Përrallat e tranzicionit shqiptar
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Përrallat e tranzicionit shqiptar Gjinia: Histori, shkenca sociale. Autori: Shinasi A. Rama. Shtëpia botuese: Princi. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 502. ISBN 978-9928-4090-2-7
Vendosja e një demokracie liberale, si objektiv dhe si proces, duket një objektiv më i largët sot se sa ka qenë në vitin 1990...
... Çdo dështim i sistemit është i lidhur pazgjidhshmërisht me parinë dhe me rolin e saj.
... Po kush është paria? Paria janë ata individë, që të organizuar në grupe dhe interesa ideologjike të përbashkëta, luajnë një rol parësor, vendimtar, dhe sistematik në marrjen e vendimeve lidhur me organizimin shoqëror, si dhe në përcaktimin e politikave dhe vlerave të shoqërisë në një shtet të caktuar. Paria janë pakica e organizuar dhe sunduese. Por, ka një dallim të madh cilësor midis parisë, klasës politike, shtresës sunduese dhe elitës...
... Paria ka synuar që të vendosë sistemin që i shërben më mirë ruajtjes së interesave të saj. Prandaj edhe demokracia shqiptare lindi e dështuar. Sot e ardhmja e saj është, në dukje, si e shkuara, krejt e pashpresë.
Mirëpo edhe kur u krijuan kushtet për vendosjen e një demokracie funksionale në vitin 2005, pas përvojave traumatike të përjetuara gjatë 20 viteve të kaluara, e në veçanti mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, proceset po vazhdojnë që të ecin në të njëjtën hulli.
... Shteti është i kapur nga një grup i vogël klanesh të parisë që kanë mbledhur e përvetësuar pasurinë kombëtare dhe që vjedhin sistematikisht nga thesari i shtetit. Paria ndjek synimet e veta duke iu kundërvënë, në çdo hap, forcimit të shtetit, të sistemit demokratik, dhe është në luftë të hapur me popullin e vet. Jo vetëm që shteti nuk ka sovranitet, por institucionet shtetërore janë të kapura nga krimi, të vëna haptazi në sherbim të strukturave kriminale, dhe paria sunduese është bashkëpunuese e strukturave kriminale dhe në krye të tyre. Makina oligarkike parisë është tejet efektive dhe bllokon çdo inisiativë për ndryshim. Kontrolli mbi shtetin ushtrohet nga strukturat politike të parisë që e kanë feudalizuar shtetin dhe punojnë në bazë të përqindjeve.
Gjithkund paritë mundohen të punojnë prapa skenës. Prandaj paritë akuzohen si shtresa konspirative. Në rastin shqiptar, paria i bën të gjitha hapur dhe sheshit. Si grindjet, ashtu edhe marrëveshjet midis palëve të parisë janë lehtësisht të lexueshme nga çdokush. Zhveshja e parisë nga vlerat morale ka arritur në ekstrem...