Ndihmë:Krijimi i një faqeje të re
HASAN ALLA Dëshmor i Atdheut
Në përpjekjet e bulqizakëve për të drejtat e tyre në krah të Dalip Karait e Mehmet Duriçit ishte edhe një djalosh me trup të gjatë e të mbushur, që dallonte nga shokët për guximin e vendosmërinë në aksion. Ky ishte dushari Hasan Miftar Alla që ishte pjesmarrës aktiv dhe i shquar i çetës Bulqizës në mbrojtjen e vendit. Ai shoqëronte përfaqsuesit e Bulqizës në kuvendet e dibranëve, pasi ishte trim që s’bënte kurrë prapa në rreziqet e udhëtimeve. Hasani ishte luftëtari më i vendosur në përballjet me taksambledhësit turq apo invazionet ushtarake para 1912-ës. Për burrërinë e tij ishte bërë shumë i njohur e i dashtur në Bulqizë e në Dibër. Kulla e Selman Allës, e vendosur në krye të fshatit Dushaj ka qenë bazë e luftëtarëve bulqizakë për organizimin e aksioneve kundër pushtuesve duke përdorur si rrugëkalim më të sigurtë, malin e Bardhë, për të dalë në Kacni apo në Grykë të Vogël e Dibër të Madhe. Oda e kullës priste e përcillte miq pa ndalur, duke u bërë edhe shkollë e patriotizmit e qëndresës. Kulla "Alla" e djemtë e saj, ishin baza e Çetës së Dusheve, që bashkëpunonte me luftëtarë e patriotë nga Gryka e Madhe e Katër Grykët dhe kjo e bënte atë me nam për gjitha viset dibrane. Në këtë kullë u ngjiz byrazerllëku i Heroit të Kombit, Hoxhë Bucit të Lukanit, me të parin e kullës, Selman Allën, që mbajtën në besë burrat e Lidhjes së Prizrenit bashkë me dokumentat e rëndësishme. Po këtu u strehua edhe Halit Lleshi e luftëtarë dibranë që ndiqeshin nga serbët. Aty lindi e u kalit edhe Hasan Alla, e plot djem të tjerë që i dolën zot vatanit. Më 27 nëntor 1912, një ditë para ngritjes së Flamurit në Vlorë, ushtri të shumta serbe, u shtrinë në të gjithë anën e djathtë të Drinit, me qëllim që të pushtonin të gjithë Dibrën. Me urdhër të komandës serbe, disa ushtarë kalonin lumin e bënin çarmatime e plaçkitje në Malësi. Gjendja në Shqipërinë e porsakrijuar ishte kaotike, e errët e plot intriga. Krerët e Malësisë së Dibrës: Mersim Dema, Sheh Sula, Destan Puca, Dan Cami, Zenel Hoxha, Pëllumb Lleshi, Dine Dema, Sufë Leka e tjerë, në këto rrethana të pushtimit serb filluan me shpejtësi organizimin e rezistencës së malësorëve. Në fillim të dhjetorit 1912 Hasan Alla u bashkua me Mehmet Duriçin dhe posa mësuan se ushtritë e pushtuesve serbë janë në Sopot dhe ecin në drejtim të Zerqanit, Valikardhës e Bulqizës, vrapuan nëpër Bulqizë, në Vajkal, Dragu, Koçaj e Dushaj, shtuan radhët e dolën në fshatin Peladhi e zunë pozicionet në shkëmbinj, për t'i prerë rrugën pushtuesve të pabesë. Hasan AlIa doli vrojtues për të ndjekur rrugën e ushtrisë serbe dhe, me të rënë në përpjekje me patrullën, ndizet luftë e ashpër. Një syshqiponjë lufton me qindra dhe nuk mposhtet. Hasan Alla i vendosur në pozicion dominues mbi Peladhi vazhdonte të qëndroi heroikisht duke pritur që ti vinin në ndihmë forcat e tjera që po mobilizoheshin për këtë rast. Qëndresa arriti ti ndalë serbët që u dëmtuan rëndë dhe u detyruan të ngjiten në fshatin Valikardhë e të lëvizin në drejtim të Zerqanit. Kjo ishte fitorja e parë që i gëzoi luftëtarët bulqizakë. Hasani ishte kalitur në shumë beteja për liri e të drejta, por kjo ishte përpjekja e parë me pushtuesin serb që donte të kalojë nëpër Bulqizë për të hyrë më në brendësi të Shqipërisë. Grupi i luftëtarëve bulqizakë po luftonin me vetëmohim dhe serbët u gjendën në një pritë të pakapërcyeshme. Nga 27 nëntori 1912 deri më 13 janar 1913, në brigjet e Drinit, nga Ura e Topojanit deri te Ura e Spiles, u bë një përpjekje heroike. Në ato ditë të ashpra dimri, dibranët, të veshur e të armatosur keq treguan heroizma të pashembullta. Serbët patën humbje të mëdha. Në bashkëpunim me forcat e rezistencës dibrane ndaj pushtuesit serbë, Mehmet Duriçi dhe Destan Puca duhej të siguronin bllokimin e serbëve të cilët e kaluan urën e Topojanit dhe po lëvizte nëpër Homezh dhe synonte të kapë fushën e Peladhisë e të futet në Bulqizë. Hasan Alla në krye të një grupi të vogël luftëtarësh dusharë zënë pozicione në Qafën e Bllacës ku shiheshin fushat e Grykës së Vogël dhe Dibra e Madhe si në pëllëmbë të dorës. Komanda serbe solli forca të shumta dhe urdhëroi të kalohej Drini, të vritej, digjej e shkretohej gjithçka ata gjenin përpara. Vendi u bë shkrumb e hi. Populli u largua maleve, por nuk u gjunjëzua. Luftëtarët bulqizakë, nën drejtimin e Hasan Allës e Muharrem Gjetës zunë prit në kufi me Bllacën. Hysen Tasha bashkë me Han Lekën, Riza Lleshin, etj. mblodhën luftëtarët e fshatit Bllacë e zunë pritë serbëve në faqet e malit Bllacës. Ishin zanë pozicionet e luftimit për t'ju prerë rrugën pushtuesve serbë të pabesë, kur u dha kushtrimi. Hasani po qëllonte me kujdes çdo fishek dhe i dëmtoi serbët sa nuk e mendonin. U thirri shokëve të largohen dhe vetë e la shkrepin e u ngjit vetëtimthi në një lis të madh, që të kontrollonte vendet ku ishin fshehur serbët. Nga lisi nën muzgun e mbrëmjes së acartë, qëlloi disa herë derisa e diktuan dhe e plagosën rëndë. Tetë serbë të mallkuar mbetën të vrarë dhe disa u plagosën. Por, plumbat e malIkuar të armiqve të tërbuar e goditën këtë trim rëndë, por Hasan Alla i mbështetur nga luftëtarët dusharë e bllacas edhe i plagosur, luftën nuk e ndali, deri sa dha jetën duke u thirrur shokëve, që të sulen mbi armikun e pabesë, me guxim e trimëri. Qëndresa e Hasan Allës, ka mbetur në historinë e kësaj krahine si një shembull i shkëlqyer i trimërisë e guximit, në luftë për mbrojtjen e Atdheut. Në luftën e kësaj dite janari 1913 ranë dëshmorë Hasan R Alla nga Dushaj, Han Leka, Riza Lleshi e Hysen Tasha nga Bllaca dhe Zenel Ali Kaziu e Hysen Kaci nga Gjurasi dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, me vendimin nr.72, datë 23.05.1978 të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër. (Arkivi Shtetëror Vendor Dibër, Fondi 1, viti 1978, dosja 102, …. Gjatë këtyre ditëve ndodhën shumë ngjarje. Tregonin për një malësor, që kishte hipur në një lis dhe nga sipër ai vrau 7 ushtarë dhe komandantin e tyre. i prekur dhe i frymëzuar nga ky veprim, ideologu dibran i asaj kohe, Haki Sharofi, më 1913 shkroi vjershën “Një malësori” i frymëzuar nga qëndrimi heroik i luftëtarëve që derdhën gjakun për Atdheun dhe i Hasan Allës, që luftoi në majë të lisit përballë gjakatarëve, deri sa dhanë jetën për liri: “Atë ditë që t’kish rrethue,
gjithë ushtri e Serbisë, Atdheun tan për ta prue, kishe hipur në lis. Mos të të vij keq pse ndrove jetë, mbasi vrave shtatë ushtarë. Komandanti, qe i tetë, ish i parë ndër këta barbarë, Emri yt, vallë si quhet? se na duhet për Shqipni, se ky emër nuk harrohet
do ta shkruajmë në histori.” Hasan Alla, ishte bari i thjeshtë, por luftëtarë trim nga fshati Dushaj i Bulqizës, që ra në lulen e rinisë, dhe la jetimë dy djem, Miftarin dhe Destanin. Pas ngjarjes që ndodhi në Qatë të Bllacës, trupin e Hasanit e varrosën afër vendit të ngjarjes dhe pasi pushoi lufta bashkëfshatarët e tij e sollën trupin e heroit në varrezat e fshatit Dushaj. Kujtesë: Për dëshmorin e Atdheut Hasan Alla në nëntor të vitit 1982 është referuar nga mësuesi Selman Alla në sesionin shkencor që u organizua në Bulqizë me rastin e 70-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me temë: "Hasan Alla, dëshmori i parë bulqizak në luftë me serbët më 1913". Referencat: 1) Bashkim Lami “Qëndresa e bulqizakëve në luftrat për liri”, bot 2021, faqe 275-282 2) Sipas kujtimeve të mësuesit Selman Alla, pinjoll i familjes. 3) Sipas kujtimeve të Ferit Allës, pinjoll i kësaj familje. 4) Fatos Daci, “Një shekull poezi dibrane”, 2009 fq 12 vjersha e Haki Sharofit, “Një malësori” e kushtuar dëshmorit bulqizak Hasan Alla 1913. 5) Ymer Keta, Bulqiza dhe bulqizakët 6) Mendu Dema, arkivi gazetës “Dibra” 7) Lista e Dëshmorëve të Atdheut, Ministria e Mbrojtjes së RSh, Deshmorët e Qarkut Dibër.
[{ Deshmorët e Qarkut Dibër }] [{ Bulqiza }] [{ Fshati Dushaj, Bulqizë }] [{ }]