Mozart, me vonesë roman me Autor Bashkim Shehu. Shtëpia botuese "Toena", viti i botimit 2009. Faqe 312.

Sfondi historiko-shoqëror, ku vendosen ngjarjet është Shqipëria në vitet e regjimit totalitar, kur sapo kishte ndodhur çarja e madhe midis regjimit komunist në Shqipëri dhe Kampit Socialist të Lindjes me në krye Bashkimin Sovjetik. Në këtë roman rrëfehet vënia në skenë e një opere të Mozartit, “Cosí fan tutte”, në Shqipërinë e viteve ‘60, dhe se si veprimi skenik dhe pasojat e shfaqjes i kapërcejnë kufijtë e skenës, duke u ndërthurur në fatet e personazheve të ndryshëm: në skandale marrëdhëniesh erotike për disa, po për disa të tjerë gjithçka shndërrohet më tej në një histori absurde përndjekjesh policore dhe akuzash politike me pasoja nga më të rëndat. Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nis me gruan e një kandidati të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, gjithashtu drejtuese e lartë në vitet ‘60, për të vijuar me fatet e shumë personazheve të tjera, si drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, tenorin, sopranon, baritonin, skenografin e të tjerë artistë, ose jo që morën pjesë në ndërmarrjen e vënies në skenë të operës mozartiane. Nëpërmjet fokusimit në mjediset artistike dhe pushtetare, paraqiten xhelatë dhe viktima, fajtorë dhe bashkëfajtorë, shpirtra të përçudnuar dhe shpirtra që, me dëshpërim, përpiqen të ruajnë brenda vetes një dritëz vërtetësie, në farsën e teatrit të madh të jetës nën totalitarizëm. Hija e një të kaluare që shtrihet deri në ditët tona. Autori lëvrin në disa rrafshe kohore. Niset me vitet ‘60, kthehet vite më pas, në kohën e studimeve të personazhit kryesor, Margaritës, për t’u kthyer tek ngjarja që është strumbullari e veprës, por shkëputet sërish për të ardhur në mileniumin e ri, për të na treguar fatin e ndonjë personazhi, apo vepre, për t’u rikthyer sërish në ngjarjen kryesore.