Përdoruesi:Arditwolf89/Enter your new arSHKODRA QYTETI MODEL I TRANSPORTIT EKOLOGJIKticle name here

SHKODËR - Në gazetën lokale të para vitit 1990 "Jeta e Re", në maj 1981, autori Agim Parruca shkruante: "Është llogaritur që në rrugët kryesore të qytetit nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 18:00 të darkës, në çdo seksion të rrugëve qarkullojnë rreth 1 000 biçikleta në orë. Kjo është arsyeja që Shkodrës i thonë "Qyteti i biçikletave".

Studiuesi Agim Parruca në librin e tij "Shkodra, bastion i qytetërimit shqiptar", për biçikletën e parë në Shkodër shkruan: "Në vitin 1907 konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër solli nga jashtë një biçikletë, por e pati mjaft të vështirë ta fuste në Shkodër, sepse edhe vetë doganierët nuk e njihnin atë "lloj hallati", siç e quajtën ata vetë. Kjo biçikletë tërhoqi vëmendjen e të gjithë banorëve qytetarë, të cilët e shikonin me habi, sepse ishte i pari dhe i vetmi mjet në tokë, në atë kohë në Shkodër, që ecte pa u tërhequr nga kuajt apo nga qetë. Ndonjë fanatik e quajti edhe "karroca e djallit". Sidoqoftë, koha bëri të veten dhe numri i biçikletave erdhi gjithnjë duke u rritur, kështu që nuk habitej askush nga ai mjet udhëtimi. Por pas disa vitesh një biçikletë tërhoqi përsëri vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës, saqë kur morën vesh se po kalonte para kafenesë, burrat lanë tavolinat bosh dhe vrapuan te dera e dritaret e kafenesë për ta parë: biçikleta ishte e zakonshme si të tjerat, por e "jashtëzakonshmja" ishte se atë po e ngiste një grua e konsullatës austriake. Ishte hera e parë që shikohej një grua të niste biçikletën". Dhe më pas ky mjet pati një përhapje të madhe dhe është e çuditshme nëse gjen njeri në Shkodër, madje që në moshë të vogël që thotë se nuk e di biçikletën.

Qyteti ka një shtrirje rreth 12 km të gjatë dhe rreth 6 km të gjerë, dhe lëvizja me biçikletë kursen kohë dhe është më e lehtë. pas 1944-s, ishin mallrat e Lindjes që dominonin tregun dhe biçikletat vinin nga Lindja. Më së shumti kanë ardhur biçikletat kineze, të cilat ishin më të përhapurat, disa llojesh dhe mjaft cilësore e të forta. Biçikletat vinin pjesë - pjesë dhe montoheshin në Shkodër. Këto pastaj shiteshin në dyqanet e ndryshme në qytet e fshat. Për kohën paguheshim mirë për montimin e biçikletave që vinin nga jashtë. Paga mujore shkonte deri 1100 lekë të reja, aq sa nuk merrte as një drejtor atëherë. Blerja e biçikletave ishte e madhe, pasi ajo ishte mjeti më i përdorur dhe kërkesat ishin të shumta, sa shpesh ato mungonin në treg. Kur dilnin në shitje, njerëzit rrinin në radhë dhe shtyheshin për të blerë një biçikletë, edhe pse ajo kushtonte për kohën.

Kështu, biçikletën e përdorte edhe intelektuali, edhe drejtori, edhe mësuesi, inxhinieri, mjeku etj, edhe punëtori që shkonte me të në punë, madje shumë e përdornin edhe gratë. Por me biçikletë shkonin në fshatra dhe ata që punonin nga qyteti atje, kryesisht mësuesit e mjekët. Pas prishjes me Kinën, pati mungesa të theksuara në treg për biçikleta dhe për pjesë këmbimi për to. Më kujtohet se si në një takim të Mehmet Shehut në komitetin e partisë në Shkodër me përfaqësues të klasës punëtore, punonjëset e ndërmarrjes artistike i bënë kërkesë për të pasur në treg kapertona biçikletash, pasi ato mungonin, ndërsa vetëm në këtë ndërmarrje ishin mbi 1000 gra që shkonin çdo ditë në punë me biçikletë. Në kushtet kur pjesët e riparimit për biçikleta mungonin, kryesisht kapërtonat pasi ato konsumohen më shumë, pasi pjesët e tjera atëherë ishin mall i fortë, u përdoren kapertonat prej bezeje.

Ishte një opingar, saraç Isa Dhampiri, i cili filloi të bënte kapertona biçiklete prej bezeje, ku bezes që prodhohej në vend i qepej teli anash. Filluan të prodhoheshin dhe kapërtona vendi, që i bënte ndërmarrja e gomës, por ishin të dobët dhe nuk qëndronin më shumë se 3-4 muaj. Shkodra ishte ajo që kërkonte më shumë kapërtona e pjesë ndërrimi për biçikleta pasi këtu kishte më shumë se kudo të tilla, pas saj vinte Lushnja.