Përdoruesi:Firestorm.Scutari/Rezultatet e F1 2010

Formula 1 2010 është sezoni i 61-të i formulës një në kampionatin e automobilizmit. Red Bull Racing fitoi titullin e parë të tij për konstruktorë duke përfunduar në dy vendet e para në garën e Brazilit, ndërsa piloti i Red Bull-it Sebastian Vettel fitoi kampionatin e pilotëve pasi fitoi garën e fundit të sezonit. Në këtë mënyrë Vettel u bë kampioni më i ri në moshë në historinë gjashtëdhjetë vjeçare të këtij sporti. Fitimi i kampionatit nga ana e Fetelit erdhi pas një finaleje dramatike në Abu Dabi, ku tre pilotë të tjerë gjithashtu mund të kishin fituar kampionatin: piloti tjetër i Red Bull-it Mark Webber, piloti i Ferrarit Fernando Alonso dhe piloti i Meklarenit Lewis Hamilton. Ky sezon ishte i fundit për kompaninë Bridgestone si e vetmja furnizuese e gomave në Formula Një pasi kompania deklaroi në fund të sezonit, se nuk do ta rinovonte kontratën. Pas shumë diskutimesh, Pirelli u zgjodh si furnizuesi i gomave për sezonin 2011 gjatë takimit të këshillit botëror të motorsportit FIA, në qershor të vitit 2010, në Gjenevë. Rregullorja sportive dhe ajo teknike që u aplikua gjatë sezonit u bë subjekt debatesh. Përpara fillimit të sezonit, piloti kampion i vitit 2009, Jenson Button iu bashkua Meklarenit, ndërsa skuadra kampione e vitit 2009, Brawn GP u ble nga kompania gjermane e prodhimit të makinave Mercedes-Benz dhe u riemërua Mercedes GP. Sezoni i 2010-ës pa rikthimin e pilotit më të suksesshëm të Formula Një, ku shtatë herë kampioni i botës Michael Schumacher u rikthye pas tre vitesh mungesë në këtë sport. Gara e parë e sezonit u zhvillua më 14 mars në Bahrein dhe sezoni u mbyll më 14 nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas 19 garave të zhvilluara në 18 shtete, në 5 kontinente.