Mon Balaj
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Mon Balaj lindi më 25 mars 1980 në gjirin e një familje atdhetare. Familje kjo që, qysh nga viti 1912, kur vendet armiqësore ballkanike filluan pushtimin e trojeve shqiptare, dha djemtë saj për lirinë. Kadriu dhe Abdullahu ishin dy burra nga kjo familje që thirrja për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut i gjeti në ballë të detyrës. Në luftë përballë me pushtuesit bullgar që depërtonte drejt Anamoravës, me nder ranë në altar të lirisë. Kadriu në shtëpinë e tij atëbotë kishte lënë vetëm gruan e tij të re, shtatëzënë e cila më vonë lindi një djalë, Ademin. Pra, la trashëgimtarin nga i cili më vonë do të dilte një familje e madhe e cila do të jetë gjithmonë qerdhe e patriotizmit. Fara e atdhetarisë e mbjellë nga gjyshi Kadriu, do mbinte, rritej e kultivohej nga kjo familje. Edhe përkundër, presionit të vazhdueshëm nga pushtuesit jugosllav, kjo familje nuk e ndaloi asnjëherë vaprimtarinë patriotike. Xhaxhai i Monit, Nexhmiu, ishte dënuar me 11 vite burg si organizator i demonstratave. Shtëpia e tyre në një anë u bë qerdhe e revolucionarëve të kohës e në anën tjetër gjithashtu nuk pushoi së trazuari nga pushtuesit me bastisje e arrestime. Xhaxhai tjetër, Nebihu, i arrestuar, izoluar dhe përndjekur gjatë viteve ’80 dhe atyre ’90 u detyrua të arratisej nga Kosova pasi ishte zbuluar nga policia, për t’u kthyer si ushtar i saj, në flakën e luftës, i rreshtuar në rradhët e UÇK-së që në fillim të marsit ’98, në Drenicë.