Otello, Arapi i Vlorës
"Otello, Arapi i Vlorës", është roman nga Ben Blushit, botuar më 2009 nga shtëpia botuese "Toena". Në vitin 2014 fitoi Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi.[1]
Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 dhe zhvillohen në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare midis të cilave ishin mjaft intensive për kohën. Sfondi historik është real: Vlora e viteve para pushtimit turk dhe përpjekjet e kryezotit të saj, Balshës II, për të zgjeruar zotërimet e tij dhe për të përballuar vërshimin e turqve në Jug të vendit, vrasja e tij në fushën e betejës dhe drejtimi i principatës nga e shoqja, Komita Muzaka, aleanca me serbët nëpërmjet martesës së vajzës së saj, Rugina, me princin serb Mrkzha Zharkoviç, të cilin vlonjatët e pagëzuan Kasi, qëndrimi indiferent i Venedikut, si dhe i të gjitha principatave të tjera italike, duke e lënë të vetme Vlorën, si dhe gjithë Shqipërinë në përballjen me pushtuesit e rinj që vinin nga Azia e largët. Familja Contarini nga Venecia, pasardhës të Marko Polos nga babai dhe vlonjatë nga e ëma, plotësojnë kuadrin historik në anën tjetër të detit Adriatik, duke na nxitur imagjinatën për tablonë e jetës reale të kësaj zone mesdhetare para më shumë se gjashtëqind vjetësh, temë kjo mjaft e preferuar për autorin e librit.
Por, gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesueshme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat ai i ka marrë nga Shekspiri, nga tragjedia e njohur “Otello, Arapi i Venedikut”, në të njëjtët role, por të vendosur në kohë gati 100 vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur. Otello, Desdemona, Emilia, Jago, Kasi etj., janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëveprim me shumë figura interesante vlonjate të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj.
Romani i dytë i Blushit është mbi të gjitha një roman mbi dashurinë. Dhe atje ku ka Otello, Desdemonë e Jago nuk mund të mungojnë xhelozitë, tradhtitë, intrigat, ligësitë, vuajtjet e vrasjet në një shoqëri të zhytur në vese e interesa të paskrupullta.
Stili rrëfimtar, tashmë i njohur i autorit, gjuha e pasur dhe erudicioni i thellë, pa dyshim, e vendosin romanin “Otello, Arapi i Vlorës” në radhën e veprave më të bukura dhe më të arrira të letërsisë shqipe Gjendet në këtë roman edhe mënyra e mendimit të shqiptarit, forca e gruas shqiptare, këta njerëz që për luftën shesin dhe paqen dhe për këtë të fundit, shesin dhe vendin...Do të gjejmë në këtë roman edhe aleancat aty ku shqiptarët duan të arrijnë për t'u bërë më të fortë...do të gjejmë në këtë vepër edhe turqit, që Blushi na i sjell si biseksual (në kapitullin e përshkruar si homoseksual) por edhe intrigues, intriga, që pse jo i kanë mësuar nga shqiptarët. Por do të gjejmë edhe venedikasit, që e shohin Vlorën si një mall. Mall që ka një çmim. E jo si një tokë që ka diell dhe det; halle dhe varfëri; luftë dhe vdekje. Një Vlorë, që shet flamurin e vet për të shmangur luftën
Personazhet
RedaktoOtello Është padyshim personazhi kryesor dhe i çdo faqeje. Është Desdemona ajo që e blen në tregun venedikas dhe më pas kërkon t'i gjejë një emër. Dhe këtu, Blushi, mendon se zezakut që vjen nga Afrika e Largët, ti vërë edhe emrin Obama, si presidenti aktual amerikan. Por nuk është ky synimi i tij. Ky është një detaj, të cilin, studiuesit do ta analizojnë pse e ka futur. Ai do të ketë emrin Otello dhe fillimisht, do të jetë kukulla e Desdemonës. Otellon e njohim në Venedik si djalë të vogël që fillon të njohë jetën. Prindërit e shitën që ai të mos vdiste. Babai i kishte thënë: "Ai që jeton vetëm me diell bëhet akrep, ai që jeton vetëm me ujë, bëhet peshk. Unë të nxora në diell, por ujin duhet ta gjesh vetë" (Otello, Arapi i Vlorës). Këtu fillon filozofia për jetën e Otellos, por edhe filozofia e vetë jetës. Nga Venediku, Otellon e shohim në Vlorë jo rastësisht. Aty do të zhvillohet edhe vetë jeta e tij. Ai do të përdoret si kavie për të zbuluar sëmundje që në Vlorë fliteshin se i sillnin të zinjtë si ai; por do të konsiderohet edhe si xhind, si lugat, si njeri që sjell ters dhe jo i mirëpritur nga vlonjatët; por do ta gjejmë edhe në burg, fillimisht si të pafuqishëm dhe si një vajzë për turkun, më vonë si një burrë të rritur që Vlora e çon në luftë edhe kundër turkut. Do të shohim një Otello të sinqertë që vetëm rrugës mëson se ç'është pabesia dhe poshtërsia, të cilën Otello e mëson nga shqiptarët; gjejmë një Otello që nuk shet, nuk shet as shpirtin as fjalën, por dashuron. Dhe për këtë edhe mashtrohet. Më vonë rikthimi i Otellos në Venedik. Pasi ka mësuar shumë nga poshtërsitë, nuk e lejon veten në poshtërsitë e kompromiset që i ofron Jago, e aty, sheh dhe fundin e tij.
Desdemona Vajza venedikase, por që në deje i rrjedh gjak shqiptari, paraqitet e butë, e sinqertë, e padjallëzuar. Një vajzë që ka humbur nënën shumë herët dhe që shpesh shfaqet naive. Otello është kukulla e saj, por është i zi. "Do ta blejmë, i thotë i ati, meqë e do. Ti mund të bësh çdo gjë me këtë njeri: ta mësosh, ta ushqesh, la lash, ta krehësh, ta veshësh, ta rrisësh, ta rrahësh, ta përzësh, ta marrësh prapë, ta puthësh: por vetëm një gjë nuk të lejohet: ta duash" (Otello...faqe 38). Por në përfundim, a e deshi Desdemona Otellon? Ajo ruajti shaminë e dashurisë së Otellos, që atij ia kishte falur nëna, por ngjarjet ndryshuan kur Otello shkoi në Vlorë. Në libër do të gjejmë fundin dramatik të Desdemonës, ashtu sikurse në tragjedinë shekspiriane, por si shkohet deri aty, do të zbulohet në faqet e librit.
Albano Contarini Është biznesmeni venedikas, vlonjat nga e ëma. Është personazhi që na jep më së miri rrëfimin për jetën. Një jetë që ka një çmim, sikurse çdo gjë tjetër. Një rrëfim brilant në librin e Blushit, në një leksion jete që ai u bën fëmijëve të tij. "E ardhmja do të jetë më e shtrenjtë dhe më e pasigurt. Ne do të jetojmë mirë por kjo nuk do të na mjaftojë të blejmë ato që duam, apo ato që shiten. Ata që shesin e kanë mësuar këtë, ose më saktë ne që blejmë ua kemi mësuar këtë, atyre që shesin...Një arsye më shumë për të provuar se e ardhmja do të jetë e shtrenjtë dhe e vështirë..." (Otello...faqe 27). Në fakt asgjë nga ato që Albano u tregon fëmijëve në vitet 1300 nuk ndryshon nga sot, dhe ky është elementi real i librit të Blushit. Duke u futur shpirtin e biznesit fëmijëve të vet, Albano shkon në Vlorë për të blerë kripë, por aty përballet me kërkesën e princeshës së Vlorës për të shitur qytetin. A ka interes Albano ta blejë me anë të senatit, një qytet që po pushtohet nga turqit? Po çfarë çmimi do të ketë qyteti shqiptar?
Stefan Gjika Personazh tipik shqiptar. Një mjek që u kthye nga studimet kur malaria përfshiu Vlorën dhe prej saj vdiqën nëna dhe motra e tij, pikërisht në duart e tij. Një njeri i dhënë tërësisht pas profesionit, me një personazh të skalitur gjatë në shumë faqe libri. Ka edhe intrigën brenda personalitetit të tij, ka fortësinë, si një lab i sprovuar, por edhe një shpirt të butë. Është mjeku që përdor si kavie Otellon, vetëm për të zbuluar sëmundjet, me një këmbëngulje disa vjeçare. Një njeri që nuk beson te dashuria, aq sa ç'mund të besojë edhe tek jeta. Vdekja e tij nuk vjen për shkak të dashurisë për Vlorën, por për shkak të profesionit të tij.
Balsha II, Komita Muzaka, Rugina dhe Andrea Këta janë personazhet shqiptarë të skalitur në libër. Dy të parët janë Paria e Vlorës. Burrë dhe grua. Një burrë i etur për pushtet dhe për pushtim, një grua që kërkon paqe për popullin që e konsideron princeshë. Fuqia e një burri që qëndron te shpata, madje kërkon t’ia hedhë edhe vëllait të vet Balsha I. Një personazh që tregohet i fortë dhe tinzar, tregtar dhe luftëtar. Nga ana tjetër, jo strateg. Ndoshta edhe pse ka hyrë dhëndër në Vlorë. Do të zgjerojë domenet e veta, por nuk mund të dalë triumfator para turqve. "Vlora nuk ka pasur kurrë sundimtarin e duhur. Shqiptarët nuk i duan sundimtarët e vet dhe prandaj nuk u binden. Balsha ishte i çmendur dhe askush nuk u gëzua që e mori Vlorën si dhuratë paje dhe pastaj e përdori si një thikë për të sulmuar qytete të tjera..." (Otello...faqe 240).
Komita gjendet në vështirësi. E vetmuar, kërkon një prijës për Vlorën. Karakteri i femrës së fortë dhe të pamëshirshme shqiptare na shfaqet në romanin e Blushit te Komita Muzaka. Ajo nuk të fal. Ajo thjesht bën kompromise. Edhe Otellon e shikon si një peng për kompromis, por ndërkohë e shtyrë nga vajza e saj Rugina, që ka marrë shumë nga i ati për nga tipi i saj disi tinzar ajo arrin të mposhtë edhe inatin për ta kthyer në djallëzi. Por Vlora ka nevoj për heronj. Dhe Blushi nuk e ka lënë pa të. Na ka dhënë në këtë roman Andrean, që hyri në burg se vrau dikë që i shau motrën. Ky është tipi i vlonjatit dhe sot. Nuk duron ti shash motrën. Por në burg hyn si një djalë me buzët ende me qumësht që prehjen dhe mbrojtjen e vet e gjen në krahët e Otellos. E më pas, e nxjerrin nga burgu për të mbrojtur Vlorën nga turqit. Këtu, del figura e tij prej heroi. Por heronjtë vdesin. Dhe koka e Andreas i shkon Komitës në një tepsi argjendi nga turqit.
Hamiti Blushi ka skalitur një personazh tipik turk siç është Hamiti. Fillimisht e njeh Vlorën nëpërmjet tregtisë së shpatave. Por ndesh në pabesinë e Balshës. Dhe pikërisht, në burgun e Vlorës, vazhdon e shtjellon pabesitë. Blushi na e sjell në roman si një homoseksual që gjen dashuri tek Otello. Dhe prej xhelozisë që ka për të, nuk i toleron asgjë. Madje as kokën e Andreas. Por nga ana tjetër, Blushi na jep një turk që na tregon edhe karakterin e shqiptarëve. "Nëse shqiptarët do të dinin të ndryshonin veten, Vlora nuk do të ishte kaq e mjerë. Megjithatë, unë nuk i urrej ata. Urrejtja që kanë për njëri-tjetrin, mjafton dhe më shijon sepse më shërben për t'i pushtuar shpejt, pa i lodhur ushtarët e mi...(Otello..faqe 241). Por duke marrë djallëzitë e Vlorës, ai i pabesë tregohet me Komitën, e cila e nxjerr nga burgu për ta ndihmuar, por që ai kthehet në Vlorë për ta pushtuar. Por diku-diku, na paraqitet dhe i dobët. Nuk do të luftojë me Komitën por kërkon të martohet me të. Sigurisht Komita nuk pranon dhe kërkon aleanca të reja. Po si?
Kasi Shqiptarët duket sikur dhe në shekuj s'kanë ditur të bëjnë aleancat e duhura. Edhe në vitet 1300-1400 kanë lidhur aleanca gjysmake. Në librin e Blushit, Komita, duke refuzuar Hamitin për martesë, marton Ruginën, vajzën e vet me një princ serb, Mrkzha Zharkoviç, të cilin vlonjatët e pagëzojnë me emrin Kasi. Por ky, nuk e ka mendjen te Vlora. E ka mendjen te bukuria dhe dashuria. Nuk i intereson shumë mbrojtja e qytetit. Na paraqitet në roman një djalë i bukur, me tipare të qeshura, një djalë, që ka qef gjuetinë, kalërimin, seksin e dashurinë por jo luftën. Vlora është fatkeqe që ka gjetur këtë personazh për ta mbrojtur, sepse përveçse bëhet burri i Ruginës, ai na paraqitet në Venedik jo pranë senatit për të kërkuar mbrojtjen e tij, por për tu hedhur në krahët e virgjër të Desdemonës që e di shumë mirë se nuk e ka të sajin, as ai atë sepse është princi serb i shqiptarëve. Por që gjen ngushëllim nga dashuria. Po finalja? Lexuesit do ta zbulojnë në libër...
- ^ "Ben Blushi — European Union Prize for Literature". euprizeliterature.eu. Arkivuar nga origjinali më 29 shtator 2017. Marrë më 29 shtator 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)