Mulla Asim Efendi Luzha lindi në Gjakovë, në vitin 1890 dhe vdiq ne vitin 1945 rrjedh nga një familje e njohur qytetare, intelektuale, fetare dhe atdhetare.

Mulla Asim Efendi Luzha

Biografia Redakto

Është djali i dijetarit të madh, Myderriz Murteza Efendi Luzhës, që në popull njihet me titujt e nderuem : Haxhi Myderrizi, që do të thotë se ishte Haxhi dhe Myderriz. Kjo për atë kohë, ore mik, është sikur sot me kenë akademik !

Mulla Asim Efendi Luzha mësimet fillestare i kreu në Gjakovë, i vazhdoi në Shkup, kurse i përfundoi në Gjakovë, në Medresën e Madhe.

Tërë jetën, ky burrë dijetar e trim, shërbeu me përkushtim. Shërbeu me nderë, në dimër e verë, ishte hoxhë, predikues, mësues.

Në fillim e caktuen të shërbej në katunde të Gjakovës, në Cërmjan, në Skivjan, ku shërbeu me përkushtim, me devotshmëri, aq sa ende ka pleqë që e përmendin me respekt, me dashuri.

Kur u kthye në vendlindje, në Gjakovë, meqë kishte fitue përvojë e emëruen imam në Xhaminë e "Islam Begut", e cila ndodhej në qendër të Gjakovës, ku shërbeu deri në fund të jetës së tij, që përfundoi tragjikisht, por kështu lartësohet njeriu shpirtërisht.

Mulla Asim Efendi Luzha, përveç shërbimit si hoxhë, predikues, mësues, një kohë, për rrethanat e kohës, ishte domosdoshmëri, kur shumica kishte frikë, ai është marrë edhe me politikë.

Në vitin 1938 u zgjedh deputet i popullit në Drenicë, pra ka përfaqësuar interesat e Drenicës në Beograd, në Kuvendin e Mbretërisë së Jugosllavisë, gjatë viteve 1938-1941, derisa Mbretëria Jugosllave u shkatërrue, meqë, sikur dihet, nga Gjermania e Hitlerit ajo mbretëri, që ishte varr'i popujve, për shqiptarët në veçanti, u pushtue, u coptue.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1941-1944, për shqiptarët e Kosovës, që kryesisht u bashkuen me Shqipni, edhe pse ishin nën Itali, nën Gjermani, gëzuen pakëz liri.

Kjo nuk zgjati shumë, sepse menjëherë, pas luftës, filloi një tjetër zullum. Zullumi filloi në Drenicë, me fillimin e vitit 1945, kudo vrasje, pushkatime, masakrime nga forcat armike, nga brigadat partizane-çetnike.

Duke e vërejtur zemërimin e madh të popullit të Drenicës, në krye me Shaban Polluzhën, forcat partizane-çetnike, përmes Fadil Hoxhës, kërkuen bisedime.

Bisedimet filluen, me Ymer Pulën e Ismet Shaqirin por sa filluen ato dështuen ! Atëherë, sërish, kërkuen bisedime, që ishin vetëm kurtha, mashtrime. E kërkuan me telegram urgjent nga Prishtina ish-deputetin e Drenicës, Mulla Asim Efendi Luzhën, i cili ishte hoxhë në Xhaminë e "Islam Begut" në Gjakovë.

Mulla Asim Efendi Luzhën, para se të nisej për në Prishtinë, disa hoxhallarë gjakovarë, që ishin anti-komunistë, atdhetarë, si Hafiz Ymer Guta e Hasan Efendi Dashi e këshilluen Asim Efendinë të mos shkoi në Prishtinë, por ai, meqë e donte Drenicën, nuk i ndëgjoi dhe u nisë, shkoi.

Kur arriti në Prishtinë, në Shtabin Operativ, i thanë se bisedimet me përfaqësuesit e Drenicës do të mbahen në katundin Tërstenik. Mulla Asim Efendi Luzha, i shoqëruar nga dy partizanë arrinë në katundin Tërstenik.

Ishte dimër, ora 21, me 30 janar 1945, ushtari që e shoqëronte, kinse e mbronte, duke u ngjitur shkallëve në kullë i futi hoxhës bombën e aktivizuar në xhep dhe vetë iku, ndërsa bomba ekplodoi dhe jeta e hoxhës përfundoi ! Ka edhe versionet të tjera, por përfundimi është se hoxha u vra, në gjak u la, nga Drenica për së gjalli nuk u nda !

Mulla Asim Efendi Luzha u varros në Tërstenik, por pas një kohe e zhvarrosin dhe e dërgojnë në Gjakovë, ku varroset me nderime afër Urës së Tabakëve, në varrezat e Tyrbes së Tahir Efendisë.

Populli i Drenicës e ka përjetësuar Hoxhën, Asim Efendi Luzhën, siç thotë edhe kjo këngë popullore :

Asim Luzha ni hoxhë azgan, 
Pej Prishtine nisë koka konë, 
Drekën gjysë e paska lanë, 
Ni besë të Zotit e paska dhan, 
Për Drenicë me u ba kurban. 
O fort mërzitet Shaban Polluzha 
Sod na u vra edhe Asim Luzha, 
Sa t'jenë jeta me jetue, 
Kurrë Drenica s'ka me t'harrue, 
S'e harron kët deputet 
Ja dha votat për shumë vjet.

Këto vargje të këngë popullore me titull: "Çka po thotë Asim Luzha" tregojnë me besnikëri, se hoxha gjakovar, Mulla Asim Efendi Luzha, u ba kurban, u ba fli, për Drenicë, për Kosovë, për Shqipni.