Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare
Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare synon "bashkimin kulturor, artistik dhe shpirtëror të gjithë muzikantëve shqipfolës në të gjithë hapësirën ballkanike apo me vendqëndrim në Evropë, SHBA, e kudo tjetër që ata ndodhen". Kjo orkestër synon promovimin e vlerave kulturore ndërmjet muzikantëve, instrumentistëve, dirigjentëve dhe kompozitorëve shqiptarë nga të gjitha trojet mbarë shqiptare në Ballkan, Evropë e më gjerë. Promovimi i traditave të shumta muzikore në të gjithë trevat shqipfolëse në Ballkan, ballafaqimi i instrumentistëve më në zë të kombit shqiptar në Ballkan është një tjetër synim i Orkestrës. Për të realizuar qëllimet e saja artistike Qendra do të realizojë aktivitete dhe projekte të ndryshme në bashkëpunim më aktorët e interesit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Themeluesit e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare janë emra të njohur të artit: Desar Sulejmani (Gjermani, Shqipëri), Baki Jashari (Kosovë), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku (Kosovë), Fatos Lumani (Maqedoni),Pjetër Guralumi dhe Bujar Alliu (Shqipëri).