Ndoc Martini
Ndoc Martin Camaj lindi në Shkodër në vitin 1880. Ishte nxënës i Kolë Idromenos, i cili e drejtoi atë në rrugën e artit.
Prej vitit 1904-1907 ishte bursist dhe frekuentues i Shkollës Normale në Kolegjin italo-shqiptar të San Demetrio Coronës. Gjatë kësaj periudhe realizoi edhe afresket e ndërtesës. Në të njëjtin vit vendoset në Paris ku për dy vjet ndjek një bursë studimi në Shkollën e Arteve të Bukura. Në vitin 1913 sëmuret nga tuberkulozi dhe në vitin 1916 ndahet nga jeta i vetëm dhe i varfër në një sanatorium të Parisit. Sot, në Shqipëri Martini është i njohur vetëm përmes portretit të "Doktor Prelës", të realizuar në kulmin e krijimtarisë së tij në Paris. Ky portret është i ekspozuar në seksionin "Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare" (1883-1930) në Galerinë Kombëtare të Arteve.