Oda Dibrane në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare, ku bëheshin kuvende,ceremoni në raste gëzimesh e fatkeqësish, ku shpalosej mençuria dhe urtësia e këtij populli. Oda ka shërbyer ndërkohë edhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga apo niste gjëma, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik. Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të rëndë. Jo më kot thuhej se: kur të shkosh në “Odën e Dibrës” duhet të marrësh me vete "një metër, një kandar dhe një thikë me dy presa".