Personat me aftësi të kufizuara Redakto

Hyrje  Redakto

Lëvizja e shoqërisë civile gjatë këtyre viteve në Shqipëri ka pasur një hov cilësor, por në këtë lëvizje, lëvizja e vetë personave me aftësi të kufizuara si pjesa më margjinale e shoqërisë, në shumë raste ka lënë për të dëshiruar. 

Gjithçka në realitetin e sotëm për çdo komunitet në nevojë është integrimi i këtij komuniteti në shoqëri ose më mirë të themi integrimi i individëve të tij në shoqëri. Për të realizuar këtë qëllim final, së pari është e rëndësishme, madje ndër më të rëndësishmet, barazimi i mundësive të individëve në nevojë me ato të shoqërisë normale të një vendi. Një vend si yni, ku shteti është në rrugën e zhvillimit dhe ç’është me e keqja, nuk ka pasur asnjë lloj përvoje të mirëfilltë për të ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, për t’u barazuar atyre mundësitë dhe më tej për të qënë të integruar. 

Sensibilizimi i shoqërisë në ambientet ku personat me aftësi të kufizuara kanë aktivitetin e tyre të përditshëm është mjaft i rëndësishëm. Aktivitetet e përbashkëta me bashkëmoshatarët kanë rol kryesor dhe ndikojnë në sensibilizimin e shoqërisë, e cila duhet ti pranojë këta persona që të jenë pjesë aktive e shoqërisë. Është e pafalshme, që jo shumë larg metropolit, madje dhe brenda në të, ka persona të cilët këta individë i konsiderojnë si pengesë e pakapërcyeshme për t’u integruar së pari në familje e më tej në shoqëri. Paragjykime dhe steriotipizime të tilla duhet të zhduken. Kjo është një ndër shumë arsyet e përzgjedhjes së kësaj teme: Sensibilizimi fillon nga ne si personel infermieror në trajtimin, rehabilitimin dhe ndihmën që mund të japin për integrimin e këtyre individëve në shoqëri. 

Fjalët kyçe: aftësi të kufizuar, sensibilizim, diskriminim, rehabilitim.

Përkufizimi dhe klasifikimi i Personave me Aftësi të Kufizuara sipas OBSH-së dhe ICF-së Redakto

Afërsisht[1] 10 % e popullsisë së botës vuajnë nga ndonjë lloj paaftësie, ndërsa 25 % janë të lidhur direkt me një problem paaftësie në familjen e tyre. Një në dhjetë evropianë kanë ndonjë dëmtim fizik, ndijor ose mendor.

Shëndeti është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës njerëzore, madje në mënyrë disi filozofike shpeshherë njerëzit i referohen konceptit të shëndetit si një qëllim në vetvete të “ekzistencës”. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përkufizuar shëndetin si:

  “Mirëqenie e plotë fizike, mendore dhe sociale dhe jo thjesht mungesë e sëmundjes apo e pafuqisë fizike të organizimit”.  - Andrija Stampar, Presidenti i Parë i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1946

Një revolucion i vërtetë në përkufizimin dhe perceptimin e shëndetit dhe aftësisë së kufizuar u bë në 2001 me lancimin nga OBSH të ICF[2].  ICF e përkufizon aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes. Dëmtimi është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës (funksionet fiziologjike, psikologjike apo pjesët anatomike të trupit). Kufizimi i aktivitetit është një vështirësi që haset nga një individ në kryerjen e një detyre apo veprimi. Kufizimet e pjesëmarrjes, nënkuptojnë vështirësitë që një individ mund të ndeshë gjatë përfshirjes në situata të jetesës së përditshme.

Aftësia e kufizuar është një fenomen kompleks ndërveprimi mes individëve me një gjendje shëndetësore (paralizë cerebrale p.sh. Sindromi Down dhe Depresioni) dhe faktorëve personal dhe mjedisor (p. sh. qëndrimet negative, transporti i paarritshëm dhe ndërtesat publike dhe mbështetja e kufizuar sociale).

Aftësia e kufizuar është jashtëzakonisht e larmishme, ajo nuk është vetëm një problem shëndetësor. Njerëzit me aftësi të kufizuar kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si dhe personat jo me aftësi të kufizuara, kanë nevojë për imunizim, depistim shëndetësor, si për shkak të varfërisë, për shkak të përjashtimit social gjithashtu edhe për shkak se ata mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet sekondare të tilla si: plagë apo infeksione të traktit urinar. Aftësitë e kufizuara me të zakonshme janë të lidhur me sëmundje kronike si: sëmundjet kardio-vaskulare, sëmundjet kronike të rrugëve respiratore, kanceri dhe diabeti mellitus, lëndime të tilla si ato për shkak të trafikut rrugor, rrëzimet, minat tokësore dhe dhuna, sëmundjet mendore, kequshqyerja, HIV/AIDS  dhe sëmundjeve të tjera infektive.

Historiku i lindjes dhe klasifikimi i personave me aftësi të kufizuara[3] Redakto

Niveli i zhvillimit dhe kulturës së një shteti apo të një shoqërie matet ndër të tjera edhe nga treguesit dhe mënyra sesi shteti apo shoqëria trajton personat me aftësi të kufizuara.

Në vende të ndryshme trajtimi i personave me aftësi të kufizuara është i ndryshëm ose ka qenë i ndryshëm nëse i referohemi historikut të zhvillimit të këtij procesi. Mënyrat e trajtimit të këtyre individëve kanë ndryshuar nga një periudhë në tjetrën, kanë ardhur duke u zhvilluar e perfeksionuar. Historiku i aftësisë së kufizuar daton që nga periudha e antikitetit, ku aftësia e kufizuar trajtohej si një sëmundje. Në shekullin e XIX-të, aftësia e kufizuar filloi të trajtohej si një problem social. Trajtimi i aftësisë së kufizuar ka kaluar përmes disa fazave nëse i referohemi periudhës së antikitetit deri në shekullin e XIX-të:

Stadi teologjik (stadi fetar) Redakto

Në këtë periudhë aftësia e kufizuar konsiderohej si një dënim dhe mallkim nga Zoti dhe shoqëria i përçmonte, i denigronte individët me aftësi të kufizuar, madje dhe i dënonte ato përmes formave të ndryshme të dënimit. Në disa vende këta persona mbaheshin të mbyllur në bodrume të errëta, të izoluara, lidheshin me zinxhirë e nuk lejoheshin të dilnin jashtë. Në vende të tjera individët me aftësi të kufizuar konsideroheshin si njerëz të pushtuar nga djalli dhe ekzekutoheshin. Hipokrati ishte i pari që filloi të interesohej për prejardhjen e aftësisë së kufizuar dhe e shpjegoi ekzistencën e saj përmes shkaqeve natyrore.

Në fillimet e Mesjetës, trajtimi i këtyre individëve fillimisht udhëhiqej nga mëshira dhe keqardhja. Kisha pati një rol të rëndësishëm në shfaqjen e këtij lloj qëndrimi. Në një periudhë më vonë, kur në Evropën Perëndimore pati shumë luftëra, epidemi dhe uri, personat me aftësi të kufizuar filluan të konsideroheshin dhe të trajtoheshin si njerëz të padobishëm, pa asnjë vlerë apo rëndësi dhe si një barrë për shoqërinë.

Stadi metafizik (arsyeja) Redakto

Në shekullin e XVI-të, në Evropë fryn një erë e re në drejtim të trajtimit dhe vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara. Arsyeja filloi të udhëhiqte procesin e trajtimit dhe vlerësimit të tyre. Në këtë periudhë njerëzit me aftësi të kufizuar filluan të trajtohen si njerëz të sëmurë dhe aftësia e kufizuar filloi të trajtohej si sëmundje, duke bërë që dhe trajtimi e vlerësimi i tyre të ishte me njerëzor ose i bazuar në ndjenjat humane.

Stadi pozitivist (shkencor) Redakto

Wills në vitin 1672 studion dhe analizon problemet e aftësisë së kufizuar duke bërë diagnostikime, emërtime dhe klasifikime të ndryshme për personat me aftësi të kufizuar. Kjo shënoi një kthesë të rëndësishme për kohën. Megjithatë nga njëra anë këta persona diagnostikoheshin dhe nga ana tjetër përjashtoheshin si anëtarë të shoqërisë apo komunitetit. Ata u ndanë në grupe të mëdha dhe trajtoheshin thjesht për nevojat jetike të tyre, ato utilitare, duke qenë kështu të përjashtuar nga jeta sociale dhe nga gjiri i shoqërisë. Kjo situatë vazhdoi deri në shekullin XVIII-të. Revolucioni Francez i shekullit XIX-të dhe filozofia e tij “Liri dhe barazi” ngjallën shpresën e madhe se të gjithë pa asnjë dallim duhet të gëzojnë të drejta të barabarta. Kjo  periudhë shënoi edhe periudhën e parë kur individët me aftësi të kufizuar filluan të trajtoheshin si njerëz me të drejta të barabarta, për të jetuar si gjithë të tjerët. Në këtë kohë nuk munguan as eksperiencat pozitive në trajtimin e individëve me aftësi të kufizuar, psh. Pinell De Hard në vitin 1830 ka dhënë filozofinë më të mirë për trajtimin e këtyre individëve bazuar në eksperiencën e trajtimit të një fëmije të rritur në ambient të egër, eksperiencë të cilën e transferoi në aftësi të kufizuar. U hodh idea se kushtet dhe mjedisi social kanë ndikim të madh në rehabilitimin dhe trajtimin e personave me aftësi të kufizuar.

Sekuin:  Ai aplikoi për herë të parë teorinë psiko-pedagogjike në trajtimin e individëve me aftësi të kufizuar. Por kjo nuk zgjati shumë pasi Sekuin u luftua për pikëpamjet e tij dhe u largua nga Evropa. Ai formoi shoqatën e parë të personave me aftësi të kufizuar në SHBA në shekullin e XIX-të.

Binet : Është i pari që studioi testet për vlerësimin e aftësisë së kufizuar moderne. Sipas tij njerëzit me aftësi të kufizuar janë si njerëz normal, por i ndan vetëm performanca. “ Të gjithë njerëzit, përsa i përket procesit të zhvillimit të tyre, janë në një vijë të drejtë dhe ndryshojnë vetëm nga vendi që zënë në këtë vijë të drejtë, që do të thotë ata mund të jenë në fillim apo në pjesë të tjera, kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që ata janë në një vijë të drejtë, të barabartë, ku të gjithë mund të zhvillohen, edhe pse të gjithë janë të ndryshëm. Pra, njerëzit nuk lindin jashtë normave, por shoqëria bën që ata të jenë jashtë normave”.

Stadi i institucionalizimit  Redakto

Midis viteve 1950-1960 filluan të ngriheshin institucionet, të cilat merrnin në ngarkim fëmijët me aftësi të kufizuar dhe përgjigjeshin për trajtimin e tyre. Këto institucione u ngritën larg qyteteve në zona të largëta.

Stadi i integrimit Redakto

Në 16 Dhjetor 1976 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpall vitin 1981 si vitin ndërkombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) duke shpallur se ky vit do t’i dedikohej integrimit të plotë të tyre në shoqëri.

Deklarata e të Drejtave të Njerëzve Me Aftësi të Kufizuar shpallur në Dhjetor 1975 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, bën thirrje që të gjitha vendet të mbrojnë të drejtat e kësaj kategorie sociale. Në këtë dokument përcaktohet se personat me aftësi të kufizuar totale ose të pjesshme, të pamundur për të plotësuar nevojat e tyre për një jetë normale individuale ose sociale, si pasojë e aftësisë së kufizuar fizike ose mendore, kanë të drejtën e mosdiskriminimit, e respektimit të dinjitetit human. Pavarësisht nga origjina, natyra dhe graviteti i aftësisë së kufizuar këta persona kanë të njëjtat të drejta themelore si qytetarët e tjerë të së njëjtës moshë, për jetë të denjë e normale, të ushtrojnë të drejtat civile dhe politike, të mbështeten me shërbime mjekësore, psikologjike dhe funksionale, që të bëjnë të mundur integrimin, riintegrimin dhe të përfitojnë mbështetje ekonomike ose punësim sipas aftësive të tyre. Trajtimi i aftësisë së kufizuar jo vetëm brenda kontureve mjekësore u kthye në një domosdoshmëri.

Pas viteve 1990 pesë konferencat më të fundit të UN nënvizojnë idenë “e një shoqërie për të gjithë”. Përfshirja sociale e tyre dhe parimet e shanseve të barabarta u bënë pjesë e politikave të BE-së. Karta e të drejtave themelore të BE-së në Artikullin 26 njohu të drejtën e personave me aftësi të kufizuar dhe përcaktoi masa që garantojnë pavarësinë e tyre, integrimin social dhe një pjesëmarrje aktive të personave me aftësi të kufizuar në komunitet.

Në lidhje me terminologjinë e personave me aftësi të kufizuar OBSH (1980) përcakton se “Handicap” është një kusht i disfavorshëm social që kufizon ose pengon funksionimin normal për një individ në marrëdhënie me persona të tjerë të moshës dhe gjinisë së vet, në rrethana dhe kushte socio-kulturore të caktuara.  “Aftësi e kufizuar është humbja ose kufizimi i shanseve për të marrë pjesë në jetën normale në komunitet në nivele të barabarta me të tjerët si rezultat i barrierave fizike dhe sociale”.

Më pas në 2001 OBSH rivlerëson dhe njëherë klasifikimin e aftësisë së kufizuar duke synuar integrimin e modelit mjekësor të aftësisë së kufizuar si një problem personal, modelin social që e konsideron aftësinë e kufizuar të trashëguar nga ambienti, i cili nuk lejon përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha hapësirat e jetës shoqërore.  Sipas këtij përkufizimi:

“Personat me aftësi të kufizuar janë ata individë për të cilët funksionet fizike, kapaciteti mendor ose gjendja psikologjike kanë prirje të shmangen për më shumë së gjashtë muaj nga gjendja tipike për moshën përkatëse, e cila pasohet me kufizime të pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore”.

Kështu OBSH e etiketon aftësinë e kufizuar jo si karakteristikë personale të individit por si një ndërthurje midis dëmtimit apo funksionimit të kufizuar dhe impakteve negative të mjedisit.

Organizata Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK) pas një procesi rishikimi e ka përcaktuar aftësinë e kufizuar si “një ndërveprim negativ mes një personi me një dëmtim ose një gjendje shëndetësore dhe ambientit”. Në KDPAK  personat me aftësi të kufizuar përkufizohen si individë që kanë për një kohë të gjatë dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore, të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri, në baza të barabarta me të tjerët. Kjo konventë, rekomandimet e OKB-së për barazimin e mundësive dhe Plani i Veprimit të Këshillit të Evropës, prej kohësh kanë orientuar zhvendosjen e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar nga modeli mjekësor drejt modelit socio-sanitar, duke synuar vlerësimin e nevojave sociale dhe mënyrën më të mirë të plotësimit të tyre.

Kuadri Ligjor Redakto

Përkufizimi i Personit me Aftësi të Kufizuar Redakto

Në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar janë identifikuar me terma të ndryshëm si : invalidë, të paaftë, handikap, para-tetraplegjikë, persona me prapambetje mendore, të verbër etj.   Në përputhje me terminologjinë e Kombeve të Bashkuara dhe konceptet e Mundësive të Barabarta të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në përputhje me kategorizimin ndërkombëtar të OBSH-së termi “person me handikap” është zëvendësuar me termin “person me aftësi të kufizuar”.

Sipas Strategjisë[4] Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar 2005, tani e në vazhdim “Personat me Aftësi të Kufizuar” janë ata persona te të cilët funksionet fizike, kapaciteti mendor ose gjendja psikologjike kanë prirje të shmangen për më shumë së gjashtë muaj nga gjendja tipike për moshën përkatëse, gjë që sjell për pasojë kufizime të pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore.

Person me aftësi të kufizuar (PAK) është individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psiko/motor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, të cilët nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin.

Duke ju referuar strategjisë, të dhënat dhe njohuritë statistikore për pozitën e personave me aftësi të kufizuara janë të pakta. Aktualisht ato reduktohen në numrin e personave me aftësi të kufizuar, llojet kryesore të aftësive të kufizuara, të cilat vlerësohen dhe përcaktohen nga komisione të veçanta specialistësh, pagesat në para që jepen nga buxheti i shtetit, si dhe disa shërbime mbështetëse që ofrohen në qendra rezidenciale dhe në komunitet. Aktualisht nuk ka të dhëna mbi strukturën gjinore të personave me aftësi të kufizuar, për aftësitë e kufizuara pas moshës së pensionit, të dhëna lidhur me situatën e punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuar është tepër i ulët.

Burimet Redakto

  1. ^ http://oneworld.org/
  2. ^ ICF => Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit. http://apps.who.int/iris/bitstream/10665/42417/4/9788879466288_ita.pdf
  3. ^ E DREJTA E FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA PËR ARSIM GJITHËPËRFSHIRËS http://wvi.org/sites/default/files/Raport_Rajonal_1_Alb_Web.pdf Arkivuar 27 janar 2018 tek Wayback Machine
  4. ^ NATIONAL STRATEGY ON PERSONS WITH DISABILITIES http://www.adrf.org.al/