Nikolet Vasia
Nikolet Vasia lindur në Durrës, më 5.8.1947. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1966. Që nga ky vit deri në vitin 1970 ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë. Nga viti 1970-84 punoi si piktor dhe skicograf pranë Muzeut Arkeologjik Durrës, në riprodhimin e vazove antike me pikturim dhe relievarkeologjike. Realizon dokumentacionin figurativ të objekteve muzeale dhe gërmimeve. Që në kohën e studimeve të mesme e deri tani ka qenë pjesëmarrës në të gjithë aktivitetin artistik të qytetit, si ekspozita, komisione etj. Punoi me shumë gjini të artit figurativ, si pikturë, skulpturë, grafikë, mozaik, pikturë murale, skenografi, deri në ilustrimin e realizmin e pullave filatelike. Kryesisht ka trajtuar temën historike, ku shquhen veprat: “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912” , “Kuvendi i burrave”, “Tek arbëreshët”, “Familja fshatare”, etj., të gjitha këto piktura në vaj. Kompozime dimensionale në mozaik dhe vitrazh në Muzeun e Skënderbeut në Krujë me temë “Kushtrimi” dhe “Tradita”. Pikturat murale në ambiente të ndryshme të qytetit si “Pena shqiptare”, “Lojërat e fëmijëve” dhe “Pranvera”. Shquhet gjithashtu edhe në realizmin e portreteve si ato historike, “Shote Galica”, që ruhen me shumicë si në galerinë e qytetit të Durrësit dhe tek koleksionistët privatë. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare, ku ka fituar dhe çmime. Në vitin 1986 nis punën si mësues i pikturës, tekstilit në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” Durrës. Veprat e piktorit ndodhen nëpër koleksionet private në shumë qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe SHBA.