Monumenti i Mushqetase
Monumenti i Mushqetasë Vepër e Skulptorit të Merituar Hektor Dule ngritur më 1970 në vendin ku në nëntor 1944 mbi rrugën Tiranë-Elbasan, brigadat partizane shpartalluan forcat naziste gjermane që vinin nga jugu, në një betejë me rol vendimtar në luftën për çlirimin e Tiranës. Monumenti i del papritur përpara udhëtarit në një kthesë të fortë rruge afër Ibës, duke bërë përshtypje me kompozimin dinamik dhe motivet simbolike. Ai përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë del në ballë, si skulpturë e rrumbullakët me forma të mëdha plastike dhe paraqet një grusht vigan duke shtrënguar grykën e një pushke. Pjesa tjetër, si sfond prapa saj, është një reliev në formë frize, që paraqet në mënyrë simbolike tre momente të betejës dhe ka një mbishkrim.