Nikolas Krebsi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Nikolas Krebsi, (Nikolla Kuzanski, Nicolaus Cusanus, N. i Cuses, N. Chrypffs, 1401-1464), filozof dhe teolog i njohur me emrin e latinizuar Nikolaus Kuzanus, lindi më 1401 në Kye, në brigjet e Mozelës (sot Berrikastel-Kye). Edukimin e parë e mori në Deventer, në vendet e ulëta, pranë Vëllezërve të Jetës së Përbashkët, rreth i përbërë nga klerikë dhe laikë që dëshironin një jetë prej murgu, pa hequr dorë nga dëshirat. Më 1416-1417 studioi "artet liberale" në Universitetin e Haidelbergut, pastaj të drejtën kanunore, matematikën dhe filozofinë në Padovë. Pas një qëndrimi prej gjashtë vjetësh në Itali, shkoi në Këln për të studiuar teologjinë dhe u interesua në mënyrë të veçantë për skolastikën platonike të Albertit të Madh dhe mendimit sa logjik aq edhe metafizik të teologut dhe poetit katalanas Raimond Lule (rreth viteve 1235-1315). Ai ushtroi paralelisht veprimtari si jurist dhe historian i së drejtës. Punimet e tij në këtë lëndë u vlerësuan shumë, sidomos kur përcaktoi se e famshmja "Dhurata e Konstantinit" ishte e rreme, duke datuar nga gjysma e dytë e shekullit VIII. Duke filluar nga viti 1432, Nikolas Krebsi mori pjesë si përfaqësues i plotfuqishëm i kryepeshkopit të Trevës në konsilin reformues të Balës. Më 1434, paraqiti aty një shkrim të titulluar De concordantia catholica, nëpërmjet të cilit pozicionohej në grindjet e ethshme që përçanin Kishën. Më 1437, shoqëroi në Bizant një delegacion të ngarkuar nga papa Eugjeni IV për t'i dhënë fund skizmës (ndarjes) midis Kishës së Lindjes dhe Kishës së Perëndimit. Por misioni dështoi. Rrugës së kthimit, atij i lindi ideja e teorisë filozofike, që e zhvilloi pak më pas në veprën e tij kryesore, De docta ignorantia. Po atë vit, më 1440, përpiloi veprën e dytë filozofike De conjecturis (Koniunkturat). I emëruar kardinal më 1448, peshkop i Briksenit më 1450, Nikolas Krebsi ndërmori shumë misione si i dërguar i Papës në kuadër të reformës së Kishës. Gjatë këtyre dy viteve shkroi edhe dy vepra të tjera: De visione Dei (Vizioni i Zotit) dhe Idiota de sapeientia, de mente, de staticis experimentis (Profani, mbi diturinë, mbi shpirtin, mbi eksperimentet e peshimit).
Si pasojë e konflikteve të dhunshme dhe të zgjatura me dukën Sigismond i Tirolit, Nikolas Krebsi la Briksenin më 1458 dhe u kthye në Romë me thirrjen e papa Piut II, mik i tij prej shumë kohësh, që e ngarkoi me funksione të larta, mes të cilave edhe me atë të vikarit të përgjithshëm. I mobilizuar përsëri me projektet e reformës, përpunoi një raport voluminoz për reformimin e klerit romak, që mbeti i papërfunduar. Nikolas Krebsi vdiq më 11 gusht 1464 në Todi, në Umbria, dhe u varros në Kishën e Shën Pjetrit, në Romë. Në Kyes ndodhet edhe sot spitali "Shën Nikolas" themeluar dhe pajisur nën kujdesin e tij, të cilit i dhuroi edhe bibliotekën e vet.
Me Uiliam d'Okamin, françeskan anglez që përfaqësonte skolastikën e vonë (fazën e tretë dhe të fundit të kësaj shkolle), vazhdoi evolucioni tashmë i nisur nga Roxher Bakoni vizionarit të teknikës dhe bashkëkohës i Thoma d'Akuinit: ndarja e besimit dhe e shkencës. Uiliam d'Okami nuk ishte aspak ithtari një shkence që të përfshinte gjitkçka, skkencat natyrore tek teologjia, dhe sidomos nuk ishte aspak për një teologji skkencore. Ai besonte tek ajo që Kisha i jepte për të besuar dhe, megjithatë, u dha pas një kërkimi natyror tërësisht empirik. Për të, natyra përbëhet nga gjëra të veçuara, e përgjithshmja - të famshmet "koncepte universale" - ekzistonin vetëm në arsyen njerëzore. Duke vepruar kështu, françeskani anglez kthehej te nominalizmi: asnjë tjetër përveç ne, njerëzve, nuk e krijon dot terminologjinë që përshkruan botën që vërejmë. Për këto mendime të guximshme, u dënua dhe u shkishërua nga urdhri i tij.
Rruga e vetme që të lejon t'i afrohesh së vërtetës ose Zotit është t'i mendosh si Unitet të kundërtat (Njëshi dhe Shumësia, Subjekti dhe Objekti etj.). Kjo teori e Nikolas Krebsit vazhdoi të mos u shqitej mistikëve të fillimit të Kohëve Moderne, por edhe filozofëve të periudhës romantike.
Në ndryshim nga Italia, ku mendimi dhe arti i Rilindjes nganjëherë ndaheshin prerë nga tradita "gotike" e Mesjetës, në veri të Europës - sidomos në Vendet e Ulëta dhe në Gjermaninë e Jugut - kultura mesjetare njohu një lulëzim të vonshëm, sipas një shpirti sa feudal, aq edhe borgjez, që historiani Johan Huizinga e cilëson si "vjeshta e Mesjetës". Asgjë nuk e karakterizon më mirë këtë kulturë sesa, për shembull, piktura e Rozhier Van der Veidenit, hollandez, veprat e të cilit nuk u mbeten prapa në asgjë paneleve më të mira të Rilindjes italiane. Ky art nuk kërkonte të paraqiste rregullin e botës në monumentalitetin e katedraleve, por ta gjente në vëzhgimin e imët dhe të detajuar të natyrës, duke shkuar krahas me një mistikë fetare të një besimtarie të madhe, por që nuk ishte armike me botën. Te Mbi tablonë ose Vizioni i Zotit, përpiluar më 1453, Nikolas Krebsi u shpjegon filozofinë e tij murgjve të abacisë të Tegernses. Si shembull të një imazhi të "shquar" të epokës, ai zgjodhi pikërisht për të përmendur aty një tablo të "piktorit Rozhier", që e kishte parë në Pallatin e Guvernatorit në Bruksel. Edhe murgjit kishin një tablo të njohur: fytyra e Zotit, që paraqitej aty kishte, me sa dukej, vetinë të ndiqte me sy shikuesin, në çdo pozicion që të zhvendosej ai. Nikolaus Krebsi bëri nga kjo vepër një parabolë (një "simbol") të idesë së tij themelore, coincidentia oppositorum, ose "përkitja e të kundërtave". Zoti, i Vetmi, vështron shumësinë tonë të individëve, dhe ne, të shumtë, vështrojmë Zotin, të Vetmin. Shumësia dhe të Qenët i vetëm, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por marrin pjesë bashkërisht. Te Vizioni i Zotit, titull që nga pikëpamja gramatikore përfshin sa vështrimin e Zotit mbi njeriun aq edhe soditjen e kundërt, subjekti dhe objekti përbëjnë një të vetëm, megjithëse janë të ndryshëm dhe të pavarur. Në fakt, tabloja e Zotit është e njëjtë, kur nuk e vështrojmë, ndërsa ne jemi të njëjtë kur tabloja nuk hedh vështrimin e saj mbi ne.
Zoti është gjithmonë i pranishëm, por varet nga liria jonë për ta kuptuar apo jo këtë prani. Ne e pranojmë gjithashtu në mënyrë pasive tablonë e atij që vështron, edhe duke qenë aktivë në soditjen tonë. Atje ku Zoti nuk vështron, nuk ka asgjë për t'u parë, aty ndodhet Hiçi; por Hiçi është, sepse vështrimi i Zotit do të mundej, nëse dëshironte, të shkonte aty - poshtë. Çdo gjë që është dukshëm e kundërt, është në të vërtetë e vetmja dhe e njëjta gjë dhe e kundërta e saj. Nikolas Krebsi thërret mbi të gjitha matematikën për të shpjeguar "përkitjen e të kundërtave". Një vijë e drejtë dhe lakorja që përshkon periferinë e një rrethi bashkohen në pafundësi, ashtu si qendra dhe periferia e një sfere pafundësisht të vogël; në shifrën një gjendet parimi i të gjitha shifrave, si dhe shifra e pafundësisë. Një është çdo gjë, çdo gjë është një; megjithatë, ato puqen si të kundërta.
Nëpërmjet konceptit të tij të unitetit të të kundërtave, Nikolas Krebsi arriti të bashkonte rrymat e ndryshme të filozofisë së mesjetës së vonshme. Ai ishte rritur nga Vëllezërit e Jetës së Përbashkët në Deventer, në Vendet e Ulëta, me frymën e mistikës mesjetare të frymëzuar nga një neoplatonizëm që fillonte me Mësuesin Ekhart (rreth vitit 1260-1327), nxënës i vjetër i Albertit të Madh. Më pas studioi në universitetin e Haidelbergut, të ngritur sipas modelit të Sorbonës, jo vetëm filozofinë e skolastikës së hershme, por edhe teoritë dhe shpirtin e kërkimit në shkencat natyrore, karakteristik për skolastikën e vonshme të shkollës angleze.
Nikolas Krebsi u interesua shumë për kërkimet e françeskanëve anglezë, veçanërisht në optikë, disiplinë që atëherë ishte në fillimet e veta. Por të matësh, do të thotë të krahasosh: pra matja vesh formën matematike të krahasimit. Si françeskani Uiliam d'Okham (rreth vitit 1285-1350), Nikolas Krebsi vëren se bota e natyrës, nga ana sasiore e pafundme, është tërësisht e ndryshme nga besimi, që përpiqet ta afrojë nëpërmjet koncepteve të mistikës. Në këtë spekulim mistik, Zoti është Një, i pafundmë dhe i padepërtueshëm, nga i cili rrjedh çdo individualitet dhe tek i cili kthehet çdo gjë.
Me gjithë kundërshtinë e fundësisë dhe të pafundësisë të shkencave natyrore dhe të mistikës, disa përbërës janë të përbashkët në botën e fundësisë së njeriut - "mikrokozmosi" - në botën shumë të madhe të qiellit - "makrokozmosi" - dhe në pafundësinë e Zotit: këto "analogji" mbështesin mendimin e një uniteti të të kundërtave. Në të vërtetë, në marrëdhëniet e matshme dhe në përmasat e botës së fundësisë, parandiejmë një harmoni që të çon te përkryerja e çdo pafundësie. Nikolas Krebsi bashkon kështu besimin, mistikën dhe shkencën në një sistem të vetëm të mendimit, në mënyrën e skolastikës së hershme. Më shumë se një sistem që mund të vërtetohet logjikisht, këtu është fjala për një univers mendor të parandjenjës. Dhe filozofi, me "paditurinë e ditur" (De docta ignorantia është titulli i njërës prej veprave të tij), mund të kapë këtu vetëm një fragment të së vërtetës tërësore që kërkon gjithmonë ta paraqesë nëpërmjet krahasimeve apo simboleve. Platoni, që Nikolas Krebsi qe një nga dijetarët e parë perëndimorë që e lexoi në tekst, përdorte këtë mënyrë paraqitjeje. Pajtimi i të kundërtave, ky ishte objektivi i mësuesit të Krebsit, që kishte studiuar të drejtën kanonike në Itali: jo vetëm pajtimin midis fizikës dhe metafizikës, por gjithashtu edhe midis Kishës dhe shoqërisë. Ai u paraqit për herë të parë në publik më 1434, gjatë një konsili të organizuar në Balë; aty u bëri ballë grindjeve dhe polemikave të përsëritura mbi besimin me shkrimin e tij De concordatitia catholica, që mund ta përkthejmë "Pajtimi i përgjithshëm" ose "Ajo që përputhet me doktrinën katolike". Ai donte të tregonte kështu se pjesët antagoniste dëshironin më në fund një gjë të vetme dhe të njëjtë: të Mirën në kuptimin e fesë. Te kjo e Mirë të çojnë vetëm rrugë të ndryshme, madje të kundërta. Në këtë perspektivë, Nikolas Krebsi u përpoq të pajtonte Kishën Romake me atë të Lindjes, që kërkonte mbështetje para ngutësisë së kërcënimit otoman - pak kohë para pushtimit të Bizantit nga Mehmeti II (1453). Për pasojë, ai shkoi edhe më larg, duke deklaruar se kundërshtitë fetare ishin dashur nga Zoti, madhështia e fesë së vërtetë e gjen dukshmërinë e saj vetëm te numri dhe shtrirja e rrymave kontradiktore që ajo përmban dhe përfton.
Nikolas Krebsi, në jetën praktike provoi dështim pas dështimi: ambasada në Bizant, ku bëri pjesë, nuk i dha dot fund skizmës midis Kishës së Lindjes dhe asaj të Romës; si peshkop në Briksen (Bresanone), në Tirolin italian, nuk arriti t'u imponohej të privilegjuarve që, me të drejtat e tyre, tkurrnin reformat kishtare, që ishin të domosdoshme. Po ashtu është gabim të dëgjosh pajtues si Nikolas Krebsi, me varganin e luftërave të fesë në shekujt XVI dhe XVII, që e vonuan me dhjetëvjeçarë (të paktën) zhvillimin e qytetërimit, duke përfshirë këtu edhe atë të filozofisë dhe të shkencave. Kur shkenca moderne lindi në shekullin XVII, ajo u bë mbi bazën e një ndarjeje të rreptë të metafizikës dhe të shkencave natyrore; sprova e bërë nga Nikolas Krebsi për t'i menduar të dyja bashkë, do të rishqyrtohej vetëm në periudhën romantike. Veprat kryesore: De Docta ignorantia (1440); De coniecturis (1440); De possest (1460); De non aluid (1462); Opuscula varia (posth. rreth 1488).
Kureshti nga jeta e filozofit
Redakto- Nikolas Krebsi ishte edukuar në rendin e «Vëllezërve të jetës së përbashkët», studioi më vonë drejtësinë, matematikën dhe shkencat natyrore në Hajdelberg dhe në Padovë. Në vitin 1431 në koncilin e Bazelit mbrojti papën në mosmarrëveshjen e krijuar, kurse në vitin 1448 u bë kardinal.
- Në filozofinë e tij, në të cilën kundërshtohet autoriteti i Aristotelit, janë të dukshme ndikimet e Pitagorës, të atomistëve grekë, të Platonit dhe të neoplatonistëve.Në të gjitha vëprat e tij vërehen qartë tendencat e kalimit nga të menduarit skolastik mesjetar në filozofinë e re panteiste dhe dialektike, e cila është gjithnjë në petkun teologjik, provon njëfarë pavarësie të mendimit evropian dhe shtron premisat e para ideore për sistemet e mëvonshme të mëdha racionaliste (Dekarti, Spinoza).
- Në postulatin e pafundësisë dhe të përsosurisë së perëndisë, N. Krebsi spekulativisht supozon pafundësinë kohore dhe hapësinore të universumit. E pafundmja është unitet i gjallë dhe i amshueshëm që shfaqet në të fundmen si shumësi e shpërndarë e kundërtive. Perëndia është unitet i të gjitha kundërtive (coincidentia oppositorum), «maksimum absolut», dhe njëkohësisht edhe «minimum» edhepse është e pranishme edhe në atë më të voglën. Në çdo send të veçantë dhe në mënyrë më të përsosur tek njerëzit, pasqyrohet universumi, makrokozmosi. Çdo gjë është në gjithçka:omnia ubiqe.Kështu në të pafundmen është dhënë edhe e fundmja, me të përgjithshmen dhe në të përgjithshmen është dhënë edhe individi, kështuqë me studimin ekzakt të të veçantës mund të ngrihemi te njohja e të pafundmes.
- N. Krebsi njëkohësisht provon identitetin e qenësishëm të individit dhe të qenies hyjnore, dhe me këtë edhe vlerën e personalitetit të lirë njerëzor, dhe kështu deri diku themeloi filozofikisht (dhe anticipoi) vetëdijen e vetvetes optimiste krenare në Renesansë. Sipas N. Krebsit (Nikolla Kuzanskit), ekzistojnë katër lloje të njohjes: në shkallën më të ulët është njohja shqisore, pastaj arsyeja analitike, mandej njohja intelektuale sintetike dhe në fund «visio intelectualis», burimi intuitiv, mistik-panteist i njohjes.