Nimete Progonati u vra në betejën e Linjës në Dibër, më 26 korrik 1944. Mbas vdekjes është dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Medaljen e Çlirimit, Medaljen e Kujtimit dhe është shpallur Heroinë e Popullit.

Nimete Isuf Progonati u lind në Luzat të Tepelenës më 26 korrik 1929. Ajo ishte debatikase. Nimetja hyn në çetën partizane të Ethem Gjinushit, e cila më vonë hyn në Brigadën e V Sulmuese. Nimetja bënte pjesë në kompaninë e pestë, bataljoni i pestë së Brigadës së V Sulmuese. Nimetja mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi Brigada e V Sulmuese (B5S), ajo luftone me pushkë dhe me penë. Burimet thonë se Nimetja kishte qejf poezinë dhe shkruante mbi luftën kundra pushtuesit gjerman. Shkolla 9-vjeçare e Linjës në Dibër mban emrin Nimete Progonati, dhe në vendin ku ra është ngritur një momument kujtues. Shkolla 8-vjeçare në Memaliaj poashtu mban emrin e saj, si dhe ish-shtëpia e Pionerit mbante emrin e Nimete Progonatit, ndërsa në qendër të Tepelenës më 11 janar 2001 u përurua busti i Nimete Progonatit që u prodhua nga Mumtaz Dhrami. Për 15-vjeçaren nga Luzati janë botuar kujtime, vjersha, tregime, këngë, dhe dokumentarë televizivë.

“Heroina e Popullit” Nimete Progonati, partizane e Brigadës së Pestë heroinë, e “festoi” 15-vjetorin e lindjes më 26 korrik 1944 në betejën e përgjakshme nazisto-balliste në Sinjë të Dibrës me një plumb në gjoksin e saj të njomë duke mbetur përjetësisht e pavdekshme. Në letrën që i dërgoi familjes tri ditë pas vrasjes së Nimetes, gjeneral Shefqet Peçi, komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese shkruante: - “Duhet të jini kryelartë për bijën tuaj që luftoi heroikisht duke dhënë jetën për interesa të larta të popullit dhe atdheut”.

Partizania Nimete Progonati, është bijë e fshatit Luzat, Tepelenë. Luzati gjatë LANÇ ka qenë një nga bazat e fuqishme për Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar dhe kuadrot e saj. Asnjë familje luzatjote nuk u vu në shërbim të okupatorit dhe organizatave tradhtare. Në Luzat funksionuan në mënyrë aktive dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me Komandën e Vendit: Këshilli Antifashist, Organizata e Gruas, e Rinisë, njësiti gueril dhe DEBATIK-u. Luzatasit nuk u thyen e nuk u mposhtën nga terrori dhe reprezaljet e shumta që ushtruan nazisto-ballistët. E dogjën fshatin, vranë njerëz të pafajshëm, grabitën gjithë gjënë e gjallë etj., por luzatasit edhe më shumë i forcuan lidhjet me Frontin e Çlirimit të vendit. Nga ky fshat gjatë LANÇ-it dolën partizanë 65 djem e vajza, ku 12 prej tyre ranë dëshmorë të atdheut, midis tyre edhe “Heroina e Popullit” Nimete Progonati, vajza më e vogël partizane dhe heroinë.

Familja e heroinës në origjinë ka jetuar në varfëri të tejskajshme, por gjithnjë ka ruajtur frymën e shëndoshë dhe dashurinë për atdheun. Babai i saj, Isufi gjatë jetës provoi punët më të rënda si punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga - Ura, si emigrant në Greqi dhe në Francë. Me ndjenjë përgjegjësie ndaj atdheut Isufi ka marrë pjesë në luftimet kundër andartëve grek gjatë viteve 1913 - 1914; kundër garnizonit italian për çlirimin e qytetit Tepelenë. Si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, Isufi ka marrë pjesë në betejat e Urës së Brarit, në Shkallën e Tujanit dhe si antizogist ka marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935 etj.. Ndërsa gjatë LANÇ-it si anëtar i çetës territoriale ka luftuar në disa beteja, si ajo tek Ura e Dragotit, në Shkallën e Zezë, te Ura e Leklit, në Mogila të Vasjarit, Qafa e Miricës, në Dukaj etj.. Edhe dy xhaxhallarë të heroinës kanë kryer detyra si veprimtarë aktivë me organet e pushtetit gjatë LANÇ-it. Mamaja e saj, nënë Fatimeja, ka nga trungu i familjes saj tre dëshmorë të atdheut. Ajo kur mori lajmin për vrasjen e vajzës në luftë, kërkoi me këmbëngulje të shkonte në front e ta zëvendësonte të bijën, por autoritetet e pushtetit vendor nuk e lejuan për arsye moshe, shëndeti dhe kujdestari familjare.

Nimete Progonati pasi përfundoi arsimin fillor në fshatin Luzat vazhdoi me këmbëngulje mësimet në shkollën Plotore në qytetin e Tepelenës. Edhe pse në fëmijëri heroina njohu varfërinë migjeniane, në shkollë u dallua për inteligjencë e zell në mësime. Me prirjen e saj poetike vajza 15- vjeçare ka lënë një fond të vogël me poezi, kryesisht me përmbajtje patriotike, të cilat janë edhe sot një mesazh i fortë atdhetarie për brezat e rinj. Dhe dëshira që ajo u ka shfaqur shoqeve të moshës dhe të afërmve të saj, ishte që në jetë të bëhej mësuese. Shpesh në shkollë dhe në veprimtaritë që kryheshin i pëlqente të recitonte vargjet e Vaso Pashës: - “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”. Si DEBATIKASE, ka shkruar mësuesi i saj Murat Koçiu, në demonstratën e bukës që u zhvillua më 15 shkurt 1942 në Tepelenë, Nimetja, ish - nxënëse e shkollës plotore recitoi para pjesëmarrësve vjershën “Liria”. Ajo me duart e saj të njoma kontribuoi e thuri për partizanët triko leshi, fanella, çorape, qepte yje, shpërndante trakte e komunikata dhe në disa raste iu besuan detyra për të ruajtur shokët kur zhvilloheshin mbledhje me rëndësi, ndaj të cilave ishte e përgjegjshme dhe i plotësonte me shumë korrektësi. Ishte kjo veprimtari e saj e gjerë që shkrimtari Haki Stërmilli e ka quajtur heroinën e vogël, Nimeten një “Amazonë”, Shevqet Musaraj e quan “poetja e vogël” dhe më pas e krahasojnë dhe e njësojnë atë me Zhan d’Ark-ën franceze.

Në një takim të rinjsh gjatë luftës me një kuadër të rëndësishëm të Frontit Nacionalçlirimtar, Nimetja ende sa kishte mbushur të trembëdhjetë pranverat, i tha të deleguarit: - Unë i dua shumë partizanët. Ah, sikur të më pranojnë edhe mua, dëshiroj shumë të shkoj partizane në mal dhe së bashku me ta të luftoj. Dhe disa muaj më pas, më 8 prill 1943 kur Nimetja ende nuk ishte 14 vjeçe, së bashku me tri shoqe të saj bashkëfshatare: Tefta Shehu, Qibro Gjyli e Dylb Kopaçi, ajo iu drejtua komandantit të çetës territoriale, Et’hem Gjinushit me këtë dialog poetik:

-Shoku komandant! -Më merrni me vete. -Po je shumë e vogël, -Rritu ca Nimete. -Ç’ka se jam e vogël, zemrën e kam trime, krah përkrah me shokët dombroj pjesën time…

Dhe më pas, kur u krijua Brigada e Pestë me Komandant Shevqet Peçin dhe Komisar Hysni Kapon, Nimetja u inkuadrua partizane e kësaj njësie luftarake. Vitet e fëmijërisë, heroinën e vogël e mbushën me urrejtje për regjimin e kohës, për pushtuesit italianë dhe më pas edhe për nazistët hitlerianë, por brenda shpirtit të vogëlushes kishte shumë dashuri e optimizëm për jetën. Fryma e shëndoshë patriotike e familjes së saj, ndikimi i mësuesve patriot dhe mjedisi që e rrethonte në shkollë e kudo, si dhe propaganda e madhe që zhvilloi partia komuniste dhe udhëheqësit e saj për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj e tradhtarët në shërbim të tyre, Nimetes i ndriçuan mendjen, i rritën koshiencën e idealin dhe e poqën ideologjikisht para kohe vajzën 14-15 vjeçare. Në ndërgjegjen e heroinës u rrit e u kalit më shumë ndjenja e përgjegjësisë dhe dashuria për fatet e popullit, jeta e të cilit për shekuj me radhë është histori e pandërprerë luftërash për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar dhe për të mos u asimiluar kurrë.

Pjesëmarrja në Luftën Nacionalçlirimtare heroinën e vogël, më të voglën vajzë në gjithë atë armatë të ushtrisë çlirimtare, e kaliti dhe e bëri më veprimtare energjike. Ajo mori pjesë në çdo betejë dhe kudo luftoi me trimëri. Partizanëve që nuk dinin shkrim e këndim heroina në kohën e lirë u bë mësuesja e tyre, gjithashtu shkroi poezi dhe zhvilloi veprimtari kulturore. Në frontin e luftimit dhe në çdo aksion e reja komuniste Nimete Progonati me thirrjen: “Para partizanë” në vijë të parë e ballë përballë armikut ngriti lart moralin e shokëve për fitore dhe mbolli panik e frikë në radhët e armikut. Pushka e heroinës që ishte më e gjatë se shtati i partizanes trime, shtiu pa pushim mbi armiqtë e tradhtarët, oshtima e saj u dëgjua fuqishëm prej Lumit të Vlorës, në malet e Kurveleshit, në Çajup, për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit; në Qafën e Gjarpërit, Gurin e Prerë, Zaloshnje e Mëlovë, Godolesh të Elbasanit, Shupal e Tujan - Tiranë, Burgajet e Macukull, të Burrelit e deri në Sinjë të Dibrës, ku në betejën e përgjakshme të 26 korrikut 1944, Nimete Progonati “festoi” ditëlindjen me një plumb në gjoksin e njomë, ku afirmoi pavdekësinë e kurorëzuar më pas me titullin e lartë të nderit “Heroinë e Popullit”.

Veteranët e LANÇ Xhemal Murataj, Levend Lila dhe Ethem Kambo në kujtimet e tyre tregojnë se në betejën e Çarshovës më 9 - 11 maj 1944, Nimete Progonati zuri robë një ballist. Për këtë akt trimërie komandanti i Brigadës, Gjeneral Shefqet Peçi e falënderoi partizanen para njësisë luftarake dhe e krahasoi me figurën e heroinës franceze Zhan d’Ark dhe, si shpërblim për aktin e kryer i dhuruan një automatik anglez dhe dy granata dore. Partizania Nimete Progonati ishte bërë një personazh sa e njohur në gjithë brigadën partizane po aq edhe e dashur për shkak të moshës fare të re, për shkathtësinë, energjitë dhe trimërinë e rrallë që tregoi nga njëra betejë në tjetrën deri sa më 26 korrik 1944 në betejën e Dibrës,heroina dha jetën për lirinë e Shqipërisë. Vdekja vetëm hidhërim shpreh, por humbja e jetës së partizanes trime ditën që do të festonte me shokët 15 pranverat u ndje thellë në zemrat dhe në sytë e çdo partizani e partizaneje. Lotët s’i kurseu askush, midis tyre edhe komandanti e komisari i njësisë. Sot tha komisari humbëm një luftëtare, një trimëreshë, një vajzë që nuk ju tremb vdekjes, poeteshën e vogël, këngëtaren e mirë, vajzën hokatare, që në kohën e lirë na argëtonte, na çlodhte, na zbaviste dhe na bënte për të qeshur. Nderim për jetën e saj njomëzake.

Partizanes së vogël si kujtdo që bie në luftë iu bënë nderimet e duhura. Për heroinën është shkruar nga shumë personalitete, figura kuadrosh e veteranë, ish-pjesëmarrës në LANÇ. “Heroina e Popullit”, Nimete Progonati mban shumë tituj nderi, si: - “Heroinë e Popullit”, medaljen e “Trimërisë”, të “Çlirimit”, të “Kujtimit”. Në vendin e ngjarjes, në Sinjë të Dibrës ka në nderim të kësaj ngjarje një lapidar. Shkolla 9-vjeçare e fshatit Sinjë, Dibër; shkolla 9-vjeçare e qytetit Memaliaj dhe Qendra e Edukimit të Fëmijëve (ish- Shtëpia e Pionierit Tepelenë) mbajnë emrin Nimete Progonati, “Heroinë e Popullit”. Në qendër të qytetit Tepelenë, në bulevardin kryesor është vendosur busti Nimete Progonati. Për heroinën 15-vjeçare janë botuar shumë shkrime, kujtime, portrete, tregime, poezi, këngë dhe dokumentarë televizivë, të cilët evidentojnë më së miri jetën dhe veprimtarinë e saj.

Referime

Redakto