trupave fashiste italiane. Duke qenë një kuadër i aftë në tetor 1943 ngarkohet me detyrën e komisarit të çetës “Çerçiz Topulli”. Dy muaj më vonë emërohet zv/komisar i batalionit “Abaz Shehu”. Me krijimin e Brigadës VI Sulmuese më 26. janar 1944, u ngarkua me detyrën e zv/komisarit të batalionit të dytë. Brigada VI Sulmuese në korrik 1944 ndodhej në rrethin e Tepelenës për ta çliruar atë zonë dhe mandej të vazhdonte luftën në Shqipërinë e Mesme. Pengesë për vazhdimin e luftës ishte bllokimi i rrugës Tepelenë-Vlorë nga gjermanët, të cilët kishin zënë pozicion në shkëmbin e Dukajt, një fortesë strategjike, ku armiqtë dhe trathtarët kishin vendosur pozicione të fortifikuara, si transhe e qendra zjarri. Këtu ishte vendosur edhe batalioni famëkeq “Vermoshi”, ku bënin pjesë gjermanë, italianë, ballistë e xhandarë, gjithsej 250 vetë të udhëhequr nga oficerë gjermanë dhe mercenarët Halil Alia e Selim Kaloshi, të gjithë kriminelë e hajdutë, të cilët, pasi kishin djegur e masakruar popullin e pafajshëm të Qarkut të Vlorës në Operacionin e Qershorit 1944 iu drejtuan edhe Tepelenës, duke ndaluar në Dukaj. Fshatarët, duke ditur çfarë kishin bërë këto forca, u larguan nga banesat e tyre dhe shkuan nëpër male. Komanda e Brigadës VI Sulmuese urdhëroi batalionin e dytë që të asgjësonte forcat armike të vendosura në Dukaj. Për këtë qëllim u caktua një grup partizanësh, me në krye zv/komisarin e batalionit Mitro Xhani. Për 2 ditë studiuan terrenin dhe vendndodhjen e armikut. Ata hartuan planin e sulmit, të cilin e diskutuan në shtabin e batalionit dhe me partizanët. Meqënëse Mitrua e njihte mirë terrenin, së bashku me 11 partizanë, të cilën dolën vullnetarë, u caktuan për tu ngjitur në shkëmbin në Dukaj natën e 24 korrikut, të cilët hipën pa u diktuar nga armiku. Më 25 korrik në orën 4.00 të mëngjesit u dëgjua plasja e një bombe dhe zëri i Mitros: “Para partizanë”. Zjarr nga të katër anët dhe armët armike qëllonin papushim. Zjarr e flakë u ndez vendi për 3 orë rresht në luftë trup me trup me armikun. Skuadra sulmuese luftonte në vijën e parë të zjarrit. Partizani Apostol Çuni afrohet te kodra shkëmbore, hodhi 2 granata, asgjësoi një mitraloz të rëndë gjerman, por mbeti i vrarë. Skuadra sulmuese u afrohet llogoreve të armikut dhe vazhdon luftimet. Mitro Xhani, mbasi kontrollon prezencën e gjithë skuadrës, urdhëroi furnizmin e saj me granata dore. Skuadra hidhet në sulm dhe ai i pari hidhet në sulm mbi llogore, i shkatërron ato, por një plumb e merr në ballë. Ra heroikisht “Balena”. Lufta u ndez e rreptë. Në këtë kohë mbrrijnë edhe partizanët e tjerë të batalionit, të cilët në bashkëveprim me forcat territorial e shpartallojnë armikun. Bilanci i kësaj lufte ishin shumë të vrarë nga forcat armike, 70 robër, 5 mitraloza të rëndë të zënë trofe, 6 të lehta, 160 pushkë etj. Kështu që batalioni “Vermoshi” u shpartallua përfundimisht. Nga forcat partizane u vranë 11 partizanë. Në këtë betejë mori pjesë edhe gruaja e tij, partizania trime Athina Xhani, Partizani më i moshuar Ismet Baçi e merr Athinanë dhe i thotë: “Eja të shkojmë tek Mitrua!”. Shokët e kishin vendosur në hijen e një peme trupin e tij dhe kur mbrriti Athinaja shtangu kur pa trupin e pajetë të bashkëshortit dhe nuk i mbajti dot lotët. Ajo mblodhi veten dhe tha me ligjërim: “Ti more Mitro nuk ishe vetëm bashkëshorti im i jetës, por edhe shoku im i luftës. Ti më dhe shpirt, më mësove dhe edukove, më bëre luftëtare e partizane të devotshme”. Pastaj ajo kërkoi që për kujtim të mbante automatikun dhe kapelen e Mitros. Presidiumi Kuvendit Popullor i dha Mitro Xhanit dekoratën më të lartë Hero i Popullit.