Nazlie Bala (lindur më 17 maj 1967) është një aktiviste për të drejtat e grave dhe avokimin për barazi gjinore dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në Kosovë. Ajo ka ndjekur studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe ka ndërtuar një karrierë të bujshme në çështje të të drejtave të njeriut dhe të grave, me një fokus të veçantë në mbështetjen e viktimave që kanë përjetuar dhunë gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1990 dhe në pasluftë në Kosovë[1]

Jeta personale

Redakto

Nazlije Bala u lind në Prishtinë, në një familje prej tetë fëmijësh (pesë djem dhe tre vajza), ku ajo është fëmija i pestë. Nëna e saj ishte amvise, ndërsa babai, teknik në fushën e mjekësisë, kujdesej për familjen dhe jetonin njw jetw mesatare. Fëmijëria e saj ishte plot momente të bukura dhe përvoja të ndryshme, që shfaqeshin me energjinë dhe zellin për të arritur qëllimet, duke tentuar edhe atë që dukej e pamundur, karakteristikë që e ka shoqëruar edhe më vonë si e rritur. Ndër momentet më të veçanta të fëmijërisë së saj është kur u shpall kampione e re e shahut në Kosovë. Pasioni i saj për artin gjithashtu u shfaq herët; ajo ka luajtur fillimisht flauten dhe më vonë klarinetin,një instrument që vazhdon të luajë ende herë pas here për shkak të dashurisë që ka për të.

Shkollimi i saj ishte një rrugëtim i vështirë. Pas vdekjes së Titos, situata në Kosovë u përkeqësua dhe çdo përvjetor i vdekjes së tij kërkonte mbajtjen e një minute heshtje. Në klasën e shtatë, gjatë një minute të tillë heshtjeje, Nazlija, duke qenë ende fëmijë, nuk mundi të ndalonte të qeshurën, gjë që solli pasoja të mëdha për të dhe për familjen. Mësuesit e quajtën atë akt si kundër-revolucionar dhe pas mbledhjes së mbajtur për këtë incident, ajo u përjashtua nga shkolla. Si pasojë, babai i saj, një kryeteknik në qendrën shëndetësore “Ramiz Sadiku”, u ul në detyrë dhe filloi të punonte si teknik dhe pastrues i thjeshtë. Gjithashtu, disa anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë vëllanë e saj dhe motrën studente, u ndëshkuan dhe humbën pozitat dhe përfitimet.[2]

Protestat dhe veprimet e drejtpërdrejta

Redakto

Aktiviteti i Nazlije Balës nuk u zbeh përkundër vështirësive, përkundrazi, ajo vazhdoi me vendosmëri për të mos iu nënshtruar regjimit të Millosheviqit. Si studente, ajo mori pjesë në demonstratën masive të 1 Tetorit të vitit 1988, ku filluan lëkundjet e para të sistemit.

Aktivizmi politik

Redakto

Nazlije Bala është anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje për çështjet e grave dhe gjithashtu aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo ka vepruar si këshilltare e Qeverisë së Kosovës dhe ka mbajtur pozita të rëndësishme në organizata ndërkombëtare si Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ishte ndër aktivistet e para në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë në vitin 1989, ku shërbeu si koordinatore në terren. Gjatë asaj periudhe ajo zhvilloi një punë kolosale, duke realizuar takime në terren me individë të shumtë të cilëve u ishin shkelur të drejtat nga regjimi i Millosheviqit deri në vitin 1999. Këshilli vazhdon të jetë aktiv edhe sot në mbrojtjen e të drejtave.

Çmimet dhe njohjet

Redakto

Viti 2000 ishte shumë i rëndësishëm për Nazlijen, pasi ajo u nderua me Çmimin e Mijëvjeçarit 2000, të dhënë nga qeveria franceze.

Referime

Redakto

[1] [2]

  1. ^ a b Rudi, Zana (3 korr 2012). "Nazlije Bala". Oral History Kosovo. Marrë më 2024-11-23.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b "Nazlije Bala". oralhistorykosovo. 21 qer 2012.