Muzeu Historik i Matit është inaugurua me 29 nëntor 1967, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit. Por zanafilla e evidentimit dhe grumbullimit të materialeve me vlera historike dhe kulturore daton në vitin 1964. Ish përgjegjësi i Bibliotekës Mat, Dilaver Kurti mbuloi për tre vjet edhe punën e drejtorit të Muzeut Historik. Asokohe në qendër të qytetit, në afërsi të Hotel Turizmit “Mati” u përshtat një godinë si Muze. Muzeu aktual ndodhet 250 metra larg qendrës së qytetit të Burrelit, në fund të rrugës “Rezhep Pashë Mati”.

Ky objekt funksional dhe me vlera arkitekturore është projektuar nga arkitekti i njohur Valentin Voshtina në vitin 1983 dhe përfundoi se ndërtuari në vitin 1985. Është përuruar më 30 tetor 1986. Nga pikpamja arkitekturore godina është një kombinim i kështjellës me banesën matjane dhe disa elementë të objekteve kishtare. Godina është ndërtuar me tri kate mbi tokë që shërbejnë si mjedise ekspozimi dhe një kat gjysëmnëntokë, aktualisht jo funksional, ndërkohë më disa vite më parë ka shërbyer për mjedise laboratory, konservimi, magazinimi, kaldaja, etj. E gjithë sipërfaqja e Muzeut Historik Mat është 1200 m2 , nga të cilat 836 m2 kanë shërbyer si mjedise ekspozimi dhe 286 m2 mjedise pune, zyra për administratën, salla për biseda, arkiv, etj. Muzeu nga jashtë është i rrethuar nga kangjella dhe ka një mjedis me drunj dekorativ dhe lule të ndryshme, të cilat janë përshtatur me klimën e qytetit të Burrelit.

Gjatë vitit 1986 u hatua platforma për mirëfunksionimin e Muzeut. Ajo përfshinte periudhat; Lashtësi, Mesjetë, Rilindja, Mati i Kuvendeve, Mati dhe Skënderbeu, Monarkia, Lufta Nacionalçlirimtare,Periudha e Ndërtimit Socialist dhe pavionet; shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik, si dhe një pavion i gjërë kushtuar Etnokulturës së Matit.Këto pavione ekzistojnë edhe aktualisht, por për shkak të trazirave të vitit 1997 sot mungojnë disa nga pavionet. Në Muze përfaqësohen të gjitha periudhat e lashtësisë me neolit, bakër, bronx, hekur, antikiteti ilir, mesjeta e hershme, por ka një varfëri objektesh për shkak të dëmeve të shkaktuara në pranverën e vitit 1997.

Në vitet 1967-1992 Muzeu Historik Mat është drejtuar nga Dilaver Kurti, 1992 nga Avni Leka, 1992-1998 nga Vladimir Barhani, 1999-2008 nga Sefer Duka, prej 2008 nga Suzana Kurti (Gjokola). Në këtë Muze kanë punuar historianët Mëhill Elezi, Vjollca Loci, Sanije Zeneli, Fatos Doda. Kanë kontribuar edhe piktorë e fotografë të trevës së Matit Miftar Cubi, Vlash Gjoni, Alfred Stafasani. Në Muze janë dy tabllo (piktura) murale të titulluara Kuvendi i Dukagjinit i vitit 1601-1602 dhe Kryengritja e Matit e korrik-gushtit 1943 të realizuara nga piktorët e talentuar Naxhi Bakalli e Fatmir Haxhiu. Shtatorja e Luftëtarit ilir është punuar nga skulptori Hektor Dule.

Në vitin 1988, në një konkurs ballkanik që u zhvillua në Plovdiv të Bullgarisë për veprat (godinat) kulturore, të paraqitura me foto dhe skica, godina e Muzeut Historik Mat, ndodhur në qytetin e Burrelit, ka fituar çmimin e parë. Muzeu ka në mjediset e tij material historike dhe të dhëna arkologjike, etnografike dhe arkivore të gjithë trevës së Matit, me një popullsi afro 65 mijë banorë.