Njeriu me dy emra tregime të zgjedhura, Autori: Sulejman Mato. Botuesi: Toena. Faqet e librit 278.

Në moshën njëzetvjeçare, Jeton Shatri ishte një djalosh biond, me vështrim të vendosur e me trup atleti, vëlla i dy motrave dhe tre vëllezërve, të rritur para kohe me urrejtje ndaj pushtuesit serb, edhe për shkak të vrasjes së të atit të tyre tre vjet më parë. Sipas thënieve të një dëshmitari që i kishte shpëtuar masakrës së Tivarit, Ramadanin partizan i orëve të para dhe pjesëmarrës i mbledhjes së Bujanit, e kishin qëlluar me plumb pas shpine dhe e kishin hedhur në lumë, në të hyrë të Shkodrës.

Ishte pikërisht kjo ndjenjë hakmarrjeje me të cilën po rriteshin pesë fëmijët e familjes Shatri, por vetëm njëri prej tyre do të thurte plane në fshehtësi për t’u hakmarrë ndaj njërit prej vrasësve të atit të vet, i cili, sipas po atij dëshmitari që kishte denoncuar vrasjen e Ramës, kishte nxjerrë emrin e Milla Cerkoviçit, tashmë komandant i garnizonit të Komunës së Pejës që merrej me rekrutimin e ushtarëve të rinj.