Muzika e dhomës është një nënlloj muzike që përfshin kompozimet instrumentale e vokale për disa vegla e zëra, si romanca, sonata, trioja, kuarteti, etj. Prodhohet me bashkëveprim harmonik të pak veglave të ndryshme, që luajnë pjesë me karakter kryesisht lirik. Në Shqipëri muzika e dhomës lindi e u zhvillua kryesisht pas viteve 40, në kuadrin e muzikës së realizmit socialist. Veprat e saj karakterizohen nga larmia e figurave muzikore, lirike, heroike, festive etj. Pasqyroheshin aspekte të ndryshme nga jeta e natyra shqiptare, psikologjia shoqërore socialiste, bota e brendshme shpirtërore e njerëzve etj. Në përgjithësi, muzika shqiptare e dhomës është trajtuar para viteve ‘90 në lidhje të ngushtë me folklorin dhe dallohet për koloritin kombëtar e frymën popullore.